Kult e kulturë
FJALA E BOTUESIT
Dorëshkrimet biblike, ungjillore dhe liturgjike të Shqipërisë përbëjnë një prej traditave kulturore
më të shquara dhe njëherësh më të panjohura të saj.
Eshtë privilegj i historisë së shkrimit në këtë hapësirë, që dorëshkrimet origjinale të ruajtura
prej njerëzve të kësaj bote, të “botësë sanë”, siç shkruante Buzuku, fillojnë qysh prej krishtërimit
të hershëm. Të dhëna të përmendura prej dijetarëve të një shekulli e ca më parë njoftojnë se
dorëshkrime të tilla mund të jenë ruajtur madje qysh prej shekullit të parë, qysh prej atyre
kohërave kur kumti i krishtërimit për herë të parë shenjohej në letër prej ungjillorëve të mëdhenj!
Tradita e shkrimeve të krishtera në Shqipëri zgjati, të paktën, për 15 shekuj, duke qenë një
prej traditave kulturore më të qëndrueshme dhe të pandërprera, madje edhe në ata shekuj të
mjegullt kur emri i shqiptarëve në shkrimet laike del shumë rrallë apo mbetet krejt në mënjanësi.
Kjo traditë vazhdoi edhe në periudhën pas-osmane, edhe pasi u shpik Gutembergu, duke
dëshmuar rrënjët e saj të forta.
Në dorëshkrimet kishtare të Shqipërisë ka: shkrime biblike (nga Dhjata e Vjetër, si psalmet e
Davidit); shkrime ungjillore (nga Dhjata e Re: ungjij dhe fragmente e ligjërime ungjillore);
shkrime liturgjike (mesharë, katekizma, omilie, antologji muzikore bizantine të periudhës ekfonetike
dhe me alfabetin e ri katërvijësh, kalendarë fetarë); shkrime shenjtorësh (agjiografi),
martirësh (martirologji) dhe të etërve të kishës (patrologji); teologji dhe filozofi besimi; rregullore
për trajtimin e çështjeve laike të besimtarëve (kanone, nomokanone); arte të zbatuara kishtare
para-ikonografike (miniatura, vinjeta, tabela të Eusebit); trajtesa me karakter didaktik, libra
për shkollat fetare e laike.
Botimi i veprës “Kodikët e Shqipërisë” do të ndriçojë në një farë shkalle këtë traditë. Shumë
punë mbetet për ta ndriçuar në një shkallë më të thellë atë.
Me këtë vepër do të bëhet e mundur të spikaten së paku këto të dhëna:
– Hapësira shqiptare është një prej vatrave më të rëndësishme, më të hershme dhe më të
pasura, në shkallë rajonale e botërore për dorëshkrimet kishtare.
– Illyricum-i historik, vendi i të parëve të shqiptarëve, u prek fizikisht prej delegatëve të parë të
krishtërimit dhe i dha mendimit të krishterë figura të mëdha, prej Shën Cesarit e Shën Astit
tek Shën Gjeri (Hieronymus) e Shën Niketa. Kjo hapësirë qe në vëmendjen e reformatorëve
më të mëdhenj të historisë së krishtërimit, siç qe Shën Gjon Gojarti (Chrysostome).
– Shkrimet e kësaj vatre, megjithëse në pjesën më të madhe kanonike, kanë ruajtur ngjyrime
të kulturës vendëse në përgjithësi.
– “Beratinus-1”, një prej arketipeve më të lashta të Dhjatës së Re, është ruajtur në Shqipëri,
së paku prej mesit të shekullit të 14-të.
– Në Shqipëri ka ekzistuar një shkollë shkruesish dhe një mjeshtëri lokale shkrimi, të paktën
prej një mijëvjeçari.
– Bota shqiptare gjithnjë ka pasur një elitë kulturore dhe klerikale, e cila ka jetuar me shijen e
kryeqendrave kulturore dhe është formuar me shkrime me vlerë të jashtëzakonshme dhe
me luks metropolitan.
– Rregullimi i jetës shqiptare në bashkësi, përveç së drejtës zakonore dhe asaj qytetare, ka
pasur edhe një faktor tjetër të rëndësishëm: faktorin kishtar.
– Enciklopedisë së vlerave shqiptare duhet t’i shtohen një varg personalitetesh, të cilët, për
