Hudhra
Hudhra
(latinisht: Allium sativum, familja Liliaceae).
Përdorimi:
Thelpinjtë e hudhrës përdoren si anti-mikrobike; në sëmundjet e aparatit tretës stomak-zorrë; në qetësimin e spazmave të zorrëve; për dezinfektimin e aparatit tretës; për normalizimin e prodhimit të lëngjeve tretëse; shtimin e prodhimit të tëmthit; kundër parazitëve të zorrëve (kundër oksiureve); për zhdukjen e gazeve; për uljen e tensionit (të ngritur të gjakut); kundër sklerozës; kundër shtrëngimeve të zemrës, në sëmundje të aparatit të frymëmarrjes për nxjerrjen e gëlbazës; në parandalimin e infeksioneve; për mjekimin e plagëve të infektuara; në sëmundjet infektive, si psh. kundër gripit, tifos, difterisë, dizanterisë dhe kollës së mirë (kolla e bardhë, pertussis); si kundërhelm në helmimet me nikotinë. Përdoren disa thelpinj hudhër në ditë.
Përgatitja:
Nga hudhra përgatitet alkoolaturë si vijon: merren 200 gr hudhra, zhvishen, copëtohen dhe lihen të zhytura në 1 litër alkool 60o për 10 ditë rresht, duke e tundur herë pas here. Përgatitja bëhet në enë prej qelqi, porcelani ose të zinguara. Pas 10 ditësh lëngu kullohet dhe përdoret 2-4 herë në ditë 20 deri në 40 pika në sëmundjet e ndryshme të brendshme.
Shurupi i hudhrës përgatitet si vijon: 1 pjesë hudhër lihet e zhytur në 2 pjesë ujë të vakët (37o) për 1 orë duke shtuar disa pika uthull të fortë. Përzierja kullohet, i shtohen 2 pjesë sheqer, i cili tretet me ngrohje të lehtë. Nga ky shurup përdoren 2-3 lugë supe në ditë.
Kundër parazitëve hudhra merret në formë klizme si vijon: 10 gr hudhra shtypen dhe zhyten në ¼ litër ujë ose qumësht ku lihen 12 orë, pastaj lëngu kullohet dhe përdoret në dy klizma.
Për mjekimin e plagëve përdoret qull hudhre, duke zhytur disa thelpinj të cilët përzihen me gjalpë e vaj.
Burime, referenca dhe shënime:
✤ Lista e bimëve mjekësore
Fotografia
✤ Bumbaka – Bumbaka private collectionUploaded from the Ukrainian Wikipedia Ies 12:05, 20 May 2007 (UTC), Public Domain, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=2132437