Kultura në kohën e vonë antike (shek. IV- VI)

Gjendja ekonomike e politike që u krijua në provincat ilire në shek. IV të e. sonë ndikoi edhe në zhvillimin e kulturës, nxiti gjallërimin dhe vazhdimin e traditave kulturore të lashta. Në shekujt që pasuan, kultura materiale, bashkë me ndikimet bizantine filloi të marrë tipare të qarta anase, mbi bazën e të cilave do të formohet kultura e hershme shqiptare. Ajo nuk pati atë zhvillim të madh si më parë, por në këtë lindën elemente të reja të rëndësishme (si në kulturën materiale, dhe në marrëdhëniet shoqërore), të cilat në mesjetë u zhvilluan në mënyrë më të plotë.
Ndryshe nga periudha pararendëse, në provincat ilire u zhvilluan më tepër ndërtimet me karakter fortifikues ushtarak dhe ato me karakter fetar, të krishterë. Në grupin e parë hynin kryesisht kështjellat e reja dhe kështjellat e lashta të fortifikuara për qëllime ushtarake, ndërtimi dhe rindërtimi i të cilave pati filluar që në shekullin IV dhe arriti kulmin në shek. VI në kohën e sundimit të perandorit Justianian, i cili sikurse shkruan biografi i tij, në dy provincat Epir i Ri dhe Epir i Vjetër, ndërtoi dhe rindërtoi 94 kështjella.

Nga qytetet, në të cilat u bënë ndërtime të mëdha e të rëndësishme që prekën edhe sistemin e brendshëm urbanistik ka qenë Dyrrahu. Këto ndërtime u bënë në kohën e sundimit të perandorit bizantin Anastas, që ishte me origjinë nga ky qytet. Nga këto objekte, me të vërtetë monumentale, janë ruajtur pjesë të sistemit fortifikues: muret rrethuese trefishe të Dyrrahut të ngritura nga perandori Anastas, të cilat llogaritet të kenë qenë 4 400 m të gjata, rreth 12 m të larta dhe 3,50 m të gjera. Me interes është edhe rrjeti i kanalizimeve që dëshmon gjithashtu për një qytet të madh dhe mjeshtra të aftë.
Arkitektura e banesave, siç kanë treguar zbulimet arkeologjike, nuk pati ndryshime të dukshme. Si në planin, ashtu edhe në ndërtimin e saj u ruajtën traditat e lashta.

Monumentet arkitektonike që lidhen me fenë e krishterë, dhe që ishin karakteristike për antikitetin e vonë kanë qenë bazilikat. Këto godina kulti janë me interes për planimetrinë e tyre, plastikën dekorative dhe për dyshemetë me mozaikë. Përsa u përket planimetrive janë gjetur bazilika të thjeshta me tri anijata (në Tepe të Elbasanit) dhe bazilika të tipit trikonke (në Lin të Pogradecit). Shpesh godinat e kultit paleokristian janë ngritur mbi ndërtime më të lashta, duke ndryshuar planimetritë e tyre (bazilika në Tiranë, pagëzimorja e Butrintit).

Rrënojat e një bazilike monumentale janë zbuluar në qytetin e sotëm të Ballshit, që në mesjetë u bë një qendërbanim i rëndësishëm shqiptar (në burimet mesjetare është njohur me emrin Kefalonia-Glavinica). Në këtë bazilikë monumentale është vërtet e pasur dhe me vlerë artistike plastika dekorative arkitektonike. Në plastikë përveç kapiteleve, harqeve, arkitrave, spikasin në mënyrë të veçantë disa pilastra e panele të perdes ndarëse të altarit. Si pilastrat, dhe panelet janë punuar në reliev, kanë një trajtim të mirë artistik dhe një dekoracion të pasur ku nuk mungojnë elementet zbukuruese tradicionale vendase.

