Fjalori i pasthirrmave
![]() |
Fjalori i pasthirrmave |
PASTHIRRMË
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës që shërben për të shprehur ndjenjat, dëshirën a vullnetin e folësit
Fjalori i Pasthirrmave
A
1. Përdoret për të shprehur habi kur ndodhemi papandehur
përpara një të papriture; ah. A, kush qenka!
2. Përdoret për të theksuar shprehjen e gëzimit të kënaqësisë, të
miratimit etj.; ah. A, sa e bukur qenka!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, urrejtje, qortim, dhembje,
keqardhje etj.; ah.
A, sa më dhemb! A, në të zënça!
4. Përdoret për të shprehur mospërfillje, ironi, qesëndi ose
kundërshtim, pakënaqësi për dikë a diçka që nuk e miratojmë. A,
mos e pyeti. A, jo, nuk jam në një mendje me ty. A, këtë dashke ti!
5. Përdoret kur i drejtohemi një njeriu zakonisht të afërt a të
njohur, me fjalë a me shprehje që kanë ngjyrime emocionale.
Mirë, a derëbardhë! Ç`u bëre, a i vrarë!
Mirë, a të keqen nëna!
6. Përdoret kur kujtohemi papritur për diçka gjatë bisedës me
dikë; aha. A, po, m’u kujtua.
AFERIM
Të lumtë. Aferim të qoftë!
AH
1. Përdoret kur shprehim dhembje, pikëllim, dëshpërim etj. Ah, sa
me dhemb! Ah, ç`me gjeti!
2. Përdoret për të përforcuar shprehjen e kënaqësisë, të gëzimit,
të admirimit etj.; a. Ah, sa mirë! Ah, sa bukur! Ah, sa i lumtur jam!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, kërcënim etj. ose frikë, habi;
a. Ah, sa me trembe! Ah, ti qenke! Ah, në të zënça!
4. Përdoret për të theksuar shprehjen e kundërshtimit, të
mospranimit. Ah, jo! Ah, gjer këtu!
5. Përdoret kur shprehim një mendim që na vjen papritur ose
diçka që na kujtohet aty për aty në bisedë e sipër; a. Ah, për pak
harrova! Ah, po, m`u kujtua.
AHA
1. Përdoret kur kujtohemi papritur për diçka ose kur duam të
tregojmë menjëherë se e kuptuam për se bëhet fjalë (gjatë
bisedës me dikë). Aha, me erdhi ndër mend! Aha, tani e kuptova!
2. Përdoret për të shprehur mospërfillje, dyshim a mosbesim;
ëhë. Aha, s’na doli gjë!
3. iron. Përdoret kur duam të theksojmë se është e pamundur të
kryhet diçka, se është e kotë të shpresosh për të arritur diçka.
Aha, nuk e arriti dot!
ALILLUJA
Pasthirrmë lavdëruese, që shqiptohej pas disa këngëve e
lutjeve sipas dogmës në shërbesat e krishtera.
ALO
Fjalë që shqiptojmë kur thërresim dikë ose kur na flet dikush në
telefon, për të treguar se po dëgjojmë.
ALLAH
Përdorej për të shprehur habi, çudi ose frikë, tmerr.
AMAN
1. Përdoret për të shprehur një lutje ose për të kërkuar falje a
mëshirë; të lutem. Aman, mos ma kujto! Aman, mos e qorto këtë
radhë! Aman, mos e godit!
2. Përdoret për të përforcuar shprehjen e pakënaqësisë për
diçka ose për qesëndi. Aman, sa i keq që është! E shau, po
aman se ç`e mori pastaj!
ANI
Përdoret në krye të vargjeve në këngët popullore si
thirrje dhe si mjet plotësues poetik, ashtu si edhe; hajde, hej, e
po. Ani mora rrugën, nëno, për në Pukë! Ani ç`paska qafën si
gastare!
BAH
Përdoret për të shprehur kundërshtim ose mosbesim për diçka
që nuk mund të bëhet a që nuk mund të jetë ashtu si thuhet;
përdoret për të shprehur habi. Bah, nuk bën! Bah, ç`janë ato që
thua! Bah, si fryn era!
BERIHA
Përdoret si thirrje për ndihmë në rast rreziku.
BOBO
1. Përdoret kur shprehim keqardhje, dhembje ose vuajtje për një
fatkeqësi; bubu, oh. Bobo, ç`e gjeti! Bobo, ç`u rrëzua! Bobo, i
shkreti ai!
2. Përdoret kur shprehim habi para një të papriture ose për diçka
jo të zakonshme; obobo. Bobo, sa thellë qenka! Bobo, sa shumë
male! Bobo, sa e paska kokën!
3. Përdoret kur shprehim shqetësim për diçka të papëlqyeshme
që mund të ndodhë, frikë para një rreziku etj.; obobo, bubu.
Bobo, kush i del atij përpara!
4. Përdoret kur shprehim mërzi ose kur nuk kemi dëshirë për të
bërë diçka. Bobo, kush ia hyn asaj pune.
