Kënetat dhe moçalet

Kënetat janë sipërfaqe të rrafshëta në zona të ulëta, nëntoka e të cilave është e papërshkueshme nga uji. Ato mund të formohen nga grumbullimi i ujit të shiut, dhe në këtë rast kënetat pësojnë ndryshime të mëdha në varësi të stinës së shirave. Kështu, për shembull, një shi i fortë mund ta ngrejë aq shumë nivelin e tyre, saqë kënetat të shndërrohen në liqene, qoftë edhe me thellësi të vogël. Kënetat mund të formohen edhe nga përhapja e ujërave të një lumi, të cilat pushtojnë truallin rreth e rrotull, veçanërisht në afërsi të grykëderdhjes.

Ka vende që kanë shumë zona të mbuluara nga kënetat. Ndër kënetat më të njohura po përmendim kënetat e Sumatrës, ato të grykëderdhjes së lumit Gang etj.

Kënetat ndodhen në ultësira të cilat deri para disa mijëra vjetëve ishin të mbuluara nga detet. Kur toka u ngrit, uji i kripur u tërhoq dhe uji i ëmbël zuri vendin e tij. Kënetat mund të zhduken në rast se toka pëson edhe një ngritje tjetër të vogël, ndërsa në rast se ajo ulet, atëherë ato mbulohen përsëri nga deti. Në rast se toka ulet aq sa të afrohet me detin, atëherë kënetat shndërrohen në fusha moçalore të kripura. Kënetat janë një strehë e shkëlqyer për kafshët e egra, dhe, veç kësaj, në to rritet një bimësi e harlisur, karakteristike për to. Pasi thahen kënetat, në vendin e tyre mbetet një tokë shumë pjellore, pra shumë e përshtatshme për mbjelljen e kulturave bujqësore. Tharja bëhet duke hapur kanale kulluese në pikat më të përshtatshme, ose me anë të drenazhimit, ose edhe duke hapur puse, të cilat bëjnë që uji, pasi të ketë kaluar shtresën e papërshkueshme, të kullojë në thellësi. Në zonat e ftohta dhe me lagështi, bimësia e myshqeve karakteristike për pellgjet me ujë të freskët e të kulluar, thellësia e të cilave nuk është më e madhe se gjysmë metri, pëson një kalbëzim të veçantë dhe në vend të kënetave formohen zonat e torfës. Zonat e torfës janë shumë të përhapura në Evropën Veriore.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]