Historia e një liqeni

Kepi Kod, kjo gjuhëz e Masaçusetsit (Shtetet e Bashkuara), që zgjatet në Atlantik, është e përbërë nga rëra dhe argjila e lënë gjatë shkrirjes së akullnajave në periudhat e vonshme akullnajore. Aty-këtu gjatë kepit Kod gjenden shumë moçale me ujë të ëmbël që, me pozicionet që zënë, i habitin mjaft gjeologët. Për mënyrën e formimit të disave prej këtyre liqeneve të bukura ekziston një histori gjeologjike interesante, që shpjegon, veç të tjerash, edhe se si janë formuar liqenet akullnajore në shumë zona të tjera. Gjatë periudhave të ftohta, një shtresë e madhe akulli mbulonte Kanadanë, arrinte deri në Shtetet e Bashkuara dhe dega e fundit e saj mbërrinte afërsisht atje ku ndodhet sot kepi Kod. Pa dyshim, shpeshherë temperatura ngrihej dhe balli i akullnajës zhvendosej mbrapa nga shkrirja. Kur temperatura u ul rishtas, akullnaja u rikthye për të vazhduar përpara.

Gjatë shkrirjes, nga buzët e akullnajës rrëzoheshin blloqe të mëdha akulli. Kur balli bëri përpara përsëri, akullnaja hipi sipër këtyre blloqeve dhe i ngjeshi ato me forcë të tmerrshme, thellë në rërën dhe argjilën që ndodhej poshtë tyre. Kur akullnajat u zmbrapsën përsëri, shumë blloqe mbetën të varrosura thellë në tokë. Së fundi, në periudha më pak të ftohta, blloqet e varrosura u shkrinë, duke lënë në tokë zgavra të mëdha nën nivelin e rrafshit të ujit, të cilat u rimbushën me ujë të ëmbël.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]