BRE
1. Përdoret kur i drejtohemi dikujt, kur thërresim dikë, me kuptimin
«ore». Folni, bre shokë! Mos u nxitoni, bre burra! I the, bre,
kush jam?
2. Përdoret për të përforcuar shprehjen e një habie, të një çudie,
të një kënaqësie etj. Bre, sa shumë paska! Bre, po ç`është kjo?!
Bre, bre, sa më çuditi!
BU.
Përdoret kur shprehim çudi a shqetësim ose kundërshtim për diçka të
papritur a të papranueshme; bah; bubu. Bu, tashti natën!
BUBU
Përdoret kur shprehim pikëllimin a një brengë, një shqetësim të
madh ose keqardhjen e thellë për dikë a për diçka që na vjen e
papritur; bobo. Bubu, mor kurbet i zi!
BUJRËM
Urdhëro!, urdhëroni! (kur ftojmë dikë të hyjë në shtëpi, të ulet për
të ngrënë etj.).
BUKURI
Mrekulli, shumë mirë.
CIU
Përdoret për të shënuar zërin e zogjve të vegjël ose zëra të tjerë
të hollë. Zogu bën ciu-ciu.
DALE
Prit(ni) pak!, qëndro(ni) pak!; mos u ngut(ni)! (përdoret kur i
drejtohemi dikujt, zakonisht në formë lutjeje a urdhri, për t’i
kërkuar që të ndalet, të qëndrojë, të presë pak ose për ta
këshilluar që të ketë durim, të mos ngutet). Dale, se harrova.
Daleni, more, ku po shkoni? Dale, mos u ngut! Dale, pa e sheh
me vonë!
DE
1. Përdoret për të nxitur kalin, pelën, kaun etj. që të ecë. De,
kuqo, de!
De, kazil, de!
2. Përdoret e përsëritur për të përforcuar shprehjen e një habie,
të një kënaqësie, të një hidhërimi etj. De, more, de! De, more hall, de!
DRE
Përdoret për të shprehur habi a çudi; bre. Dre, dre, sa qenke rritur!
E
1. Përdoret kur shprehim habi, kur ndodhemi para një të
papriture a para diçkaje të padëshirueshme, kur kujtohemi
papandehur për diçka etj. E, kush na erdhi!
E, si e paskan prishur! E, si nuk e lajmëruam që dje!
2. Përdoret kur shprehim gëzim, kënaqësi, miratim ose ndonjë
ndjenjë tjetër; hë.
E, më ju lumtë dora! E, t`u bëftë nëna! E, sa u gëzova kur të
pashë!
3. Përdoret kur shprehim dhembje, hidhërim a pikëllim,
keqardhje, dëshpërim, qortim, zemërim, urrejtje etj.; ah. E, ç’e
gjeti të ziun! E, mor i shkretë! E, po e zura, ç’do t’i bëj!
EH
1. Përdoret për të shprehur dhembje, hidhërim a pikëllim,
keqardhje, pendim etj.; ah. Eh, ç`e gjeti të shkretin! Eh, si s`e
vura re! Eh, sa keq që i fola! Eh, ç’bëra!
2. Përdoret kur shprehim habi ose frikë. Eh, ti qenke! Eh, ç`më
trembe!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, kërcënim etj.; ah. Eh, në e
zënça! Eh, ç`ia punoi i poshtri!
4. Përdoret për të theksuar shprehjen e një dëshire, të një lutjeje,
të padurimit etj. Eh, sikur të kthehej sonte! Eh, sa mirë do të
ishte po të binte një shi!
5. Përdoret për të përforcuar shprehjen e kënaqësisë, të gëzimit,
të mallëngjimit, të habisë etj. Eh, sa i bukur u bë fshati! Eh, sa
më pëlqente! Eh, sa qenka rritur!
6. Përdoret kur na vjen diçka në mendje menjëherë e papritur.
Eh, gati më doli nga mendja! Eh, për pak harrova!
EHE
Përdoret kur shprehim keqardhje, dëshpërim, dyshim a
mosbesim (kryesisht me qesëndi), zemërim, kundërshtim,
mospërfillje, përbuzje etj. Ehe, s`ma hedh dot mua! Ehe, ç`e
gjeti të shkretin! Ehe, nuk qenka burrë! Ehe, zor se kthehet sonte!
EHU
Përdoret kur shprehim mospërfillje, mosbesim, nënvlerësim a
përçmim për dikë a për diçka ose zemërim a mërzitje për shkak të
dikujt a të diçkaje etj. Ehu, edhe ti gjithnjë po këto gjëra thua!
Ehu, ç`më mërzite! Ehu, sa miza janë, nuk bëjnë mjaltë! fj.u.
Ehu, ia paske ngenë edhe ti!
EJ
HEJ. Ej, ti, ku shkon?
EJA
Përdoret kur e thërresim, kur e ftojmë a kur e
nxitim dikë për të nisur një punë, për të bërë diçka së bashku etj.;
hajde. Eja të dalim! Ejani të këndojmë!
