Kozmai i Etolisë
(greqisht: Κοσμάς ο Αιτωλός) Kozmai i Etolisë (1714-1779) ka lindur më 1714 në Mega Dhendro, një fshat i Etolisë. Në moshën 20-vjeçare filloi të marrë mësimet e para nga Jerodhjakoni Anania. Më vonë shkoi për studime në shkollën e Vatopedhit në Malin e Shenjtë. Pasi përfundoi studimet vajti në manastirin e Filotheit, ku u dorëzua hieromonak. Vite më vonë shkoi në Kostandinopojë për t‘u takuar me dhaskalin Krisanth, prej të cilit mësoi artin e gojtarisë. Pasi mori leje me shkrim nga Patriku Serafim filloi aktivitetin misionar. Ai predikonte mësimet e Ungjillit të Shenjtë në kishat e Kostandinopojës, më pas shkoi në Vrahori, në Mesolongji dhe në zona të tjera. U kthye përsëri në Kostandinopojë, ku u takua me Patrikun Sofron duke i marrë bekimin për të predikuar në ishujt e Egjeut. Në vitin 1775 u kthye në Malin e Shenjtë ku filloi të lexojë librat e etërve të kishës, por zelli i aktivitetit misionar nuk e linte të qetë. Kozmai u largua nga Mali Athos për të vazhduar veprën e tij. Ai predikoi ungjillin në Selanik, Veria dhe gjithë Maqedoninë. Në vijim shkoi në fshatrat e Himarës, Akarnisë, në Artë dhe Prevezë. Kudo që shkonte ngrinte një kryq prej druri. Mbështeste në drurin e kryqit fronin që ia kishte ndërtuar Kurt Pashai dhe predikonte. Pasi përfundonte mësimdhënien, fronin e merrte ndërsa kryqin e linte aty që t‘u kujtonte njerëzve fjalët e tij. Hebrenjtë që banonin në Janinë e kallëzuan te sundimtari i Beratit, Kurt Pashai, sepse Shën Kozmai arriti të bindë të krishterët ta bëjnë pazarin jo të dielën, por të shtunën. Shenjti kudo ku shkonte për të përhapur ungjillin merrte leje nga kryeprifti dhe paria e vendit. Kur vajti në Kolkondas, mori pëlqimin e kryepriftit dhe donte të merrte leje edhe nga Kurt Pashai që e kishte selinë në Berat. Rrugës Shenjtin e kapën dhe e varën në një pemë. Më pas kufomën e tij e hodhën në lumë duke i varur një gur në qafë. Shën Kozmai u martirizua më 24 gusht të vitit 1779. Shën Kozmai përmendet nëpër sinaksarët e kishës si shenjt, ndonëse akt zyrtar për shpalljen e tij shenjt nuk ka. Në mineot e rishqyrtuara nga komisioni i posaçëm i Patriarkanës Ekumenike përmendet edhe Shën Kozmai, i cili u nderua si shenjt në shpirtin e popullit.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Fani Mihallopullu, Kozmai nga Etolia, Përkthim nga Dhimitër Beduli, Tiranë 1999, faqe 46.
2-Anthim Aleksudhi, Një vështrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Korfuz 1868, faqe 82.