Formimi i Pashallëkut të Shkodrës

Formimi i Pashallëkut të Shkodrës

Nën qeverisjen energjike të Mehmet Pashës, i cili nuk la pa përdorur edhe pushtetin e vet në dobi të përforcimit të lidhjeve ekonomike të Shkodrës me krahinat e tjera, tregtarët vendas arritën të vinin në duart e tyre, me përjashtim të duhanit, gjithë tregtinë që kryenin venedikasit në bregdetin shqiptar dhe ta detyronin kapitalin venedikas të rriste kreditin në favor të tregtarëve shqiptarë, në mënyrë që mallrat e tyre të mos kalonin në skelat e tjera të Adriatikut e veçanërisht në Trieste. Por edhe këtu sa vinte e po shtohej numri i agjencive tregtare shqiptare.
Lidhjet e tregut të Shkodrës me krahinat e tjera nuk mund të kryheshin pa pengesa e rreziqe. Dihet se skelat e rrugët tregtare gjendeshin në sanxhakët fqinjë, ku rivaliteti i grupeve të ndryshme feudale për çështjen e pushtetit dhe të sipërmarrjeve të taksave, i kishte bërë këta sanxhakë fole grindjesh të vazhdueshme dhe njëkohësisht qendra të rrezikshme edhe për vetë pushtetin e Bushatllinjve në sanxhakun e Shkodrës. Kështu, bejlerët e Lezhës, që sundonin në fushën e Zadrimës, bënin pjesë në tarafin e rivalëve kryesorë të Bushatllinjve, të Begollajve të Pejës, dhe gëzonin përkrahjen luftarake të forcave mirditore të komanduara nga Gjon Marku; Toptanët e Krujës ishin lidhur me Çaushollajt e arratisur dhe kërcënonin aleatët e Bushatlliut; në gjirin e familjes së Alltunëve të Kavajës, të cilët ishin sipërmarrës të dytë të skelës së Durrësit, kishte hyrë një grindje për punë të kësaj sipërmarrjeje. Një gjendje e tillë kërkonte medoemos vendosjen e një pushteti të vetëm mbi këto krahina. Mehmet pashë Bushatlliu nuk ngurroi t’i hynte kësaj detyre me energji e zgjuarsi në kohën e luftës ruse-osmane të viteve 1768-1774.

Pasi mori pjesë me të gjitha forcat e sanxhakut në luftën kundër Malit të Zi më 1768, ai dërgoi nën komandën e djalit të madh, Mustafa Beut, një repart të fortë luftëtarësh në frontin rus në mars të vitit 1769, ndërsa një repart tjetër nën komandën e djalit të dytë, Mahmut Beut, mori pjesë në shtypjen e një kryengritjeje në More më 1770. Kështu ai mundi të fitonte besimin e Vezirit të Madh osman. Ky, pasi dënoi me vdekje Kahreman pashë Begollin e Pejës për rebelizëm dhe shpërdorim financiar, i dha Mehmet pashë Bushatlliut qeverisjen e sanxhakut të Dukagjinit dhe, nga ana tjetër, e gradoi Mustafa Beun pashë për një akt trimërie në luftë. Duke marrë zemër nga këto ofiqe, Mehmet Pasha u vërsul kundër krerëve kundërshtarë të Lezhës, të cilët i vari dhe mori në zotërim Zadrimën. Në të njëjtën kohë ai ndërhyri në Tiranë.

