Grupet etno-kulturore neolitike

Grupet etno-kulturore neolitike

Numri i konsiderueshëm i vendbanimeve neolitike të zbuluara në tërë territorin e Shqipërisë si edhe përkatësia kohore e tyre nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm, të vonë, duke përfshirë dhe epokën e bakrit, e bëjnë të mundur të veçojmë disa grupe kulturore dhe ta ndjekim zhvillimin e kulturës pa ndërprerje nga fillimet e mijëvjeçarit të shtatë e deri në fund të mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Neoliti i hershëm, përfaqësohet nga Vlushi, Podgoria I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I e II. Vendbanimi i Vlushit karakterizohet nga një qeramikë trashanike ngjyrë gri të zezë, me forma tepër të thjeshta e me pak zbukurime të bëra me shtypje. Qeramika gjendet së bashku me vegla pune prej stralli tipike mezolitike, ndaj Vlushi i takon periudhës kalimtare nga mezoliti në neolit.
Kultura Podgorie I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I, II, të cilat janë njohur e studiuar mirë, i takojnë neolitit të hershëm të zhvilluar. Kjo periudhë në territorin e Shqipërisë Juglindore është dokumentuar nga kultura Podgorie I. Falë një shtrese kulturore të trashë rreth 3 m e mjaft të qartë, në Podgorie, dhe të një lënde shumë të pasur arkeologjike mund të rindërtohet tabloja e asaj kulture, e cila karakterizohet nga qeramika njëngjyrëshe e kuqe me shkëlqim, nga qeramika e pikturuar me bojë të bardhë mbi sfond të kuq si edhe nga figurat steatopigjike prej balte e tryezat e thjeshta të kultit, të cilat i vënë në raporte të drejtpërdrejta kulturore e kronologjike me neolitin e hershëm të Thesalisë (faza Presesklo e pjesërisht Protosesklo), si edhe me neolitin e hershëm të Maqedonisë (Vrshnik-Anzabegovo Ib, c). Elementet e tjera të pranishme në Podgorie I, si qeramika impreso e tipit të Devollit e ajo e tipit adriatik, si edhe qeramika barbotine e sheshtë e vënë atë në lidhje me kulturat e neolitit të hershëm adriatik e ballkano-qendror.

Kultura përfaqësuese e Shqipërisë Verilindore, Kolshi I ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikën impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudnikun (Rudniku III) në Kosovë dhe me gjithë kulturat e fazës Starçevo II b të Ballkanit Qendror. Blazi I e II në zonën e Matit ka qeramikë të tipit impreso-kardium me motive të ndryshme, si edhe qeramikë njëngjyrëshe gri e të zezë me shkëlqim që i japin kulturës së këtij vendbanimi shpellor karakterin adriatik lindor (Smilçiç I).

Kalimi nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm shënon një kthesë në të gjithë zhvillimin kulturor të territorit të vendit tonë, gjë që është pasqyruar mjaft qartë në kulturat Dunavec I – Cakran Blaz III, të cilat përfaqësojnë dhe tri fazat kryesore të zhvillimit të neolitit të mesëm në Shqipëri. Tipar themelor për të gjitha fazat e kësaj periudhe është qeramika ngjyrë gri, gri e zezë dhe e zezë me sipërfaqe të lëmuar me ose pa shkëlqim, si edhe qeramika barbotine e impreso të trashëguara nga neoliti i hershëm. Qeramika shquhet për një larmi formash ku mbizotërojnë kupat bikonike me variante të ndryshme, tasat trung konikë me fund të lartë, enët me trup sferik me profile të ndryshme etj. Qeramika e neolitit të mesëm dallohet edhe për pasurinë e zbukurimeve të bëra me incizim e thellim, hera-herës të inkrustuara me bojë të kuqe ose të bardhë, për zbukurimet plastike variantesh të ndryshme, për zbukurimin me kanelyra, me pikturim etj.
Çdo njëra nga tri kulturat përfaqësuese ka tiparet dhe veçoritë lokale që burojnë nga diferencat në kronologjinë relative si edhe nga pozita gjeografike, nga raportet e lidhjet që ato kishin me kulturat fqinje.

Faza Dunavec I që përfaqëson shtresën më të hershme të neolitit të mesëm është e lidhur me ekzistencën e një vendbanimi palafit, i cili, sot për sot, është më i hershmi në territorin e Ballkanit. Në Dunavecin I, krahas qeramikës së zezë të cilësisë shumë të mirë vazhdoi të përdorej gjerësisht qeramika barbotine me reliev të zhvilluar, traditë kjo e neolitit të hershëm Starçevian. Por tonin kulturës së Dunavecit I ia jepnin format e reja të enëve të zbukurimit në reliev, zbukurimet me incizim e ngulitje, zbukurimet me kanelyra, pikturimi gri etj.
Gjatë Dunavecit II, krahas elementeve që u trashëguan nga periudha paraardhëse, që edhe këtu përbëjnë shumicën, ka edhe një tog elementesh të reja që e veçojnë atë si një fazë më vete. Zbukurimi në reliev njeh zhvillimin e tij më të gjerë, po ashtu bëhet tipik zbukurimi me gërvishtje i llojit adriatik, kanelyra përmirësohet cilësisht dhe, krahas pikturimit gri, del edhe qeramika e pikturuar me bojë të kuqërremtë. Në këtë fazë shfaqen edhe fragmentet e para të qeramikës dyngjyrëshe kuq e zi.