Ë
1. Përdoret kur shprehim kënaqësi, miratim etj. ose për të
përforcuar shprehjen e këtyre ndjenjave. Ë, sa m’u bë qejfi!
2. Përdorët kur kujtohemi papritur për diçka. Ë, po, m’u kujtua tashti.
ËH
1. Përdoret për të shënuar zërin që nxjerr dikush kur rënkon, ë.
Ëh, ëh, dëgjohej rënkimi i plakut.
2. Përdoret kur shprehim keqardhje për diçka; ë. Ëh, ç`më
shpëtoi!
ËHË
1. Përdoret për të shprehur keqdashje, përbuzje, mospërfillje,
dyshim a mosbesim, habi etj.; aha. Ëhë, le ta përsëritë po të
dojë! Ëhë, dashka dhe ai! Ëhë, ç`paska bërë! Ëhë, ç`ia punoi!
Ëhë, s`na doli gjë.
2. Përdoret kur shprehim keqardhje, dëshpërim a pendim. Ëhë,
deri aty paska shkuar puna? Ëhë, ja që ndodhi tashti, s`kemi
ç’bëjmë.
FALEMINDERIT
Përdoret kur i shprehim dikujt mirënjohjen a falënderimet për një
të mirë që na ka bërë, për një fjalë të mirë që thotë, për një urim
etj. Ju faleminderit. I themi faleminderit. Ia dimë për faleminderit
dikujt i jemi mirënjohës.
FALËMESHËNDET
Përdoret për të përshëndetur nëpërmjet një tjetri dikë që ndodhet
larg, me kuptimin «të fala e shëndet të mirë!» Falëmeshëndet
babait (shokëve)!
FORCË
Përdoret për të nxitur dikë në një punë, a në një
veprim. Forca, shokë, se edhe pak na mbeti!
GATITU
Përdoret si komandë për të urdhëruar dikë që të marrë drejt
qëndrim e të rrijë pa lëvizur; Kompania, gatitu!
GËZUAR
Përdoret si urim në raste festash, ditëlindjesh, kur fillojmë një
punë të re etj., me kuptimin «e kalofsh i gëzuar!», «qofsh i
gëzuar!», «e gëzofsh (e gëzofshi)!» etj. Gëzuar Vitin e Ri!
Gëzuar qofsh! Gëzuar bukën e re! Gëzuar! (thuhet kur ngremë
një dolli a kur çokasim gotat me dikë).
GJYNAH
përdoret për të shprehur keqardhje për
dikë a diçka; sa keq. Gjynah, e shkreta! Sa gjynah!
HAJ
Përdoret për të përforcuar dhimbjen shpirtërore
a pikëllimin e dikujt. Haj, medet! Haj, e mjera unë!
HAJDE
1. Përdoret kur shprehim miratim, admirim, habi, urim,
pakënaqësi, mospërfillje ose ndonjë ndjenjë tjetër. Hajde, t`ju
rrojë! Hajde ç`vete! Hajde ç`djalë që është! Hajde ç`trim ka
qenë! Hajde djalë, hajde! Hajde bandill, hajde! Hajde mendje,
hajde! Hajde, hajde, ç’paska këtej!
2. Përdoret kur flasim për diçka që nuk mund të kundërshtohet,
që duhet bërë patjetër ose kur flasim për diçka që është shumë e
vështirë të bëhet për shkak të një kundërshtimi, të pasojave të
këqija etj. Hajde ta urdhërosh atë! Hajde t`i lëshosh ato! Hajde
mos e pastro! Hajde mos e qep po deshe! Hajde bëje, po të
duash! Hajde merre, po të ta mbajë!
HAJMEDET
Përdoret kur shprehim dëshpërim të madh, dhimbje a keqardhje
të thellë, frikë ose tmerr; medet
HAJT
Hajde. Hajt, nisu! Hajt, këput qafën! Hajt të ikim (të flemë). Hajt,
more, ç`thua! Hajt, mos u mërzit. Hajt, të rroni vetë! Hajt se do
të rregullohet ajo punë! Hajt, ta mbash atë! Hajt, mos e fshij!
HASHA
1. Përdorej si betim për të siguruar dikë që diçka nuk ishte e
vërtetë, që dikush nuk e dinte një punë, nuk e njihte një njeri etj.
Hasha, s`di asgjë. Hasha, s`e mora vesh. Hasha, s’e pashë.
2. Përdoret së bashku me disa folje dhe formon me to togje të
qëndrueshme me kuptimin e përgjithshëm «e mohoj dikë a diçka,
i bie mohit». E bëri hasha se ka qenë. I ra hasha fjalës. E zuri
hasha fjalën. E bëri hasha djalin.
HE
1. Përdoret si thirrje kur i drejtohemi dikujt; o. Tungjatjeta, he
burra! Si u gdhitë, he djem!
2. Përdoret kur mallkojmë, kur flasim me qesëndi, kur shprehim
krenari, gëzim a ndonjë ndjenjë tjetër. He, sa, u gëzova atë ditë!
He, e djegtë flaka! He, he, s’kemi gjë në trastë! He, çfarë djali ka.
