Letërsia politike
Gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit mendimi politik shqiptar u shpreh me mjete të panjohura më parë. Të tilla ishin protestat e memorandumet drejtuar Fuqive të Mëdha e Portës së Lartë, të cilat vetëm fare pak u redaktuan nga kryesia e Lidhjes së Prizrenit, ndërkohë që shumica dërrmuese u hartua me nismën e degëve krahinore të saj ose të qarqeve të ndryshme atdhetare të vendit. Pavarësisht nga autorët, ato pajtohen ndërmjet tyre në trajtimin dhe në zgjidhjen e çështjeve themelore që shqetësonin Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Pothuajse të gjitha flasin në emër të kombit shqiptar. Kudo spikat fryma e vëllazërimit të shqiptarëve pavarësisht nga dallimet fetare, spikat krenaria e tyre për traditat e përbashkëta liridashëse dhe vendosmëria për të mbrojtur të drejtat kombëtare. Takimi i tyre në këto çështje të rëndësishme politike tregonte se platforma ideologjike kombëtare kishte depërtuar thellë në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare.Por shprehjen e vet më të lartë, si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja, ajo e gjeti te traktatet politike dhe te shkrimet publicistike të hartuara nga personalitetet e lëvizjes kombëtare për publikun ndërkombëtar. Patriotët shqiptarë e kishin ndier prej kohësh nevojën për një tribunë shtypi të pavarur. Por Porta e Lartë e kishte kundërshtuar vazhdimisht lejen për të nxjerrë një organ periodik shqip brenda kufijve të Perandorisë. Edhe përpjekjet për të botuar një gazetë shqiptare jashtë Perandorisë Osmane kishin dështuar pjesërisht për mungesë mjetesh financiare, pjesërisht nga qëndrimi armiqësor i qeverive të huaja. Me përpjekje të mëdha Sami Frashëri arriti ta shtinte në dorë, në qershor të vitit 1878, drejtimin e gazetës turke “Terxhuman-i Shark” (“Interpreti i Lindjes”), që botohej në Stamboll, por kjo nuk pati jetë të gjatë, pasi pas katër muajsh u mbyll nga censura osmane. Një vit më vonë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare i erdhi në ndihmë një nga arvanitët më përparimtarë të Greqisë, Anastas Kullurioti, i cili filloi në shtator 1879 botimin në Athinë të gazetës “I foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”), por edhe kjo u mbyll pas një viti.
Ndër penat publicistike Abdyl Frashëri u dallua në mënyrë të veçantë për gamën e problemeve, për forcën e argumenteve dhe për qartësinë e mendimeve në shkrimet e tij të botuara në shtypin turk, austriak e frëng. Ai shtjelloi në mënyrë koncize pothuajse të gjitha aspektet e platformës ideologjike e politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në veçanti. Një veprimtari po aq të pasur zhvilloi gjithashtu Sami Frashëri, i cili u shqua në fushën e publicistikës polemizuese kundër armiqve të çështjes kombëtare shqiptare. Veç kësaj, ai trajtoi në gazetën e vet “Terxhuman-i Shark”, nga këndi i interesave të Shqipërisë, edhe ngjarjet e përditshme ndërkombëtare. Në publicistikën e këtyre viteve morën pjesë gjithashtu, ndonëse në mënyrë më të kufizuar, Jani Vretoja, Thimi Mitkoja dhe shumë atdhetarë të tjerë, të cilët i botuan shkrimet e tyre pa emrin e autorit. Një kontribut të rëndësishëm dha në këtë fushë edhe Jeronim de Rada, një nga arbëreshët më të shquar të Italisë.
Ndërmjet traktateve politike të këtyre viteve, vendin kryesor e zë vepra e Pashko Vasës “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, e cila u botua më 1879 frëngjisht, anglisht e gjermanisht, kurse një vit më vonë u përkthye turqisht e greqisht. Me këtë vepër autori kishte për qëllim, sikurse shkruante vetë, ta bënte të njohur popullin shqiptar para botës së qytetëruar “me cilësitë, me të metat, me nevojat dhe me shpresat e tij”, të tregonte origjinën e tij si një nga popujt më të lashtë të Evropës, të përshkruante fazat që ai kishte kaluar gjatë shekujve, ta mbronte nga armiqtë keqdashës që e kishin përbuzur dhe të argumentonte të drejtat kombëtare që i takonin, duke përfshirë edhe atë të bashkimit të vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm, që do të shënonte një hap drejt autonomisë së Shqipërisë.
