Fjalori i Zoologjise – Fjalor Zoologjik
FAJKORE
Femra e fajkoit.
FAJKUA
Shpend grabitqar me krahë të mëdhenj, me sqep të shkurtër e të kthyer, me kthetra të forta dhe me bisht të bardhë; skifter.
FAQEKUQ
Kryeartëz.
FARË
Veza e disa kandrrave ose e disa kafshëve, nga e cila zhvillohet larva.
FARËNGRËNËS
Buburrec i vogël, në ngjyrë të zezë, që ha farat e bimëve. Farëngrënësi i tërfilit.
FARJE
Matka e bletës, parëz.
FASULE
Miza e fasules.
FAZAN
Shpend i egër, me trup sa të gjelit, me bisht të gjatë, me pupla të bukura shumëngjyrëshe, që gjuhet për mishin e tij të shijshëm; mishi i këtij shpendi i gatuar si gjellë. Fazan mashkull (femër). Fazan i pjekur. Pendë (vezë) fazani.
FEÇKOR
Kandërr me kokë të zgjatur si feçkë, që bren sythet e bimëve a të pemëve ose shpon frytet e tyre e i bën vrima-vrima. Feçkori i mollës. Feçkori i lajthisë. Feçkori i luleshtrydhes.
FERRACAK
Peshk i vogël me hala, që ka gjemba në shpinë e në bark në vend të fletëve notuese; një lloj krapi i vogël.
FERRAK
Cinxami.
FERRË
Zog ferre (miu, shtrige)
FERRËGJATË
Gjitar nga rendi i brejtësve, që e ka shpinën të mbuluar me gjemba të fortë e me të gjatë se të iriqit.
FERRËS
Cinxami.
FIERKUQE
Gjarpër i madh helmues, me lëkurë të kuqe, që jeton nëpër fierishta.
FIKËS
Beng.
FIL
Elefant.
FILOKSERË
Kandërr e vogël parazite, e ngjashme me morrin e bimëve, e cila dëmton rëndë sidomos hardhitë. Filoksera e hardhisë. Filoksera e gjetheve (e rrënjëve).
FIQFIQ
Zog i vogël që nxjerr një cicërimë të hollë.
FISHNJAR
Kafshë mishngrënëse e ngjashme me shqarthin, me qime të murrme e me një njollë të bardhë në kraharor, me bisht shumë të gjatë e me këmbë të shkurtra, që gjuhet për lëkurën e saj të çmuar.
FLUTUR
1. Emërtim i përgjithshëm për disa lloje kandrrash fluturuese, me katër krahë të mbuluar me luspa të imëta si pluhur, me ngjyra të ndryshme, me feçkë e brirthë për të thithur dhe për të ndier, disa prej të cilave dëmtojnë bimët. Flutur shumëngjyrëshe. Flutur bishtartë. Flutur mashkull (femër). Flutura e bardhë e pemëve. Flutura e verdhë e jonxhës. Flutur nate. Flutura e mëndafshit. Flutura e lakrës. Flutura e duhanit. Flutura e misrit. Flutura e orizit. Flutura e hambarëve. Flutura e gjembave. Krahët e fluturës. Brirthët e fluturës. Vezë fluturash.
2. Krimb i shtypur si gjethe e vogël që rron në gypat e mëlçisë së zezë zakonisht te dhentë dhe shkakton sëmundjen e këlbazës. Flutura e këlbazës.
FLUTURAK
Peshk fluturak (fluturues)
FOKË
Gjitar i deteve polare, me trup të madh e me qafë të shkurtër, me këmbë si lopatë, me lëkurë të mbuluar me qime të shkurtra, që ushqehet me peshq dhe që gjuhet zakonisht për t’i marrë dhjamin e lëkurës. Mish (dhjamë, lëkurë) fokë. Gjuetia e fokave.
FREGATË
Shpend i fuqishëm që jeton në ishujt e oqeaneve e në detet tropikale, me krahë të mprehtë, me bisht të gjatë e të bigëzuar dhe me sqep të madh e të kthyer në majë; shqiponjë deti. Fluturojnë fregatat në stuhi.
FRUTË
Shpuesi i frutave
FUGË
Femra e bengut.
FULTERËZ
I vogli i bretkosës në fazën e parë të zhvillimit të tij, që ka një kokë të imët e të zezë dhe një bisht të gjatë. Lëvrinin fulterëzat.
FURUVEJKË
Kukuvajkë.
FURRËBUBËZ
Nusja e lalës, bukla.
FURRTARE
Lloj kandrre si brumbull, zakonisht e zezë ose e kuqë-rreme, që rron nëpër shtëpi e në vende ku mbahen ushqime dhe del natën për të ngrënë mbeturinat e ushqimeve; zhuzhull. Furrtarja e zezë. Furrtarja e kuqe (kuqaloshe). Kanë dalë furrtare. Zhduk furrtaret.
Fjalori Zoologjik