HEJ
1. Përdoret si thirrje për të shprehur kënaqësi, habi, hidhërim,
keqardhje a ndonjë ndjenjë tjetër. Hej, thëllëzë e malit! Hej, hej,
o sa bukuri! Hej, ç`ditë e bukuri! Hej, ç`të kënduar! Hej, more
hej! Hej, sa punë paska këtu! Hej, kuku! Hej, medet! Hej,
ç`bela! Hej, sa ngushtë u gjend! Hej, dreq!
2. Përdoret kur i drejtohemi dikujt për ta thirrur, për t’i tërhequr
vëmendjen, për ta nxitur etj., ej. Hej, ku shkon? Hej, ti atje! Hej,
me ty flas! Hej, mos u vononi!
HEU
1. Përdoret kur shprehim dhimbje të madhe ose keqardhje të
thellë për dikë a për diçka. Heu, ç’e paska gjetur! Heu, i shkreti ai!
2. Përdoret kur shprehim një habi të madhe para një të papriture
ose për diçka jo të zakonshme. Heu, sa shpejt erdhi! Heu,
ç’male të larta!
3. Përdoret kur shprehim gëzim të madh ose admirim të thellë për
diçka. Heu, ç`na kënaqi!
HË
1. Përdoret kur duam të nxitim dikë për një veprim, kur duam t’i
japim zemër dikujt etj. dhe i përgjigjet kuptimit të fjalëve «jepi!,
forca!, nisja!». Hë, fol! Hë de, fillo tani! Hë, se e bën ti! Hë,
djalë i mbarë, shko tani! Pa hë, na e trego tani! Hë, edhe pak!
Hëni more! Po hëni de, se na zuri nata!
2. Përdoret për të forcuar një urdhër a një qortim. Hë, ulu tani!
Hë, rri këtu! Hë, mos fol! Hë, mos luaj nga vendi! Hë, mos çaj
kokën! thjeshtligj.
3. Përdoret kur shprehim habi, zemërim, kënaqësi a pakënaqësi
ose një ndjenjë tjetër (ironi, tallje, mospërfillje etj.) për dikë a për
diçka. Hë, ç`paska qenë ai! Hë, po të më bjerë në dorë edhe
një herë. E po, hë de, këtë doja unë. Hë, kur të vij këtu do ta
rregulloj mirë! Hë, se e di unë! Hë, sa mirë ta bëri! Hë
ç`ngatërresa më ka nxjerrë! Hë, s`të pëlqeu?! Hë, ç`na the! Hë,
mos u tall! Hë, më qafsh!
4. Përdoret për të forcuar pyetjen; përdoret kur bëjmë një pyetje
me njëfarë dyshimi, habie etj. Hë? Si the? Hë, e more? Hë, si të
doli? Ç’u bëre de, hë? Pse më shikon kështu, hë? Të vjen keq,
hë? Nuk do, hë? Hë pra, ç’kërkon? Po ti, pse i mban anën, hë?
5. Përdoret për të forcuar një mohim a një kundërshtim, kur
ngulim këmbë për diçka etj. S’dua të vete, hë! Nuk e bëj, hë!
S’vij me ty, hë! Për inatin tënd, hë!
HËM
1. Përdoret kur shprehim zemërim, pakënaqësi, mosbesim,
dyshim ose ironi për një njeri ose për veprimet e tij. Hëm! Kërkon
të ikë prej këtej! Hëm! Dhe më qortojnë për këtë gjë. Hëm!
Qenke edhe brisk nga goja! Hëm, e di unë ç’do ti!
2. Përdoret kur shprehim vështirësinë që ndiejmë për të bërë një
punë ose kur shprehim gjendjen e pavendosur përpara se t’ia
nisim diçkaje. Hëm! Si t’ia bëj?
Hëm, s’kam si ia bëj kësaj pune.
HOP
1. Përdoret si thirrje, kur flasim për një veprim të menjëhershëm
ose kur një lëvizje bëhet shpejt e me vrull; përdoret si thirrje
nxitëse a shoqëruese, kur kërcej më nga një vend në një vend
tjetër ose kur shtyjmë diçka me vrull. Hop këtu e hop atje. Hop,
e gjeti! Hop, u ngrit në këmbë! Kërcen (hidhet) hop e hop. Hop,
shtyjeni o shokë!
HOPA
Hop. Hopa, u hodh më këmbë!
IKI
Ashtu, vërtet, jo more! Ikë more! Ikë, se tallesh!
ISH
Përdoret për të trembur pulat.
JAKË
Eja, hajde. Jakë ndër mend! Jakëni këtu!
JAZËK
Turp! faqja e zezë! Jazëk qoftë!
KUKU
Përdoret kur shprehim dhembje a hidhërim në rast të një
fatkeqësie të madhe që ndodh papritur ose kur shprehim habinë
për diçka të rëndë e të papritur. Kuku, ç’e gjeti! Kuku për mua!
Kuku, moj nënë! Kuku, ç’paska ndodhur! Kuku, ç’më dëgjuan
veshët!
