INSTITUTI I STUDIMEVE DHE I PROJEKTIMEVE TË GJEOLOGJISË


INSTITUTI I STUDIMEVE DHE I PROJEKTIMEVE TË GJEOLOGJISË
✤ (ISPGJ). Institucion kërkimor-shkencor në varësi të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave që merret me studime dhe kërkime gjeologjike, U krijua më 1962, mbi bazën e Laboratorit Qendror të Gjeologjisë. Për një kohë të gjatë ISPGJ merrej edhe me probleme të minierave, të pasurimit të mineraleve të dobishme, të teknologjisë kimike etj. Për kryerjen e këtyre detyrave u shkëputën sektorët përkatës të ISPGJ duke krijuar disa institute të veçanta si: Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve Teknologjike të Mineraleve (shih) dhe Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve të Minierave (shih). ISPGJ ka sektorët e gjeologjisë së Shqipërisë, të mineraleve të dobishme, të analizave të ndryshme, të shpimit të puseve të kërkimit, si dhe kabinetin e dokumentacionit dhe informacionit shkencor. ISPGJ ka për detyrë studimin e ligjësive të ndërtimit gjeologjik dhe të mineralmbajtjes, prognozën e mineraleve të dobishme të ngurta, hartimin e metodikave të kërkimit e të zbulimit të mineraleve të dobishme, përmirësimin e teknologjisë së shpimit etj.

Nga ISPGJ janë kryer punime të rëndësishme par sqarimin e ndërtimit gjeologjik dhe të perspektivës mineralmbajtëse të RPSSH, siç është, ndër të tjera përpilimi i Hartës gjeologjike të Shqipërisë në shkallë 1:200 000, studime për sqarimin e perspektivës dhe parashikimin e gjetjes së mjaft mineraleve të dobishme, për stratigrafinë, tektonikën, magmatizmin ofiolitik etj. Për kryerjen e këtyre studimeve ISPGJ bashkëpunon me ndërmarrjet dhe institucionet gjeologjike të vendit. Bashkë me Fakultetin e Gjeologjisë e të Minierave boton Buletinin e shkencave gjeologjike (shih).

ISPGJ është anëtar i komisionit ndërkombëtar të hartave gjeologjike, tektonike e metalogjenike ië Evropës dhe merr pjesë në përpilimin e këtyre hartave.

(B.Ll.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Instituti I Studimeve Dhe I Projektimeve Të Gjeologjisë


[cite]