Gropa dhe humnera
Fundi oqeanik, në thellësi 7500 metra e tutje, paraqet humnera të gjata e të gjera, të ngjashme në përmasa e në forma me luginat e mëdha të lumenjve si Misisipi, Danubi, Rio e Amazona. Mbase shkaku i krijimit të këtyre humnerave janë rrymat e turbullta. Më të thella nga të gjitha janë humnerat e mëdha që gjenden gjithnjë afër sistemeve të vargmaleve nëndetare. Nga më të gjatat dhe më të thellat është ajo që gjendet në afërsi të ishujve Marian, të Filipineve, Aleutineve dhe Antileve të Vogla. Kohët e fundit me ndihmën e një batiskafi është arritur deri në fundin e humnerës së Marianeve, në thellësinë 10 915 metra.
Këto humnera në formë V, të gjera në fund disa kilometra, mund të zgjaten për mijëra kilometra. Siç u pa në rastin e humnerës së Marianeve, disa arrijnë thellësinë mbi 10 000 metra. Një nga humnerat më të mëdha është ajo që shtrihet për 3200 kilometra gjatë bregut perëndimor të Amerikës Jugore, nën hijen e Andeve. Humnerat duken sikur janë gërryer në fundin e detit për të siguruar materialet e nevojshme për ndërtimin e vargmaleve fqinjë. Dhe kjo, në njëfarë kuptimi, është mbase tamam ajo që ka ndodhur. Në zonat që gjenden ndërmjet vargmaleve dhe këtyre humnerave të thella, toka është jashtëzakonisht e shqetësuar; këtu vihen re tërmetet më të fuqishme dhe lëvizjet më të papritura të fundit të detit, që shkaktojnë tërmetet e mëdha nëndetare. Një numër i madh i vullkaneve të epokës gjeologjike të sotme gjenden pikërisht afër humnerave të Oqeanit Paqësor.