LAMTUMIRË
Përdoret si përshëndetje kur largohemi në një vend tjetër ose kur
ndahemi nga një njeri i dashur për një kohë të gjatë a përgjithnjë.
Lamtumirë e mirë mbeçi! Lamtumirë e udhë e mbarë!
LAVDI
Përdoret si thirrje për të shprehur mirënjohje e
nderim të thellë dhe urime të zjarrta. Lavdi popullit tonë heroik!
Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare!
LEPE
Urdhëro. – Lepe, si the?
LUMTË
Përdoret kur i shprehim dikujt pëlqimin, miratimin e përgëzimin
për diçka ose kur shprehim admirim a një lëvdatë për dikë. Të
lumtë dora! Të lumtë goja! I lumtë pushka! Të lumshin krahët!
Ju lumshin këmbët! Të lumtë, o djalë! Ju lumtë, sa mirë e keni
bërë!
MARSH
1. Përdoret si komandë zbatuese për fillimin e ecjes së
ushtarëve ose të trupave. Para marsh!
2. Përdoret si urdhër i prerë e i rreptë për dikë që të niset
a të largohet menjëherë. Hajt, nisu, marsh!
MASHALLA
Thuhet kur shprehim admirim e kënaqësi për një fëmijë të
shëndoshë ose në përgjithësi për dikë a për diçka të bukur, të
mirë e të fortë dhe duam që të mos merret mësysh (sipas
besëtytnive). Mashalla, çfarë djali (çfarë vajze)! Mashalla, sa e
bukur! Mashalla, sa qenkan rritur! Mashalla, sa shumë kokrra
paska bërë molla! Nuk tha as «mashalla».
MEDET
Përdoret kur shprehim dëshpërim, dhembje, keqardhje, frikë etj.;
mjerë. Medet për të! Medet, sa keq! Medet ç`na gjeti! Ah medet! Hej,
medet! Vaj medet!
MËNO
Përdoret për të ndjellë bletën që ka ikur.
MIRË
Përdoret kur miratojmë një veprim, një kërkesë, një
lutje etj. Mirë, le të vijë. Mirë, pranoj! Po deshe të vish, mirë, po
nuk deshe, mos eja! Mirë, thuaje! Mirë, ik!
MIRËDITA
Përdoret për të përshëndetur dikë kur takohemi me të gjatë ditës.
Mirëdita, shokë (shoqe)! Mirëdita, nënë!
MIRËMBRËMA
Përdoret për të përshëndetur dikë kur takohemi me të në
mbrëmje. Mirëmbrëma, shoqe (shokë)! Mirëmbrëma, baba!
MIRËMËNGJESI
Përdoret për të përshëndetur dikë kur takohemi me të në
mëngjes. Mirëmëngjesi, shokë! Mirëmëngjesi fëmijë!
MIRUPAFSHIM
Përdoret për të përshëndetur dikë kur ndahemi prej tij për një
kohë jo të gjatë. Mirupafshim, fëmijë! Mirupafshim, shokë të
dashur! Mirupafshim nesër! Mirupafshim në Tiranë! Ika,
mirupafshim! Natën e mirë e mirupafshim! Udhë e mbarë e
mirupafshim!
MIRUPJEKSHIM
Mirupafshim. Mirupjekshim, shokë! Mirupjekshim së shpejti!
MOJ
Përdoret kur i thërresim ose kur i drejtohemi një gruaje a një
vajze. Ik (shko), moj! Moj, hajdeni këtu! Lëvizni, moj! Fol, moj!
Sille, moj, këtu! Ç’thua, moj?! Moj, po ti s`dëgjoke!
MORE
Përdoret kur i thërresim ose kur i drejtohemi një burri a një
djali. Ik (largohu) more! More, lëvizi duart! Hajde shpejt, more!
Rrini urtë, more! Ç`thua more, vërtet? More, po s`merr vesh ti?
Ku po shkoni, more?!
NA
1. Përdoret kur i japim dikujt diçka, me kuptimin «merre»,
«urdhëro». Na librin. Na merre. Na edhe një.
2. Përdoret për të tërhequr vëmendjen e dikujt ose për ta thirrur.
Na, more ti! Na, moj vajzë, eja këtu!
NDAL
Përdoret si thirrje ose si urdhër, që i drejtohet dikujt për të mos
ecur më tej, për të qëndruar në vend. Ndal! Kush kalon? Thërriti
«ndal!»
NGADALË
Përdoret për t’i prerë hovin ose për t’i tërhequr
vëmendjen dikujt që ecën, që bën një punë a që flet. Më
ngadalë, ju lutem!
NGJATJETA
Tungjatjeta.
O
1. Përdoret kur shprehim dhimbje ose keqardhje për dikë a për
diçka; oh. O, ç`më vrave në këmbë! O, unë i mjeri (i ziu, i gjori)!
O, ku ta dija unë i shkreti!
2. Përdoret kur shprehim habi para një të papriture ose për diçka
jo të zakonshme. O, po ç’është kështu me ty?! O, gjallë qenka a? !
