GOSTIVARI


GOSTIVARI
✤ Qytet, qendër e komunës me të njëjtin emër në R.S. të Maqedonisë. Shtrihet në pjesën e sipërme të luginës së Pollogut dhe zë pozitë të rëndësishme ndërmjetëse në rrugën që lidh rajonin e Tetovës dhe të Shkupit me Ohrin dhe qendrat e tjera rreth tij. Sipas regjistrimit të v.1981 në komunën e G. jetonin 63 000 shqiptarë dhe 18 000 maqedonas. G. është vendbanim i lashtë. Në gjysmën e parë të shek.XVI përmendet si qendër banimi qytetare relativisht e zhvilluar. Më pas, si rezultat i pozitës së favorshme gjeografike, qyteti rritet më shumë. Lidhjet kryesore ekonomike-tregtare deri më 1912 G. i kishte me rajonin e Tetovës, të Shkupit dhe me Ohrin, Korçën e Elbasanin. Pushtimi ushtarak serb i v.1912 dhe ripushtimi më 1918 keqësoi gjendjen e popullsisë shqiptare të G. dhe të rrethit të tij. Asaj iu mohua çdo e drejtë kombëtare dhe u detyrua të shpërngulej në masë në Turqi. Në prill 1941 G. dhe fshatrat rreth tij u përfshinë në zonën italiane të pushtimit. Popullsia e G. dhe e rrethit të tij mori pjesë aktive në Lëvizjen ANÇ. Brigada VII e UNÇ të Maqedonisë përbëhej kryesisht nga shqiptarë të Gostivarit, Tetovës. Dibrës, Kërçovës etj.

Pas Luftës II Botërore G. mbeti një nga komunat më të prapambetura të RS të Maqedonisë, pa ndonjë objekt të rëndësishëm industrial. U ndërtuan disa fabrika, në pjesën më të madhe të ind. së lehtë, kryesisht tekstile. Ka të zhvilluara disa degë tradicionale të artizanatit si punimin e qilimave etj. Në dhjetor 1983 në Gostivar kishte më se 3500 veta të regjistruar pa punë. Një numëi’ i madh banorësh të qytetit dhe sidomos të fshatrave ‘përreth janë larguar jashtë Jugosllavisë si emigrantë ekonomikë. Deri në vitin 1981 në G. zhvillonin veprimtari disa shoqëri kulturore-artistike amatore shqiptare, midis të cilave dallohej shoqëria «Besa». Pas vitit 1981 shoqëritë kulturore shqiptare u shpërndanë.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gostivari


[cite]