Grigori i Durrësit
shqiptar ortodoks Grigori i Durrësit (1701-1769) mendohet se ka lindur në vitin 1701 në Voskopojë. Ai studioi në “Akademinë e re” dhe më vonë u bë profesor i saj. Më 1740 qethet murg në Venedik, ku mësoi zanatin e tipografit prej shtypshkruesit venedikas Nikolaos Glykys. Pas katër vitesh më 1744, Grigori ka themeluar shtypshkronjën e Voskopojës, të cilën e ka drejtuar deri në shkatërrimin e saj më 1764. Ai ishte klerik me kulturë të gjerë dhe autor i librave të ndryshëm fetarë. Studjuesi Zabiras mendon se Grigori ka shkruar një akoluthi të Shën Naumit, ka hartuar parathënien dhe megalinaret në akoluthinë e Nikodhimit etj. Nga formulat që gjenden në ballinat e veprave Grigori përmendet për herë të parë në vitin 1731 si “më i dituri dhe më i nderuari murg klerik”, ndërsa prej vitit 1740 shfaqet si prift dhaskal (hierodhaskalos). Prej të dhënave të fundit kuptojmë se ai ka dhënë mësim në “Akademinë e Re”. Grigori ka përkthyer në shqip Dhiatën e Vjetër dhe të Re, duke përdorur një alfabet të shpikur nga ai vetë para vitit 1772. Përkthimet e tij fatkeqësisht kanë humbur. Pas suprimimit të Patriarkanës së Ohrit më 1768, ai u caktua nga Patriarkana Ekumenike e Kostandinopojës si Mitropolit i Durrësit. Grigori mendohet të ketë vdekur në Venedik më 1769.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Max Demeter Peyfuss, Shtypshkronja e Voskopojës 1731- 1769, Shtëpia e librit dhe e komunikimit, Tiranë 1996.