KODIKU I 11-TË, I VLORËS
(PERIKOPE UNGJIJSH)
Materiali: Pergamenë.
Numri i fletëve: 254.
Grafia: E tipit të vjetër. Shkrimi është kaligrafik. Teksti është shkruar me germa të
vogla, me ngjyrë kafe. Titujt e ungjijve janë shkruar me shkronja kapitale dhe këto janë prej
ari.
Shkrimi: Në dy kolona për faqe. Madhësia e faqes është 32 cm x 25.5 cm. Numri i
rreshtave për faqe është jo i njësuar.
Stolisjet: Kodiku nuk përmban zbatime artistike në miniaturë, por në fillim të perikopeve
gjendet si rregull një vinjetë. Nga këto, pesë kanë formën e një katërkëndëshi kënddrejtë. Të
tjerat kanë formën e një shiriti me shtrirje horizontale, që zbukurohet me lule tri dhe
pesëpetalëshe. Këto kufizohen me vijëza të holla elegante të bardha, të ngjashme me ato që
përshkruhen për kodikët e vjetër të Beratit dhe për Kodikun e 5-të të Vlorës.
Artistikisht dhe me shije janë vizatuar inicialet, të cilat janë të shumta, të mëdha dhe të zhvilluara
mirë.
Sido që këto motive janë stilizuar bukur prej linjëzash dhe vijëzash e lulesh, të vëna në dukje
qartë mbi një sfond prej ari të ndritshëm, duhet thënë se nuk e kanë finesën e zbukurimeve të
ngjashme në kodikë më të hershëm. Kjo tregon se ky kodik duhet të jetë i një kohe relativisht
të mëvonshme.
Duke u nisur nga grafia dhe karakteri i zbukurimeve, mund të arrihet në përfundimin se ky
dorëshkrim nuk mund të jetë më i hershëm se gjysma e dytë e shekullit të 12-të.
Shënime: Në vinjetën me numër 81 ruhet një shënim që mezi lexohet, ku gjendet emri i
autorit riprodhues: “… e shkroi meshtari Joan” (Gjon), pa datë.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve