FLETËRRUFETË
✤ Fletë të shkruara që vendosen në një vend të dukshëm, me anë të të cilave kritikohen hapur të rrietat, dobësitë e gabimet në punë, goditen konceptet dhe shfaqjet e huaja në jetën e përditshme ose vihen në dukje sukseset e arritura nga një kolektiv a nga një punonjës. Fletërrufetë, si një formë e re luftarake e kritikës shoqërore masive, lindën në valën e fuqishme revolucionare që shpërtheu në vendin tanë pas fjalimit të shokut Enver Hoxha të 6 shkurtit 1967. Ky ishte fillimi i një hovi të ri të lëvizjeve të mëdha revolucionare, kur nga vetë masat dolën propozime dhe nisma për të çuar përpara prodhimin, për të zhdukur nga rrënjët ideologjinë e huaj dhe për kalitjen ideologjike revolucionare të punonjësve. I gjithë populli u ngrit në këmbë duke kritikuar me guxim çdo gjë të huaj për shoqërinë tonë socialiste. Një rol të rëndësishëm luajtën në këto lëvizje revolucionare fletërrufetë, si një mjet i fuqishëm nëpërmjet të cilit masat shprehnin hapur mendimet për çdo problem. F. shërbejnë për nxitjen e kritikës së masave ndaj dukurive negative që nuk pajtohen me jetën socialiste të vendit, si dhe për rritjen e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre në zbatimin e detyrave të mëdha që shtron Partia para gjithë popullit. Ato ndihmojnë gjithashtu në luftën për edukimin komunist të punonjësve dhe për revolucionarizimin e mëtejshëm të gjithë jetës së vendit.
(Z.Al.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Fletërrufetë
[cite]