JENIÇERËT


JENIÇERËT
✤ Ushtarë këmbësorë me pagesë në ushtrinë osmane; ata formonin një korpus më vete që përbënte pjesën më të rëndësishme dhe më të zgjedhur të gardës së sulltanëve; korpusi i J. u krijua nga fundi i shek. XIV. Radhët e tij mbusheshin me djemtë e zënë rob gjatë luftërave ose të grumbulluar në bazë të «taksës së gjakut». sistemit të Devshirmesë (shih). Korpusi i J. luajti një rol të rëndësishëm, si ushtri e organizuar mirë, për zgjerimin e Perandorisë në fushatat pushtuese në vendet e ndryshme. J. dërgoheshin në shërbim edhe për ruajtjen e kalave në viset kufitare; të tillë kishte edhe në trevat shqiptare qysh në shek. XVI. Atyre u jepeshin në zotërim timare të rëndësishme. J. luajtën një rol të rëndësishëm edhe në jetën politike. Komandanti i tyre ishte një nga funksionarët më të rëndësishëm të shtetit. Më vonë, me fillimin e tatëpjetës së Perandorisë dhe shthurjen e disiplinës së korpusit, J. u bënë vegël në duart e grupeve feudale rivale në luftën për pushtet. Në fillim të shek. XIX, me zbatimin e reformave centralizuese edhe në ushtri, korpusi i J, u shpërnda me dhunë, duke përdorur edhe masakra (1826).

(S. P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Jeniçerët


[cite]