FRAZEOLOGJIA E GJUHËS SHQIPE
✤ Njësi frazeologjike të gjuhës shqipe ose togje të qëndrueshme fjalësh, të formuara historikisht, kryesisht me kuptim të figurshëm të njësUar, me vlerat e funksionet e një fjale të vetme e me gjymtyrë të ngurosura nga trajta, nga rendi etj. (si kokë e mad’ne, lis me dega, qiqra në hell, e theu qafën, me krahë hapur etj.). F. e Gj.Sh. përbën një pasuri të madhe të mjeteve të shprehjes, që sjellin nuanca kuptimore e ngjyrime emocionale të veçanta dhe që i japin forcë, shprehësi e bukuri ligjërimit. Në fjalorët e sotëm të shqipes frazeologjia jepet e shpjeguar në paragrafë të veçantë.
Frazeologjia gjuhësore është krijim kryesisht i ligjërimeve popullore dhe përdoret me vlera stilistike në të folur e në të shkruar, sidomos nga shkrimtarët, gazetarët, përkthyesit e veprimtarët e tjerë. Ajo shpreh, më shumë se mjetet e tjera, veçantitë e gjuhës sonë. Si fushë studimi përfshihet në leksikologjinë shqipe. Studimet sistematike e më të thelluara në këtë fushë janë kryer sidomos dy dhjetëvjeçarët e fundit. Një studim për problemet e kësaj fushe në shqipe përbën monografia «Çështje të frazeologjisë së gjuhës shqipe» (1981) hartuar nga J.Thomaj. Është mbledhur dhe botuar një lëndë e gjerë nga F. e Gj.Sh. (J.Th.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Frazeologjia E Gjuhës Shqipe