Gjethet e pemëve drusore Llojet e ndryshme të pemëve dallohen ndërmjet tyre më shumë nga forma e gjetheve se sa nga forma e përgjithshme e trupit. Në fakt gjethet e një lloj druri kanë një formë që ndryshon nga ajo e gjethes së një lloji tjetër. Gjethet e drurëve kanë forma e veçori të ndryshme. Ato mund të jenë: të ngushta ose të gjera, të lëmuara ose me push, me anë të plota ose me anë të dhëmbëzuara. (si dhëmbët e një sharre), të thjeshta ose të përbëra etj. Gjethet e një druri ndryshojnë nga ato të një druri tjetër edhe nga mënyra e degëzimit të dejeve që i përshkojnë ato. Ka gjethe në të cilat dejet nisen nga një pikë e bazës së saj dhe përhapen në sipërfaqe si gishtrinjtë e një dore të hapur. Ky lloj dejëzimi quhet pëllëmbor. Ka edhe gjethe që kanë një dejëzim tjetër, të quajtur dejëzim pendor, sepse dejet e tyre, duke filluar nga delli qendror, degëzohen në të dyja anët si pendët e një zogu. Gjethet lidhen me degët e pemëve me anën e një bishti që mund të ketë formë cilindrike ose të shtypur, të sheshtë etj. Gjethet me bisht të sheshtë tunden lehtë. Është kjo arsye që gjethet e plepit. të egër tunden edhe kur fryn vetëm një fllad i lehtë. Gjethet ndryshojnë edhe nga mënyra e vendosjes së tyre në degët e pemës. Në disa pemë, si p.sh. te panja, ato janë të vendosura përballë njëra- tjetrës, ndërsa te katalpa e zakonshme, e cila është një bimë me prejardhje nga zonat tropikale e që në Evropë përdoret si bimë zbukurimi, janë të vendosura tre e nga tre në çdo qerthull.