Midis monumenteve të skulpturës të kohës së vonë antike dhe që nuk lidhen me kultet fetare janë disa relieve mortore, të punuara nga artistë vendas. Këto relieve nga mënyra e trajtimit artistik, kompozimit, frymëzimit, modelimit e nga paraqitja e figurave dhe veshja e tyre, përbëjnë një tërësi që i veçon nga ato relieve sepulkrale të zakonshme për tre shekujt e parë të erës sonë. Ajo që i bën edhe më interesante këto vepra artistike ilire (sepse u takojnë ilirëve), është se ato janë gjetur jo në qendra qytetare, por në lokalitete të brendshme, në fshatra dhe se figurat që mbajnë paraqesin zakonisht njerëz të punës, fshatarë e zejtarë. Karakteristike për këtë kohë janë edhe disa portrete tek të cilët nuk vërehet as idealizmi i artit grek, as natyralizmi i skulpturës romake; portretet pasqyrojnë qoftë edhe në mënyrë të thjeshtë karakterin burrëror, por edhe të rreptë të popullsisë ilire.

Karakteristike për periudhën e vonë antike ka qenë lulëzimi i artit të mozaikut. Duke filluar nga shek. IV e. sonë arti i mozaikut përhapet edhe në viset e brendshme të provincave ilire, duke u lidhur në fillim me qendërbanimet rurale, “vilat” fshatare dhe më pas me godinat e kultit, bazilikat paleokristiane. Në këta mozaikë janë të pranishme, krahas elementeve të reja dekorative, edhe ato tradicionale më të lashta. Kështu në dyshemetë me mozaikë të godinave të kultit vërtet mbizotërojnë figurat që përfytyrojnë kafshë, shpendë e peshq tipike për artin masiv paleokristian, por krahas tyre, në kornizat që rrethojnë emblemat vërehen elemente dekorative gjeometrike, figura rombesh, motivi i gërshetës, i rrathëve që priten etj., që lidhen me një traditë të lashtë. Mozaikët e kohës së vonë antike, nga të cilët janë zbuluar mjaft në këto vitet e fundit, tregojnë për një lulëzim të këtij arti, sidomos në shek.V e VI dhe për praninë e atelieve mozaikpunuese vendase.

Në antikitetin e vonë ndodhën ndryshime të dukshme edhe në kulturën materiale. Zhvillimi i bujqësisë u shoqërua me futjen në përdorim dhe përsosjen e një sërë veglash bujqësore. Shfrytëzimi intensiv i vendbanimeve me metale bëri të nevojshëm shtimin e përmirësimin e veglave të minatorëve. Shek. IV, sipas të dhënave arkeologjike, me gjithë krizën e përgjithshme, ka qenë periudhë e një gjallërimi të zejtarive, të qyteteve të mëdha dhe të qendrave të brendshme. Kjo vërehet në prodhimin e stolive, ku vendin e parë e zënë fibulat, të cilat edhe në këtë kohë vazhdojnë të kenë një funksion praktik e estetik. Një përhapje të gjerë kanë pasur fibulat e gjoksit të tipit të quajtur me koka qepe dhe ato me këmbë të përthyer, pararendëse të fibulave të përdorura nga shqiptarët në mesjetën e hershme.

Edhe qeramika masive (tullat e tjegullat), edhe qeramika e përdorimit të përditshëm nuk ndryshon shumë nga ajo e shekujve pararendës. Ndërsa në elementet dekorative përdoret pikturimi me breza ngjyrë kafe e të kuqe, trajtat e enëve thjeshtohen. Gjithnjë e më shpesh enët prej balte të pjekur zbukurohen me motivin e gropëzuar, çatalla dhe vija rrethore ose të valëzuara të gërricura, motive këto të traditës ilire.

Përsa i përket kulturës shpirtërore për antikitetin e vonë kultet e besimit fetar të krishterë, përhapen gjithnjë e më shumë në popullsinë e provincave ilire. Feja e krishtere, e cila në fillim lindi si një fe e shtresave të varfra, të cilat mendonin të gjenin tek ajo rrugën e shpëtimit, u përqafua më vonë edhe nga shtresat e pasura dhe u bë fe zyrtare.

Historia shqiptare

 

 

[cite]