FORMIMI I MINERALEVE
Shkëmbinjtë janë të përbërë prej mineralesh, prej trupash të formuar nëpërmjet proceseve natyrore nga ato që ne i quajmë elemente: hekur, bakër, oksigjen, squfur etj. Disa shkëmbinj përbëhen pothuajse tërësisht prej një tipi minerali. Kështu, për shembull, shkëmbinjtë ranorë përbëhen kryesisht prej kuarci. Shkëmbinj të tjerë si gneiset, mund të përmbajnë, nga ana tjetër, minerale të shumta në përpjesëtime të ndryshme. Njeriu i ka shfrytëzuar mineralet qysh në epokën e gurit. Disa prej tyre, si agati, oksidiani, opali mund të jenë përdorur për zbukurim edhe nga njeriu primitiv, shumë kohë përpara se historia të fillonte të shkruhej.
Me anë të disa përpunimeve të thjeshta njerëzit mësuan të nxirrnin bakrin nga shkëmbi më shumë se pesë mijë vjet më parë dhe, që nga ajo kohë zhvillimi i shoqërisë u lidh në një masë të madhe me zhvillimin e shkencës së nxjerrjes së mineraleve nga toka, të përpunimit dhe përdorimit të tyre. Lexuesi e di se mineralet nuk kanë asgjë të mistershme, që nuk mund të kuptohet. Kimistët dhe studiuesit e mineralogjisë e dinë se si formohen pjesa më e madhe e mineraleve, se si sillen ato në kushte të caktuara dhe se si mund të veprojnë ato me njëri-tjetrin.