Në qoftë se më 213 dhe 212 Filipi i kishte duart e lira në Iliri, më vonë punët ndryshuan. Me marrjen e Syrakuzës dhe të Kapuas (212-211), romakët filluan të shijojnë frytet e para të epërsisë së armëve të tyre mbi Hanibalin. Pas kësaj ata riaktivizuan politikën e tyre në lindje: më 211 përfunduan një aleancë me etolët, në të cilën tërhoqën më vonë edhe disa shtete të tjera greke, Atalin e Pergamit si dhe shtetin ilir, të përfaqësuar nga Skerdilaidi dhe i biri i tij Pleurati. Duke shfrytëzuar me kujdes armiqësitë e popujve të ndryshëm ndaj politikës pushtuese të Filipit, romakët arritën kështu të krijojnë në Ballkan një koalicion të fuqishëm antimaqedon, që ua lehtësoi shumë peshën e luftës përtej Adriatikut.
Filipi u njoftua për aleancën në Pela ku ishte duke dimëruar. Duke ditur se gjendja e krijuar në Greqi do ta tërhiqte plotësisht andej, ai vendosi të siguronte më parë shpinën e mbretërisë nga rreziku ilir; ndërmori papritur një ekspeditë kundër tokave të Orikut dhe Apolonisë dhe shkretoi viset fqinje të Ilirisë me Maqedoninë, me qëllim që të linte pas frikë dhe terror. Në pranverë iu kthye Greqisë, por aleatët ia kishin marrë iniciativën dhe duke e goditur në shumë anë e detyruan të vihet në pozita mbrojtëse.
Në 209 Filipi i mbante ende tokat e pushtuara në Iliri, sepse në bisedimet për paqe, që u zhvilluan midis tij dhe etolëve në Falaia dhe pastaj në Aigon, mbretit iu kërkua t’u kthejë romakëve Atintaninë dhe Skerdilaidit ardiejtë, pra pushtimet e tij më veriore. Bisedimet dështuan dhe problemi në këtë rrugë nuk gjeti zgjidhje. Por, po këtë vit, Skerdilaidin e gjejmë në Etoli duke luftuar kundër maqedonëve dhe një vit më vonë, më 208, midis panikut që kishte kapur aleatët e Maqedonisë në Greqi, Filipit i erdhi lajmi shqetësues nga mbretëria: “Skerdilaidi dhe Pleurati ishin vënë në marshim”. Hollësitë rreth këtij sulmi ilir dhe rezultatet e tij nuk dihen, por fakti që ky marshim kishte ngjallur shqetësime në Maqedoni tregon se sundimtarët ilirë kishin zbritur thellë në jug dhe si pasojë i kishin dëbuar forcat maqedone të paktën nga pushtimet e tyre veriore, Lisi dhe tokat e ardiejve.
Ndryshe nga këto përfundime, vitet 207 dhe 206 shënojnë një rënie të luftës kundër mbretit maqedon. Romakët që deri atëherë kishin luftuar kundër Filipit me forca të pakta, u tërhoqën nga fusha e betejës, duke menduar se ia kishin arritur qëllimit të tyre për të larguar Filipin nga ndërhyrja në perëndim. Shembullin e tyre e ndoqi dhe Atali, i thirrur në atdhe për nevoja të mbretërisë. Pesha e luftës mbeti kështu mbi aleatët ballkanikë. Duke shfrytëzuar këtë gjendje, Filipi përqendroi goditjen mbi etolët dhe më 206 i detyroi ata të bëjnë paqe të veçantë.
Në këto rrethana romakët u detyruan të dërgojnë me të shpejtë forca në Iliri. Në pranverë të vitit 205 zbritën në Dyrrah me 10 000 këmbësorë dhe 1 000 kalorës me 35 anije. Sapo mësuan ardhjen e romakëve, parthinët dhe popuj të tjerë fqinjë u ngritën kundër maqedonëve. Duke pushtuar pa vështirësi tokat e tyre, romakët arritën në Dimale, të cilin e rrethuan. Ndërkohë ata dërguan një pjesë të forcave të tyre me 15 anije në Etoli me shpresë se mund të prishnin paqen.
Këtu në Apoloni të dyja palët, nën ndikimin e disa rrethanave, shprehën dëshirën për të mos e vazhduar më tej luftën. Gjendja në Itali kishte ndryshuar; Hanibali kishte pësuar humbje të rënda në Itali dhe aleanca me të kishte humbur çdo kuptim për Filipin. Edhe romakët e ndienin veten të lodhur nga lufta e gjatë me Kartagjenën. Të dyja palët ishin të prirura për një paqe ose të paktën për një armëpushim të gjatë. Epirotët u vunë në rolin e ndërmjetësit dhe Foinike, kryeqyteti i tyre, u bë qendër e bisedimeve. Paqja u vendos dhe sipas kushteve të marrëveshjes, romakëve u njihej e drejta mbi parthinët e Dimalen dhe dy qytete të vogla pranë tij, kurse Filipi mbante Atintaninë dhe, kuptohet, Dasaretinë. Midis aleatëve të Romës është përfshirë edhe sundimtari i shtetit ilir, Pleurati, i cili tani përmendet pa të atin, Skerdilaidin. Në marrëveshje nuk thuhet shprehimisht cilat qenë të drejtat që i njiheshin atij. Paqja, pa dyshim, i jepte fund gjendjes së luftës midis mbretit ilir dhe Maqedonisë ndërsa çështje territoriale, të pazgjidhura midis tyre, me sa duket, nuk kishte. Fakti që në bisedimet e Foinikes nuk bëhet fjalë më për Lisin dhe ardianët tregon se çështja kishte gjetur zgjidhje që më parë, mbase që në vitet 209 ose 208.