Hibridizimi te bimët perimore  Hibridizimi është kryqëzimi ndërmjet dy varieteteve të një lloji. Këto varietete zgjidhen në mënyrë të tillë që të jenë të largëta, që të paraqesin ndryshime për sa u përket karakteristikave e cilësive që i dallojnë. Kryqëzimi realizohet në këtë mënyrë: vezorja e lules së një varieteti pllenohet me pjalmin e lules së një varieteti tjetër. Farat e frutave që krijohen nga një kryqëzim i tillë, pasi seleksionohen, pasi zgjidhen me kujdes, mbillen. Bimët që dalin janë bimët hibride. Nëse ato paraqesin karakteristika të mira, atëherë shtohen, riprodhohen dhe hyjnë në prodhimin e gjerë.    Bimët hibride në përgjithësi kanë tregues cilësorë më të mirë se ato të prindërve, nga kryqëzimi i të cilëve janë prodhuar. Ato kanë rendiment më të lartë prodhimi, vlera ushqimore më të mira etj. Shkencëtarët, agronomët dhe bujqit me përvojë, me anën e hibridizimit e të seleksionimit kanë arritur të krijojnë varietete të reja perimesh me tregues të lartë cilësorë dhe që u përshtaten më mirë kushteve të klimës e të tokës së një zone të caktuar. Kështu, p.sh., sot ekzistojnë shumë varietete të një lloj perimeje. Vetëm te lloji i karotës numërohen disa dhjetëra varietete, çdonjeri prej të cilave ka karakteristikat e cilësitë e tij fiziologjike e ushqimore.

 

Në botën e bimëve

[cite]