Cakrani dhe Dunaveci II kanë përputhje të plotë kulturore e kronologjike. Për t’u shënuar është gjetja në Cakran e disa fragmenteve enësh të pikturuara dhe në Dunavec II e një fragmenti, të cilat janë të importuara nga kultura Thesalike e Diminit të hershëm (faza Tsangli). Ato japin një datë të saktë për ekzistencën e njëkohshme të Cakranit e të Dunavecit II me Tsanglin dhe në të njëjtën kohë dëshmojnë për zhvillimin e këmbimit midis trevave tona me Thesalinë. Edhe kultura e Kolshit II në territorin e Shqipërisë Verilindore gjen përputhje të plotë me atë të Cakranit.
Faza fundore e neolitit të mesëm është dëshmuar nga Blazi III në territorin e Shqipërisë së brendshme qendrore. Ajo karakterizohet nga qeramika ngjyrë gri, gri e zezë e ngjyrë kafe e zbukuruar me motive linearo-gjeometrike e spiralike, të cilat janë elemente karakteristike për kulturat danilike të bregdetit dalmatin. Krahas tyre ka edhe enë të zbukuruara me ornamente me vija të thelluara, të cilat mjaft mirë e vënë këtë fazë të neolitit të mesëm në raporte kulturore e kronologjike me kulturën Lisiçiç (Hvar I) të neolitit të vonë të Adriatikut.

Kulturat e neolitit të mesëm të vendit tonë kanë edhe disa tregues të rëndësishëm të kultit e të botës shpirtërore. Si shfaqje e re dhe kryesore janë ritonet, enë jo të zakonshme me katër këmbë me grykë vezake të vendosur pjerrtas me një dorezë të madhe në pjesën e sipërme të trupit dhe të lyera me bojë të kuqe. Këto ritone sipas mendimit të shumë studiuesve duhet të kenë shërbyer në ceremoni rituale kushtuar kulteve të rëndësishme, siç është ai i pjellorisë së tokës, i nënës së madhe, kulte që ishin të lidhura me riprodhimin e jetës, me pjellorinë e tokës e të bagëtisë, të cilat ishin degët bazë të ekonomisë.

Një kult tjetër i epokës neolitike është ai i varrimit të fëmijëve në vendbanim, të vendosur në pozicion kruspull, dëshmi e një flijimi për vetë vendbanimin.
Kalimi nga periudha e neolitit të mesëm në neolitin e vonë është bërë shkallë-shkallë, gjë që provohet nga kultura e vendbanimeve të Dërsnikut, të Barçit II dhe të Maliqit I (Kamnik) ku disa tregues të kulturës vazhdojnë edhe gjatë neolitit të vonë, madje zhvillohen më tej dhe bëhen karakteristike. E tillë është qeramika me tone të çelëta e punuar me kujdes dhe e pikturuar me ngjyra të ndryshme, me motive të larmishme linearo-gjeometrike dhe meandro-spiralike. Kjo qeramikë krijon efekte shumë të ngjashme me qeramikën e neolitit të vonë të Thesalisë, që njihet arkeologjikisht si faza e Diminit klasik. Këto elemente kulturore luajtën një rol të rëndësishëm në formimin e kulturës së neolitit të vonë të vendit tonë.
Fazën finale të epokës së gurit të ri ose siç quhet ndryshe epoka e bakrit, e përfaqësojnë tri vendbanime me një vijimësi kulturore e kronologjike: Burimasi, Maliqi II a dhe Maliqi II b. Kultura e tyre karakterizohet nga përsosja e veglave të strallit, e veglave me gur të lëmuar dhe e atyre prej kocke e briri, si dhe dalja e veglave të para prej bakri (sëpata të tipit daltë, biza e grepa peshkimi), të cilat për shkak të cilësisë së butë të bakrit nuk mundën të zëvendësonin veglat e traditës neolitike.

Tiparin themelor të kësaj faze e përbën qeramika, e cila dallohet për cilësinë e punimit të saj, për larminë e formave të enëve, për ngjyrën e zezë e gri të zezë shpeshherë me shkëlqim, si edhe për zbukurimet e shumëllojshme (me pikturim gri, me bojë të bardhë ose të kuqe, me incizim, me ornamente plastike apo kanelyra etj.). Kultura shquhet edhe për një pasuri e larmi objektesh kulti, si figura antropomorfe e zoomorfe, tavolina kulti e objekte të tjera të karakterit ritual.
Kultura neolitike e vendit tonë u zhvillua në lidhje e marrëdhënie të ngushta me kulturat bashkëkohëse të vendeve fqinje, si me kulturën Crnobuki-Shuplevac të Pelagonisë, me kulturën Rahmani të Thesalisë dhe me kulturat egjeane të bronzit të hershëm.

Të dhënat e deriatëhershme dëshmojnë kështu se kultura neolitike në vendin tonë zhvillohet pa ndonjë ndërprerje dhe mbi një bazë autoktone. Njohuritë e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar se cilët ishin përfaqësuesit e grupeve apo të komplekseve më të gjera etnokulturore ballkanike të kësaj kohe. Mendimet e ndryshme sipas të cilave këto mund të kenë qenë ose jo popullsi indoevropiane mbeten ende të diskutueshme, sa kohë që të dhënat gjuhësore nga fusha e toponimisë së lashtë të Ballkanit është vështirë të përputhen me siguri me të dhënat arkeologjike. Në këto rrethana, banorët e kësaj lashtësie të largët, këto grupe kulturore ka shumë gjasë t’i takonin një popullsie paleoindoevropiane.

Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti

 

[cite]