Kështu bëri hapin e parë drejt vendosjes së pushtetit të vet mbi këto zona, që bënin pjesë në tregun ndërkrahinor të Shkodrës.
Në vitin 1771 Mehmet Pasha bëri hapin e dytë që do të shpinte në formimin e Pashallëkut të madh të Shkodrës. Pas disfatës së flotës osmane në betejën detare të Çesmës në Detin e Zi, ai i kërkoi Portës së Lartë komandën e një armate detare, të cilën u zotua ta krijonte me forcat e veta për mbrojtjen kundër rusëve në det dhe kundër aleatëve të tyre, malazezëve, në tokë. “Për faktin se rrethanat dhe gjendja e tanishme kërkojnë vendosjen e një personaliteti të fuqishëm në krye të punës, në atë të frontit, – thuhet në dekretin përkatës të emërimit të tij si vezir, – doli urdhri i lartë mbretëror që Mehmet Pashës t’i jepet posti e grada e lartë e vezirit…, dhe të birit të tij, Mahmudit, t’i jepet sanxhaku i Shkodrës me titullin mirimiran, ndërsa djalit tjetër t’i jepet një sanxhak sikurse Elbasani”. Grada e vezirit u shoqërua me shtrirjen e kontrollit të vezirit shkodran edhe në sanxhakun e Ohrit. Për këtë ngjarje, konsulli venedikas i Durrësit njoftonte qeverinë e vet në fillim të vitit 1772, se Mehmet Pasha u bë aq i fuqishëm, sa “prej kufijve venedikas gjer nën Manastir komandon absolutisht dhe e druajnë të gjithë”.
Kështu u zgjerua pushteti i Bushatllinjve mbi trojet e katër sanxhakëve, atje ku shtrihej më e fortë rrezja e veprimit të tregut ndërkrahinor të Shkodrës. I përbërë nga sanxhakët e Shkodrës, të Dukagjinit, të Ohrit dhe të Elbasanit, qysh në vitin 1771 u krijua kështu një formacion politik i bashkuar në dorën e një pashai të fuqishëm shqiptar, Pashallëku i madh i Shkodrës.

Skela e Durrësit kishte një rëndësi po aq të madhe për tregtinë e Pashallëkut të Shkodrës sa edhe skela e Shkodrës. Mirëpo oxhaqet e Alltunëve të Kavajës dhe të Toptanëve të Krujës ishin bërë pengesë e madhe për vendosjen e rregullit dhe të qetësisë në këtë zonë të varur drejtpërdrejt nga veziri i Shkodrës. Toptanët kishin mbyllur rrugët tokësore për tregtarët shkodranë. Për më tepër, këta tregtarë si dhe lundërtarët ulqinakë nuk gjenin në skelën e Durrësit mbrojtjen e duhur. Tarafët e tabakëve dhe të terzinjve, si dhe, në radhë të parë, tregtarët e Shkodrës kërkonin me çdo kusht, bashkë me lundërtarët e Ulqinit, përmirësimin e gjendjes së krijuar në zonën Durrës-Kavajë-Krujë.

Për zgjidhjen e kësaj çështjeje urgjente e me shumë rëndësi veziri i Shkodrës bëri për vete Alltunët nga Kavaja dhe u detyrua të pajtohej me Toptanët e Krujës. Kështu u hapën rrugët tregtare dhe zona e skelës së Durrësit u fut nën ndikimin e pushtetit të Shkodrës.
Ndërkohë Mehmet Pasha, sipas premtimit të tij, kishte marrë urdhër nga Porta për të dërguar në luftë me rusët një armatë detare dhe një ushtri tokësore. Por në vend të tridhjetë anijeve të mëdha me gjashtë mijë detarë, veziri përgatiti vetëm një të tretën. Edhe këtë fuqi, që e armatosi keq, e vonoi dhe e nisi në shtator 1772 nën komandën e të birit, Mustafa Pashës, vetëm kur midis palëve ndërluftuese ishte arritur një armëpushim. Po kështu ai i ktheu në Stamboll me duar zbrazur të dërguarit e sulltanit, të cilët kishin ardhur në Shkodër për të dërguar ushtrinë tokësore në frontin rus. Veziri nxori si shkak për këtë rritjen e rrezikut malazias, sepse prijësi i Malit të Zi, agjenti rus i quajtur Stefani i Vogël, po kërcënonte Podgoricën.

