Formimi i magmës
Vullkanet, rrjedhat e lavës, gejzeret, burimet e ngrohta, fumarolat, shfryrjet e boraksit e shpërthimet sulfurore, mofetat, avujt sulfurorë etj. janë që të gjitha shfaqje të asaj që gjeologët e quajnë «aktivitet vullkanik». Aktiviteti vullkanik shkaktohet nga temperaturat e larta nën tokë. Nuk dihet me saktësi si dhe ku krijohen këto temperatura por ka të ngjarë që ato të kenë lidhje me mineralet radioaktive. Në periudha shumë të gjata kohe këto minerale shndërrohen ose zbërthehen në lëndë të tjera, duke lëshuar rrezatime dhe duke prodhuar nxehtësi, tamam siç ndodh në reaktorët atomikë. Nxehtësisë që del nga këto shndërrime i shtohet edhe ajo që vjen nga reaksionet kimike që ndodhin në koren e Tokës.
Një pjesë tjetër e nxehtësisë lind edhe nga fërkimi i shtresave të mëdha të litosferës, që shkasin dhe fërkohen me njëra-tjetrën. Mbase një pjesë e vogël e nxehtësisë vjen edhe nga bërthama e brendshme e planetit, që mund të jetë në gjendje të shkrirë. E gjithë kjo nxehtësi, si edhe shtypja e ushtruar nga pesha e shkëmbinjve, veprojnë mbi materialin e kores së Tokës. Në afërsi të sipërfaqes ky material gjendet në trajtë shkëmbinjsh dhe shkëmbi vetë është një tërësi mineralesh të ndryshme. Më në thellësi, nxehtësia dhe presioni bëjnë ndoshta që materiali të jetë në trajtë brumi; këtë lëndë të brumtë gjeologët e quajnë «magmë» dhe ajo mund të jetë e përbërë nga minerale që ne nuk i njohim. Mineralet e njohura, në të vërtetë, formohen njëri pas tjetrit, krahas ftohjes dhe ngurtësimit të magmës.