Koha e përhapjes së fjalëve shqip, shqiptar dhe Shqipëri

Koha e përhapjes së fjalëve shqip, shqiptar dhe Shqipëri

Pas shpërnguljes së arbëreshëve për në Greqi dhe në Itali (shek. XV), fjalët e dikurshme Arbën/Arbër, (i) arbënesh/arbëresh dhe arbënisht/arbërisht, në vetë trojet shqiptare erdhën e u zëvendësuan dalëngadalë me fjalët shqip, shqip-tar dhe Shqip-ëni/Shqip-ëri. Nga këto më herët dokumentohet fjala e parme shqip, të cilën e ndeshim një herë të vetme qysh në “Mesharin” e Gjon Buzukut (1555, faqe XXV): …qi vjen me thashunë shqip… Fjala shqip, me vlerë ndajfoljore, ndeshet pastaj katër herë në veprat e Budit (1618 dhe 1622), tek i cili, ashtu si te Buzuku, nuk ndeshet fare ndajfolja arbënisht. Kurse Bardhi në Fjalorin latinisht-shqip të vitit 1635 përdor vetëm ndajfoljen arbënisht. Ndajfoljen shqip e gjejmë të përdorur (dy herë) edhe në veprën e Bogdanit të vitit 1685. Por te Budi, Bardhi e Bogdani gjejmë të përdorur rregullisht (dheu) i Arbën-it dhe (gjuha) e arbëneshe.

Fakti që fjalën e parme shqip Buzuku, Budi dhe të tjerë pas tyre e kanë përdorur në vend të fjalës së prejardhur arbën-isht, dëshmon që ndajfolja shqip është më e hershme se shekulli i Buzukut (shek. XVI), por mbetet e paqartë përse ajo nuk ndeshet në materialet e ruajtura nga arbëreshët e Greqisë dhe të Italisë. Gjithsesi, kuptimi i saj nistor duhet të ketë qenë “qartë, hapur, troç” dhe vetëm më pas ajo ka marrë kuptimin e ndajfoljes arbën-isht/arbër-isht, të cilën më vonë edhe e ka zëvendësuar dalëngadalë në trojet e banuara nga vetë shqiptarët. Me kalimin e kohës, mbi bazën e kësaj fjale me anë të prapashtesës –tar është formuar fjala e prejardhur shqip-tar, që dëshmohet së pari te Kuvendi i Arbënit i vitit 1703 (botimi i vitit 1706, faqe 76): “ … a dinë gjuhën e shqipëtarëvet.” Edhe Johann Thunmann-i, në vitin 1774, pohon: “Albanët e quajnë veten skipatar (shqiptar – shën. i aut.), por burimin e kësaj fjale ata nuk e dinë.” Nga këto dy dëshmi kuptohet se fjala e prejardhur shqiptar është shfaqur para shek. XVIII, gjithsesi pas shpërnguljeve të arbëreshëve për në Greqi dhe në Itali. Kurse fjala Shqip-ëni/Shqip-ëri është shfaqur jo më herët se fundi i shek. XVIII.

Fjalët e prejardhura shqip-tar dhe Shqip-ëni/Shqip-ëri janë krijuar për të zëvendësuar fjalët e mëparshme (i) arbënesh/arbëresh dhe dheu i Arbënit/Arbërit, që kishin nisur të dilnin jashtë përdorimit. Disa dijetarë shqiptarë kanë shprehur mendimin se fjala e prejardhur shqiptar është shfaqur në periudhën e pushtimit turk, për të dalluar shqiptarët myslimanë nga bashkëkombësit e tyre të krishterë. Por një mendim i tillë nuk është i mbështetur, sepse kjo fjalë e prejardhur ndeshet së pari pikërisht në një burim të krishterë, siç ishte Kuvendi i Arbënit i fillimit të shek. XVIII. Veç kësaj, dihet se turqit i kanë quajtur shqiptarët në përgjithësi me emrin arnaut, për të cilin na dëshmon edhe Frang Bardhi në Fjalorin e tij të vitit 1635. Dhe mund të pohohet se në dokumentet turke nuk është bërë ndonjë dallim i tillë në emërtimin e shqiptarëve myslimanë e të krishterë, duke i quajtur të parët shqiptarë dhe të dytët arnautë, apo anasjelltas. Gjithashtu nuk ka asnjë të dhënë, që të vërtetojë se ky dallim emërtimi është bërë nga vetë shqiptarët.

Në të vërtetë, çështja e zëvendësimit të etnonimit më të hershëm (i) arbënesh/arbëresh me shqiptar është pasojë e përgjithësimit të ndajfoljes shqip në vend të ndajfoljes më të hershme arbënisht/arbërisht. E ky zëvendësim është bërë në truallin shqiptar nga vetë shqiptarët, pa dallim feje. Kështu, nuk duhet të jetë rastësi që Buzuku në të vetmin rast që i është dashur të përdorë një ndajfolje të tillë, ka përdorur pikërisht fjalën shqip. E njëjta vërejtje vlen edhe për Budin, që përdor një gjuhë shumë popullore dhe që në 1014 faqet e veprave të tij ka përdorur katër herë fjalën shqip dhe asnjë herë fjalën arbënisht. Pra, në një fazë të dhënë të evolucionit të gjuhës shqipe ndajfolja shqip është bërë mbizotëruese. E me përdorimin gjithnjë e më të dendur të ndajfoljes shqip ndër të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine dhe feje, erdhi e u bë gjithnjë e më e ndjeshme kundërvënia midis kësaj fjale dhe etnonimit (i) arbënesh/arbëresh, me të cilin e quanin veten dikur ata që flisnin shqip. Kjo kundërvënie binte ndesh me përdorimin e përgjithshëm të emërtimit të popujve dhe të gjuhëve a dialekteve përkatëse me fjalë të së njëjtës rrënjë. P.sh. të krahasohen grek ~ Greqi ~ greqi-sht, italian ~ Itali ~ itali-sht, turk ~ Turqi ~ turqi-sht, gjerman ~ Gjermani ~ gjermani-sht etj.; toskë ~ Toskëri/Toskëni ~ toskërisht/toskënisht, gegë ~ Gegë-ni/Gegë-ri ~ gegëni-sht/gegëri-sht, çam ~ Çamëri ~ çamëri-sht etj. Prandaj, kundërvënia midis ndajfoljes shqip, nga njëra anë, dhe fjalëve arbënisht/arbërisht, (i) arbënesh/arbëresh dhe Arbën/Arbër, nga ana tjetër, nuk mund të vazhdonte përgjithmonë. Ajo një ditë do të zgjidhej me mënjanimin e pashmangshëm ose të fjalës shqip, ose të fjalëve që kishin si bazë fjalën Arbën/Arbër. Në këtë rast, fjala shqip u tregua më e gjallë duke mënjanuar nga përdorimi më parë ndajfoljen më pak të përdorur arbënisht/arbërisht. Në këtë mënyrë u hap rruga edhe për mënjanimin e shkallëshkallshëm të fjalëve të tjera të së njëjtës rrënjë Arbën/Arbër dhe (i) arbënesh/arbëresh nëpërmjet krijimit të fjalëve të prejardhura shqiptar dhe Shqipëni/Shqipëri. Gjithsesi, kjo dukuri kërkon hulumtime të mëtejshme.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]