Organet e një bime drusore       Çdo bimë drusore përbëhet nga dy pjesë kryesore: nga pjesa nëntokësore dhe nga ajo mbitokësore ose ajrore, Pjesën nëntokësore të një bime e përbën sistemi rrënjor i saj, Rrënjët e bimës futen thellë në tokë, duke u degëzuar ashtu si degëzohen edhe degët e trungu. Sa më tepër që ato largohen nga trungu rrënjor, prej të cilit dalin, aq më shumët hollohen dhe bëhen të brishta.

Degëzimet që ndodhen në anët e sistemit rrënjor, janë të mbuluara, me një numër të madh qimesh thithëse. Me anën e këtyre qimeve, bima thith nga toka ujin dhe kripërat e ndryshme minerale të tretura në të, që i nevojiten për të ushqyer të gjitha pjesët që e përbëjnë, për t’u rritur e për t’u zhvilluar.

          Mbi sipërfaqen e tokës ngrihet trungu i bimës, që mbulohet nga një lëvore e posaçme, e cila në shumë bimë është e plasaritur. Nën lëvore, në drurin e pemës, ndodhen të vendosura në «tufa enët përcjellëse, brenda të cilave lëvizin lëngjet ushqyese ose limfa. Këto lëndë kalojnë degë me degë, në të gjithë trupin e pemës, e përfundojnë te gjethet, te lulet e te farat e saj.  Trungu i pemës, duke u degëzuar,- formon atë që quhet kurorë e pemës, e cila përbëhet nga lastarët e njomë, nga gjethet e nga gonxhet e luleve. Ndërmjet gjetheve të pemës shpërthejnë lulet që, në disa lloje drurësh, janë të dukshme si p.sh. te molla, ndërsa, në disa lloje të tjera, si p.sh. te vidhi, nuk bien pothuaj fare në sy.

 

Në botën e bimëve

[cite]