shkaqe të ndryshme, janë thuajse të panjohur, me gjithë rolin e spikatur historik në zhvillimet
e përparuara të vendit, si Jan Kukuzeli i Ri, Joasafi i Beratit (apo i Bubullimës), Skuripeki
(Skura) dhe zonja konteshë; Anthim Aleksudhi (i mbiquajtur “miku i artit”), Teodor Komneni
Laskari (ose Laskarioti); Teodor Gramatia – sekretari; Gjergji i madh (Arianiti); Jani Glikoi (i
ëmbli), Teodor Kavalioti-Voskopojari, Teodor Haxhifilipi, dhe shumë e shumë të tjerë: shkrues,
murgj, porositës (ktitorë), të vetëquajtur, në shumicën e herës: “më i vogli”; “më i përvuajturi”;
“më i thjeshti”; “më i përdëllyeri”.
– Kult e kulturë nuk mund të ndahen si traditë, ashtu siç nuk mund të ndahen as etimologjikisht;
– Hapësira shqiptare ka qenë historikisht, prej një të shkuare absolutisht të largët (jo duke
filluar prej periudhës osmane e këndej, siç gjykohet e vlerësohet ndonjëherë), ekumenike e
mospërjashtuese, baza e kulturës së mirëkuptimit; shprehur kjo në fqinjësimin harmonik të
gjuhëve të mëdha të besimit: latinisht, greqisht e slavonikisht (starosllavisht), madje edhe
mbi portikun e të njëjtit manastir (si manastiri i Shën Gjon Vladimirit, ndërtuar prej Karl Topisë)
dhe mbi fletët e të njëjtit kodik (dorëshkrimi i Durrësit në bibliotekën e Grotaferrata-s);
– Shkrimet biblike-ungjillore përgatitën shkrimet laike (kronikat e bujarisë arbërore, statutet e
qyteteve mesjetare) dhe këto të fundit shkrimet në gjuhët kombëtare (autorët klasikë).
– Shteti shqiptar dhe institucionet e tij, edhe në periudhën kritike të ateizmit, çmoi dhe mori në
mbrojtje vlerat e besimit si vlera kulturore.
Dorëshkrimet kishtare të Shqipërisë, duke qenë pjesë e lëvizjes mendore të këtij vendi,
meritojnë iniciativa të mëdha. Këto iniciativa nuk do të mund të ndërmerreshin pa zgjeruar në
koncept studimet etnologjike, duke përafruar në objektin e tyre vlerat kulturore antropologjike;
që nuk janë kulturë kombëtare dhe pasuri etnike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; por, megjithatë,
janë pjesë e identitetit kulturor të popullit, shprehur me mjete dhe përmbajtje që janë pjesë e
zhvillimeve intelektuale me karakter ndërnacional.
Ky vend, që ka toponime të tilla si “Shëndërtat” (Shën Trinia, Shën Triadha), “Munushtirë”
(Manastir), Shirgj e Shirgjan (Shën Sergj), “Urakë” e “Mbrakull” (Orakull e Mrekulli), Shtish e
Shmil (Shën Mateu, Shën Matish e Shën Mëhill), Shlonë e Shirokë (Shën Apollonia e Shën
Roku), të huajtura në gjuhën tonë prej mëmës ilirishte, duhej të kishte edhe traditën e shkrimeve
analogjike.
Le të nderojmë, me këtë hap të parë: shkruesit e (stër)lashtë e të mëpasmë, për përkushtimin
dhe artin e tyre; klerikët dhe laikët që i ruajtën dorëshkrimet nga rreziqe që kanë zgjatur më
shumë se armiqësitë legjendare në eposin e kreshnikëve; institucionet e tyre, që i vunë në
vendin e nderit; dijetarët e mendimtarët shqiptarë, që i njohën e i shpallën si përmendore të
kulturës njerëzore që i kthehen vendit të tyre; arkivistët dhe restauratorët që i çmuan dhe i
rikthyen në botën e vlerave të mëdha; studiuesit e huaj, që me admirim dhe vendosmëri u
dhanë këtyre dorëshkrimeve njohje ndërkombëtare.
Le të kujtojmë, për mbyllje, dy vargje të njohura të Lasgush Poradecit, që lexuesi, pas njohjes
me këtë vepër, të mëdyshet në ishin figurë a rrëfim:
“Atje lart, në Mal të Thatë,
Zoti Krisht bëkej një kishë…”

* Kodikët e Shqipërisë

 

[cite]