GDHENDJA E DRURIT
✤ Mjeshtëria për zbukurimin me gdhendje të orendive, enëve e sendeve të tjera dhe të pjesëve prej druri të banesave e mjediseve të tjera. Ka tradita të lashta në artin popullor shqiptar. U zhvillua sidomos në viset kodrinore e malore të pasura me pyje. Në zanafillë ishte mjeshtëri e barinjve. Kërraba e bariut, lugët, furka, veglat muzikore, djepat, kutitë, rrathët ekëmhorëve etj., i punonin me plot zbukurime barinjtë. Si mjeshtëri shtëpiake plotësonte nevojat e jetës familjare, sidomos në dimër gdhendnin arka nusesh, tavanet, enë e orendi të ndryshme. Motivet ishin nga dukuritë etnografike të krahinës ose simbole të mitologjisë popullore shqiptare, e sidomos nga natyra: lule, gjethe, bimë e crurë të natyrës, kafshë si: sorkadhja, dhia e egër, gjarpri, dashi, kau, kali si dhe dielli, hëna, yjet, përfytyrime të ndryshme mitike. Nga shek. XIX edhe në viset malore kishte disa gdhendës profesionistë të drurit.
Punimi artistik i drurit si profesion u zhvillua në disa krahina. Mjeshtrat e përmendur dibranë, të Shpiragut (Beratit), ata të Shqipërisë JL (koniciotët) e ngritën artin e gdhendjes së drurit në shkalië shumë të lartë dhe krijuan vepra të vërteta artistike. Këto tri krahina krijuan stile të veçanta të gdhendjes. Njihen mjeshtrat nga Gryka e Madhe, Golloborda e Reka, por edhe nga Tetova e Çermenika që kanë punuar në Shqipërinë Veriore, në Kosovë e në Jug deri në Korçë. Dallohen ndër ta dy grupe. Grupi i parë ishte specializuar në punime tavanesh, trapezanesh, verandash e ballkonesh, dyersh etj. Në motivet zbukuruese mbizotëron gjethi i lisit, po ka dhe motive të tjera bimore gjeometrike apo figura të stilizuara nga natyra a mitologjia. Si material shërbeu më tepër druri i pishës.
Veprat e tyre i gjejmë në Shkodër, Dibër, Prizren, Gjakovë, Prishtinë. Grupi i dytë u mor kryesisht me punime ikonostasesh (shih) e me zhukurime në objekte kulti. Kjo mjeshtëri lulëzoi në shek.XVIII-XIX me arritje të shënuara edhe në Kosovë, Dibër të Madhe, në Maqedoni e në vise të tjera të Ballkanit. Temat e zbukurimeve në obiektet e kultit më tepër ishin biblike e nën ndikimin e artit bizantin, të gërshetuara edhe me skena realiste, me motive të natyrës e të jetës shqiptare. Në dy ikonostase të kishave në Maqedoni mjeshtrit artistë kanë bërë portretet e tyre kolektive, veshur me kostum dibrani, të tjerë kanë vënë dhe emrat e tyre duke cilësuar se janë: «dibranë», nga «Dibra» nga «Reka e Dibrës». Mjeshtrat e Shpiragut punuan kryesisht në Berat, rrallë duket ndonjë punim i tyre në Tiranë e Gjirokastër. Bënë dekore banesash: skalitje tavanesh, korniza druri për mure. Më tepër punuan me dru vidhi. Përdorën motive vegjetale, figura të stilizuara, thurje me gërshetime, gonxhe trëndafilash të porsaçelur.
Mjeshtrat e Shqipërisë JL punuan kryesisht ikonostase në Shqipërinë e J e në Greqi. Veprat e tyre më të njohura janë ikonostasi i Korçës, i Erindit, i Leusës, i Sopikut etj. Punuan kryesisht në dru arre. Dallohen për thellësi të madhe e tejshpime në punimet e veta. Motivet e tyre janë gjethe, gjallesa e skena me origjinë biblike dhe arritën një përsosmëri të lartë artistike. Shumë të përmendur kanë qenë mjeshtrit tavanxhinj1 të Gorës (Korçë), me emër ishin lahutat e punuara në Malësi të Madhe apo karriget e punuara në Mirditë. Në disa krahina për punimet në dru u përdor një çark primitiv origjinal vendës, si në Iballë (Pukë), në Dukagjin etj.
Nga fundi i shek.XIX e këtej arti i punimit artistik të drurit u zhvillua dhe në qytete si në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Prizren, Gjirokastër. Bëheshin pipa, çibukë, krehra, djepa, kupa me motive të thjeshta duke futur aty, krahas skalitjes dhe ngjyrat. Në skalitje përdoren dhe mjete gjysmë të mekanizuara siç ishte çarku dhe vegla të tjera të kohës. Nga fillimi i këtij shekulli dolën thuajse në çdo krahinë mjeshtra të rinj profesionistë.
Tradita popullore e punimit dhe e gdhendjes së drurit është ruajtur e po përtëritet sot sidomos në prodhimet artistike (shih). Ndërmarrjet e prodhimeve artistike prodhojnë shumë artikuj të ndryshëm e orendi prej druri të gdhendur, si dhe mobilje artistike. Veç lëndëve drusore tradicionale ka filluar të përdoret për gdhendje edhe druri i ullirit. Vazot, kupacat, stolat, buljerat, bucelat, kompozimet skulpturore me figura etj. punohen edhe mbi forma të përgatitura. Relievi i gdhendjes mund të jetë i cekët ose i thellë, me zbukurime të ndryshme, me motive nga bota bimore, me figura gjeometrike, me figura njerëzish etj. Prodhimet artistike prej druri të gdhendur plotësojnë nevojat e vendit dhe një pjesë e madhe eksportohen.
(M.Ti.—Ç.H.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gdhendja E Drurit