3. Përdoret kur shprehim gëzim, kënaqësi a admirim për diçka;
oh. O, sa mirë që erdhët! O, sa shpejt e paskeni kryer! O, sa e
bukur qenka!
OBOBO
1. Përdoret kur shprehim keqardhje të madhe, dhimbje të thellë
ose vuajtje për një fatkeqësi; bobo. Obobo, ç`e gjeti të mjerin!
Obobo, si ishte bërë i shkreti!
2. Përdoret kur shprehim habi të madhe para një të papriture ose
për diçka jo të zakonshme, bobo. Obobo, sa qenka! Obobo, sa
të bukura.
3. Përdoret kur shprehim shqetësim, pakënaqësi a mërzi të
madhe për diçka që mund të ndodhë, frikë para një rreziku etj.;
bobo, bubu. Obobo, kush merret me të tani! Obobo, kush i del
atij! Obobo, kush e bën përsëri gjithë këtë punë! Obobo, kush
shkon edhe një herë atje!
OBURRA
Përdoret kur grishim ose nxitim për punë a për luftë një njeri a një
grup njerëzish. Oburra, jepi edhe pak! Oburrani, se e mbaruam!
Oburrani, bjerini armikut e mos e lini të gjallë!
ODERRA
Përpara! jepi! forca!, oburra!
OFSH
Përdoret kur shprehim dhimbje a vuajtje të thellë shpirtërore dhe
kur rënkojmë, oh. Ofsh, unë i mjeri! Ofsh, o bir. Ofsh, për mua
të shkretin! Bënte ofsh ofshante.
OH
1. Përdoret kur jemi shumë të lodhur ose kur kemi një dhimbje a
një shqetësim në trup; përdoret kur shprehim mërzi, bezdi etj. Oh,
u këputa! Oh, sa u lodha! Oh, sa më dhemb! Oh, plasa nga
vapa! Oh, ç’më mërzitni! Oh, sa më dogji!
2. Përdoret kur shprehim dhimbje shpirtërore, keqardhje,
dëshpërim, mall, vuajtje etj. ose kur na ka rënë një e keqe. Oh,
unë i gjori! Oh, sa keq më vjen! Oh, ç’më ka marrë malli për të!
Oh, ç`e gjeti të shkretën! Bëri oh psherëtiu nga diçka.
3. Përdoret kur shprehim habi, tronditje, frikë etj. para një të
papriture ose për diçka jo të zakonshme. Oh, sa i bukur ishte
deti! Oh, sa më çuditi! Oh, sa u tremba! Oh, ku e gjete!
4. Përdoret kur shprehim dëshirë për diçka që duam të bëhet a të
ndodhë sa më parë; ah. Oh, sa të vijë ajo ditë! Oh, ku ta kem
edhe unë! Oh, ku ta gjej!
5. Përdoret kur shprehim kënaqësinë a gëzimin për diçka. Oh, sa
e mirë qenka! Oh, ç’bukuri ka tufa! Oh, sa shumë të kam pritur!
Oh, ç’u çmalla. Oh, sa u kënaqa! Oh, sa iu bë qejfi!
Oh, sa m`u bë zemra!
6. Psherëtimë që shpreh lodhje, dhimbje,
shqetësim, habi, kënaqësi etj. Me ohe e me ahe. Lëshoi një oh
të mbytur (të thellë, të gjatë). E duroi pa oh.
OHO
1. Përdoret kur shprehim gëzim a kënaqësi ose miratim për diçka,
oh. Oho, sa më pëlqen. Oho, sa e mirë është! Oho, ç`të paskan sjellë!
2. Përdoret kur shprehim habi për diçka, oh. Oho po na vjen djali!
3. Përdoret kur qesëndisim a tallemi me dikë a me diçka. Oho, i
pëlqyeka të rrijë kot! Oho, s`dashka zotëria e tij!
4. Përdoret kur shprehim një mendim ose diçka që na kujtohet
papritur. Oho, e kujtova se ku e kam lënë! Oho, unë e di se ku
është!
OHU
1. Përdoret kur shprehim mospërfillje a moskokëçarje për diçka,
kur diçka nuk na bën përshtypje ose nuk na vlen fare. Ohu dhe
ti, ia ke ngenë. Ohu, kjo nuk është gjë fare! Ohu, ajo punë ka
marrë fund me kohë!
2. Përdoret kur flasim për diçka që dihet a vetëkuptohet ose për
diçka që nuk duhet shtjelluar më tej a që nuk duhet filluar. Ohu,
është shumë e ngatërruar kjo çështje. Ohu, kush ia hyn asaj
pune!
3. Përdoret kur flasim për gjëra a për veprime të shumta, që
s’numërohen dot a që s’duam t’i themi në mënyrë të përcaktuar.
Ohu, sa të mira na ka bërë ai! Ohu, sa mund të të tregoja për
to! Ohu, sa herë kemi shkuar atje!
4. Përdoret kur flasim për diçka që ka ndodhur në një kohë të
shkuar a të largët.
Ma ka thënë, ohu, shumë kohë më parë. Ohu, kur kam
mbaruar unë!