Në këtë mënyrë veziri Bushatlli i shkeli urdhrat perandorakë dhe zotimin e tij lidhur me luftën për të rregulluar punët e veta. Që të siguronte kufirin verior nga sulmet e kuçasve mbi fushën e Podgoricës dhe që të pengonte bashkimin e tyre me Malin e Zi, Mehmet Pasha u propozoi atyre të largoheshin me të mirë nga malet ku jetonin dhe të zgjidhnin brenda pashallëkut një truall tjetër për banim. Kur ky propozim nuk u pranua prej kuçasve, ushtria shkodrane hyri në muajin maj 1774 në Kuç dhe shkaktoi dëme të mëdha me qëllim që ta bënte të pabanueshëm, por edhe pas kësaj ekspedite kuçasit nuk iu nënshtruan.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes së Kyçyk Kajnarxhes, Porta e Lartë, e çliruar nga barra e luftës, e drejtoi vëmendjen nga Pashallëku i Shkodrës, kreu i të cilit po bëhej tepër i fuqishëm dhe i rrezikshëm. Mjeti më i mirë për ta neutralizuar ishte ndezja e armiqësisë me oxhaqet më të fuqishme kundërshtare.
Mehmet pashë Bushatlliu, duke ofruar 9 000 qese groshë për të marrë në sipërmarrje haset e sulltanit në Myzeqe, kishte dalë si rivali kryesor i Ahmet Kurt pashës së Beratit. Kurse ky ishte rival i Bushatlliut në sipërmarrjen e taksave të skelës së Durrësit dhe për komandën e zonës që përfshinte kjo sipërmarrje, e cila shtrihej gjer në afërsi të Lezhës.
Megjithëse veziri i Shkodrës paraqiti një ofertë më të madhe, motra e sulltanit, që e administronte dhe merrte të ardhurat e kësaj skele si sipërmarrëse e parë, pranoi ofertën e sundimtarit të Beratit. Mehmet pashë Bushatlliu vendosi të mos bindej. Kur Ahmet Kurt pasha, në prill të vitit 1775, hyri me 12 000 ushtarë në maliqanenë e Durrësit, veziri i Shkodrës dërgoi kundër tij ushtrinë shkodrane të komanduar nga dy bijtë e vet. Me këtë veprim filloi hapur konflikti me Stambollin dhe me veglën e tij, Ahmet Kurt pashën.

Më 14 korrik 1775 vdiq veziri plak i Shkodrës. Porta e Lartë emëroi në vendin e tij një besnik të saj, vezirin Mehmet pashë Kystendilin, dhe urdhëroi Ahmet Kurt pashën të hynte në zonën e Durrësit. Mirëpo ky vendim nuk përputhej me interesat e Bushatllinjve dhe të ajanëve aleatë të tyre në atë zonë. Aq më pak ai nuk pajtohej me interesat e tregtarëve shkodranë, të lundërtarëve ulqinakë si dhe të tregtarëve të tjerë të Veriut të Shqipërisë, që do të humbisnin përkrahjen e Bushatllinjve dhe monopolin e tregtisë së vendit.
Në kundërshtim me pushtetin qendror, ajanët shkodranë e fqinjë të grumbulluar në Shkodër u betuan të mos i bindeshin vezirit nga Kystendili dhe vendosën ta ndalnin me luftë hyrjen e Ahmet Kurt pashës në zonën e Durrësit. Ata zgjodhën Mustafa pashë Bushatlliun për komandant të ushtrisë shkodrane.

Më 12 shtator të vitit 1775 kjo ushtri prej 14 000 vetash u ndesh me forcat e Ahmet Kurt pashës në afërsitë e Peqinit, por u thye keqas duke humbur 4 000-5 000 veta, ndër të cilët ishte edhe kreu ushtarak mirditas Gjon Marku me 60 veta.
Pas kësaj disfate Porta e Lartë vendosi t’i shfaroste Bushtallinjtë dhe të nënshtronte përkrahësit e tyre. Për këtë qëllim ajo organizoi dy ekspedita ndëshkimore kundër tyre, duke ngritur më këmbë oxhaqet kundërshtare të Bushatllinjve, të cilat i vuri nën komandën e vezirit, Mehmet pashë Kystendilit. Në këto ekspedita morën pjesë Ahmet Kurt pasha, Çaushollajt, Toptanët dhe agallarët e Ishmit. Ndërsa ekspedita e parë pësoi disfatë, e dyta nuk u realizua gjer në fund, sepse paria shkodrane i mbeti besnike Bushatllinjve. Porta e Lartë, pasi kishte shpallur luftën me Persinë, pranoi t’i falte rebelët shkodranë duke e kufizuar pushtetin e tyre vetëm në sanxhakun e Shkodrës dhe duke i detyruar ata të paguanin një dëmshpërblim prej 2 000 qesesh.
Pashallëku i Shkodrës u gjymtua rëndë, por vetëm përkohësisht. Ndërkaq mbetën shkaqet ekonomike e shoqërore që kërkonin një pushtet vendor të fortë e të përqendruar.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]