Gërryerje dhe ekuilibër

Pavarësisht nga roli që luan nxehtësia në lëvizjet e kores së Tokës, edhe gërryerja është një shkak që duhet marrë parasysh. Një shekull më parë Xhejms Holli, një gjeolog i apasionuar, pohoi se në disa zona litosfera paraqiste ulje të dukshme, ose më mirë, që ajo kishte pësuar përkulje për shkak të peshës së ushtruar nga mbeturinat e përftuara nga gërryerja. Duke e marrë dymbëdhjetë kilometra thellësinë e shkëmbinjve fundërresorë të maleve Apalashe, ky gjeolog shprehu bindjen se një shtresë kaq e trashë fundërresash mund të grumbullohej vetëm në rast se toka zhytej vazhdimisht me rritjen e peshës së fundërresave.
Disa vjet më vonë një gjeolog tjetër, që u nis nga ky zbulim, nxori teorinë e tij të lëvizjeve të kores së Tokës. Dora-dorës që mbeturinat e gërryerjeve grumbullohen në gropat e tokës, fundi i këtyre gropave synon të ulet duke formuar ultësira dhe duke krijuar një prishje të ekuilibrit midis pjesëve të ndryshme të kores. Një shembull shumë i qartë për këtë është zhytja e gjirit të Meksikës nën deltën e Misisipit. Por, shton autori i kësaj teorie, kjo shtypje e drejtuar poshtë synon të ngrejë lart dhe të shtyjë anash pjesë të tjera të kores. Gjatë miliona vjetëve këto lëvizje ushtrojnë një ndikim të rëndësishëm për ta mbajtur koren, si një të tërë, në ekuilibër. Kjo ndofta shpjegon edhe se në ç’mënyrë formohen malet. Një proces i tillë përshkruar nga kjo teori, quhet izostazi, që rrjedh nga dy fjalë greke me kuptimin «baras» (izo) dhe «pozicion» (stasia), dhe që është marrë parasysh pothuajse në të gjitha studimet gjeologjike për më se një gjysmë shekulli. Teoria e izostazisë u pasua nga teoria e rravgimit të kontinenteve, me të cilën do të merremi edhe më tej. Me këtë teori shkencëtari Vegener shpjegoi prejardhjen e kontinenteve dhe të oqeaneve, si edhe formimin e vargmaleve. Sipas Vegenerit, për shkak të çarjes së një blloku të madh dhe të largimit të pjesëve të ndryshme, lëvizjet rravguese të masave kontinentale kanë shkaktuar formimin e palave të mëdha dhe ngritjen e vargmaleve në ballin e secilës nga këto masa. Por edhe teoria e rravgimit të kontinenteve kishte disa pika të dobëta dhe, njëlloj si të tjerat, nuk i kënaqi plotësisht shkencëtarët. Ka mundësi që ftohja e kores, rrymat e konveksionit dhe gërryerja luajnë secili rolin e vet, bile mund të ekzistojnë edhe shkaqe të tjera, që deri tani janë të panjohura. Janë grumbulluar teori të ndryshme dhe studimet vazhdojnë, por gjeologët thonë se kanë mbetur akoma pa përgjigje pyetjet më të rëndësishme lidhur me formimin, me prejardhjen e nxehtësisë si dhe me shkaqet e lëvizjes së kores tokësore.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]