OI
1. Përdoret kur shprehim dhimbje fizike a shpirtërore, hidhërim
etj. (vetëm nga vajzat dhe gratë), oh. Oi, sa më dhemb! Oi, unë
e shkreta! Oi, mos është vrarë njeri!
2. Përdoret kur qesëndisim me dikë a e përqeshim dikë
(zakonisht nga vajzat dhe gratë). Oi, na çudite me ato që na the!
3. Përdoret kur shprehim mërzi a bezdi ose pakënaqësi ndaj
dikujt (zakonisht nga gratë dhe vajzat). Oi, edhe ti me këto gjëra!
Oi, një e dy dhe po atë fjalë! Oi, sa na mërzite!
OJ
1. Përdoret kur shprehim frikë, druajtje etj. ndaj diçkaje (vetëm
nga vajzat dhe gratë). Oj, sa u tremba!
2. Përdoret kur shprehim habi para një të papriture ose për diçka
jo të zakonshme, oh. Oj, kush paska ardhur! Oj, sa bukur e
paskan bërë!
3. Përdoret kur qesëndisim me dikë a e përqeshim dikë; përdoret
kur shprehim kundërshtim për diçka. Oj, bjere më thotë! Oj kjo,
iu ngrit mendja! Oj, ia paske vënë syrin! Oj, oj, na shitka dhe
mend! Oj, dashka edhe të tjera!
4. Përdoret për të përforcuar sigurinë e një veprimi, miratimin për
një gjendje etj. Oj të shëruar, një me një. Oj të lodhur! Oj të
rrahur që i bëri!
OR
More, ore. Or, po ne nuk e besuam në fillim!
Or, po ç’është kështu me ty?! Or, po plasa nga vapa. Or, po u
lodha me të dhe s’po ia mbush dot mendjen!
ORE
1. Përdoret kur thërresim dikë a i drejtohemi dikujt për t’i folur.
Ore, juve ju them! Ore, ç’flet kështu? Ore, pa eja këtu. Ore, a
dëgjon ç’të thonë?
2. Përdoret kur shprehim habi, admirim a një ndjenjë tjetër. Ore,
ore, ke parë ti kështu! Ore, ç’vete! O po ky, ore! Ore, po sa
mirë e ditka! Ore, sa i madh qenka!
OU
1. Përdoret kur shprehim habi për diçka jo të zakonshme ose të
papritur. Ou, paska ardhur ai?! Ou, sa i fuqishëm paska qenë!
2. Përdoret kur flasim me qesëndi për dikë a për diçka. Ou, sa i
zgjuar na paske qenë!
3. Përdoret kur shprehim një dhimbje trupore; o. Ou, ç`u vrava!
PA
1. Përdoret për të shprehur habi ose keqardhje kur na ndodh
diçka e papritur a q ënuk e dëshironim. Pa, ç’harrova! Pa, ç’e
humba të shkretën!
2. Përdorët edhe e përsëritur për të përforcuar shprehjen e
admirimit për dikë a për diçka. Pa, sa e bukur! Pa-pa, sa fort
shkëlqen! Pa, sa mirë e flet frëngjishten.
PËRJASHTA
Largohu! Dil jashtë! Përjashta, të thashë!
PËRPARA
Përdoret si thirrje për të nxitur dikë që të hidhet
në sulm, të ndërmarrë diçka a të kapërcejë një pengesë me
përpjekje e me guxim etj.
PLAÇ
Përdoret më vete me vlerën e një fjalie ose bashkë me fjalë të
tjera, kur shajmë a kur mallkojmë dikë, me kuptimin «vdeksh!,
ngordhsh!». Plaç të preftë! Plaç në vend!
PRAPAKTHEHU
Përdoret si urdhër që i drejtohet dikujt për t’u kthyer prapa.
PUPU
Bubu. Pupu, ç`e gjeti atë! Pupu, sa prapa mbetën! Pupu,
ç`paska ngjarë!
QETËSOHU
Përdoret si komandë për të qëndruar pak më lirshëm, duke thyer
njërin gju.
QYQE
Përdoret nga gratë për të shprehur pikëllim,
keqardhje a habi; e mjera, e zeza. Qyqja ç’na gjeti! Qyqja, sa
vonë qenka! Qyqja,sa e bukur!
RROFTË
Qoftë me jetë shumë të gjatë! Rroftë populli shqiptar! Rroftë 1
Maji! Rroftë liria!
STOP
Përdoret si komandë a si sinjal me kuptimin: ndalo!, qëndro në
vend! Krahu i djathtë, stop!
SUS
Hesht, pusho. I tha: sus!
SHYQYR
1. Përdoret kur shprehim kënaqësinë, falënderimin a gëzimin për
diçka. Shyqyr që erdhe! Shyqyr që shpëtuam! Shyqyr që të
gjetëm! Shyqyr që u zgjove! Shyqyr që qeshi! Si i ke nga
shtëpia? – Mirë, shyqyr!
2. Urim që i bëhej dikujt
në një rast gëzimi; gosti që bëhej për një rast të tillë. Shkuan për
shyqyr. Ditë shyqyri. Bëri shyqyr kur i lindi djali.
TUHAF
Çudi!
TUMIRËMBEÇ
Mbeç me shëndet! (si përshëndetje kur ndahemi nga një njeri). –
Unë po nisem. Tumirëmbeç!
TUNGJATJETA
Përdoret si përshëndetje kur takohemi me dikë, me kuptimin
«t’u zgjattë jeta»!
TYT
1. Përdoret për të shprehur qortim e mospëlqim kur dikush bën
ndonjë veprim të turpshëm, kur thotë ndonjë fjalë të pahijshme a
të papëlqyeshme etj. (në kuptimin «Ç’bën kështu!?», «ç’thua
kështu!?», «mos!», «hesht!, pusho!»). Tyt, s’ke turp! Tyt, mos fol
të tilla fjalë. Tyt, mos e mërzit babanë! Tyt, ç’është kjo?
2. Përdoret për të trembur e për ta bërë që të largohet një njeri,
një kafshë ose ndonjë shpend. Tyt, largohu që këtej.
U
1. Përdoret për të shprehur habi, kur ndodhemi përpara një të
papriture ose para diçkaje jo të zakonshme; ua. U, sa më
gëzove! U, sa mirë! U, nga erdhi ky? U, si qenka bërë! U, more djalë!
2. Përdoret kur kujtohemi papritur për diçka; ah. U, po! U, dale
se harrova! U, prit, se do të të jap diçka!
3. Përdoret kur shprehim dhembje ose pakënaqësi për diçka të
papëlqyeshme; uh. U, sa më dhemb! U, të shkretën! U, ta kisha
ditur më parë! U, ç’më gjeti!
UA
Përdoret kur habitemi shumë për diçka jo të zakonshme ose të
papritur. Ua, sa bukur! Ua, sa i mirë! Ua, ç’më the! Ua, si qenka
bërë! Ua, edhe ti!
UBUBU
1. Përdoret kur shprehim shqetësim a frikë përpara një të keqeje
ose kur shprehim një dhembje. Ububu, ai i mjeri! Ububu, ç’e
gjeti! Ububu, sa më dhemb!
2. Shprehje shqetësimi a frike, duke bërë «ububu».
Lëri ububutë! Nuk ndreqet puna me ububu. Nuk shkohet jeta
me ahe e me ububu.
S’e kam me ububu është diçka që nuk më shqetëson thellë,
edhe po të mos bëhet nuk prish shumë punë.
UH
1. Përdoret kur shprehim dhembje, lodhje, pakënaqësi a mërzi
për diçka të papëlqyeshme. Uh, sa më dhemb! Uh, ç’u këputa!
Uh, ç’më gjeti! Uh, ç’më mërziti! Uh, të shkretën! Uh, se plasa!
2. përd. em. Britma që del, kur shprehim dhembje, lodhje ose
pakënaqësi për diçka të papëlqyeshme. I doli një «uh». Lëri
uhet!
URDHËRO
1. Përdoret kur i përgjigjemi me mirësjellje e me nderim dikujt që
na thërret ose që na kërkon diçka; përdoret kur kërkojmë, që të
na përsëritet diçka, të cilën nuk e kemi dëgjuar mirë.
2. Përdoret kur i drejtohemi dikujt me mirësjellje e me nderim për
ta ftuar të bëjë diçka ose të marrë diçka. Urdhëro ulu! Urdhëro
fol! Urdhëro librin (të hollat). Urdhëroni një kafe.
URRA
1. Përdoret si thirrje luftarake kur hidhemi në sulm. Thirrën
«urra». Urra, përpara. Urra, mbi ta!
2. Përdoret si thirrje përshëndetjeje, miratimi ose gëzimi.
USH
Përdoret për të nxitur gomarin që të ecë ose kur duam që ai të
ndërroj drejtimin.
VAJ
Përdoret për të shprehur një hidhërim të thellë, dhembje e
keqardhje të madhe, me kuptimin «mjerë!». Vaj i shkreti! Vaj për
ty! (për të!) Vaj halli! na gjeti e keqja!, s’dimë si t’ia bëjmë! Vaj, vaj!
VAJMEDET
Përdoret për të shprehur një hidhërim të thellë, dhembje e
keqardhje të madhe, me kuptimin «mjerë!». Vajmedet ç’e gjeti!
VARDA
Përdoret për të nxitur dikë që të bëjë një punë me vrull, shpejt
e pa pushim. Varda edhe ca!
Y
1. Përdoret për të shprehur përbuzje a neveri për dikë a diçka.
Y, sa i pacipë! Y, turp të ketë!
2. Përdoret për të shprehur habi kur shohim diçka jo të
zakonshme; ua. Y, sa qenka!
YHA
Përdoret për të shprehur mospëlqim a mospërfillje për diçka.
Yha, që kur është kjo!
Yha, këtë e di gjithë bota! Yha, sa e kanë bërë këtë para teje!
YRRJA
Përdoret si nxitje për të bërë diçka me vrull; jepi.
Fjalor Pasthirrmash