Çështjes së aleatëve të shqiptarëve në luftën e tyre kombëtare iu kushtuan dy traktate të veçanta. Në njërin prej tyre, të botuar bullgarisht në Sofje më 1879 nga Jusuf Ali beu, me titull “Bisedime të ditës që meritojnë vëmendje”, autori shprehte mendimin se shqiptarët e bullgarët kishin mjaft interesa të përbashkëta, të cilët krijonin mundësinë për të qenë bashkëluftëtarë. Në tjetrën, të botuar greqisht në Athinë më 1880 nga Thimi Brandi, me titull “Ankime të shqiptarëve”, mbrohej teza se shqiptarët e grekët rrezikoheshin njësoj nga rritja e shteteve sllave, se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të shpresonte te Fuqitë e Mëdha, se historia u diktonte rrugën e bashkëpunimit të ngushtë politik dhe se këtë bashkëpunim e pengonin vetëm qarqet zyrtare greke, të cilat mendonin pa të drejtë se me zhvillimin e saj lëvizja kulturore shqiptare do të pakësonte shkëlqimin e helenizmit. Një vend të rëndësishëm në letërsinë politike të këtyre viteve zë, më në fund, broshura “Shqiptarët dhe demonstrata navale përpara jurisë eprore të shtypit”, që një autor anonim shqiptar e botoi frëngjisht më 1880, për qëndresën që organizoi Lidhja e Prizrenit në mbrojtje të Ulqinit. Në këtë broshurë autori u bën një akuzë të ashpër Fuqive të Mëdha në përgjithësi dhe qeverisë britanike në veçanti, të cilat, në vend që të përkrahnin idenë e krijimit të një shteti kombëtar shqiptar si e vetmja rrugë e drejtë e zgjidhjes së Krizës Lindore, dërguan flotën e tyre luftarake për të shtypur me dhunë të drejtat legjitime të një populli liridashës.
Shkrimet publicistike dhe traktatet politike trajtojnë po atë temë që frymëzuan protestat e memorandumet e kësaj periudhe – njohjen e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare si një komb i formuar plotësisht dhe miratimin e të drejtës së tyre supreme për të pasur shtetin kombëtar në kufijtë e tyre etnikë.
Me këto shkrime e traktate autorët sollën një varg argumentesh historike, filozofike, etnografike, filologjike e politike, që provonin se shqiptarët i kishin të gjitha vetitë për të qenë një komb dhe për të formuar shtetin e vet. Një nga argumentet e dorës së parë ishte prejardhja e shqiptarëve nga ilirët, të cilët njiheshin si pasardhës të pellazgëve, pra, lashtësia e tyre shprehej në lashtësinë e autoktonisë, të gjuhës e të kulturës. Ata kritikuan tezën pseudoshkencore të përhapur në ato vite, sipas së cilës nuk kishte një gjuhë të vetme shqipe, por aq gjuhë sa ishin dialektet e saj ose tezën tjetër se të folmet e saj ishin “dialekte të bastardhuara” të greqishtes a të latinishtes dhe mbrojtën pikëpamjen, të cilën e kishin pranuar gjuhëtarët më të shquar të kohës, se gjuha shqipe ishte një gjuhë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane, se dallimet dialektore brenda saj nuk kishin rëndësi themelore dhe se lidhjet ndërmjet saj e greqishtes ose latinishtes ishin pak a shumë njësoj si lidhjet ndërmjet gjuhëve të ndryshme indoevropiane. Po ashtu, ata sollën argumente të reja me të cilat provuan se shqiptarët e të gjitha besimeve e të të gjitha krahinave kishin të njëjtin formim shpirtëror. Shqiptarët, shkruante Abdyl Frashëri, kanë pasur kulturën e tyre të veçantë qysh në kohët parahistorike; ata u kanë qëndruar besnikë, deri në njëfarë shkalle, traditave të lashta pasi përqafuan jo vetëm krishterimin, por edhe islamizmin. Në Shqipëri dallimet fetare, nënvizonte ai, nuk kanë ndonjë rëndësi përballë dallimeve shoqërore. Shoqëria shqiptare karakterizohej, sipas tij, nga ndarja në krerë e në popull dhe jo nga ndarja në myslimanë e të krishterë. Myslimanët dhe të krishterët shqiptarë, shkruante Pashko Vasa, “flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Midis tyre nuk ka pasur kurrë smirë të rrënjosur, as armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë nuk ka qenë kurrë shkak për t’i shtytur në një përçarje sistematike”.
Pothuajse të gjithë autorët e kësaj periudhe evokuan në shkrimet e tyre politike figurën e ndritur të Skënderbeut si mishërim i njësisë kombëtare, si simbol i atdhedashurisë shqiptare dhe si flamur i luftës çlirimtare. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet emrit të tij të lavdishëm, ata u kujtonin sundimtarëve osmanë se shqiptarët ishin gati, në rast se nuk do t’u njiheshin të drejtat e tyre kombëtare, të përsëritnin epopenë e shek. XV. Veç kësaj, ata u kujtonin popujve të Evropës se vendet e tyre kishin detyrime të mëdha ndaj Shqipërisë, e cila me luftën e saj heroike që kishte zhvilluar nën udhëheqjen e Skënderbeut, e kishte mbrojtur lirinë e tyre nga pushtimi osman. Një vend të rëndësishëm në publicistikën e këtyre viteve zunë shkrimet që mbronin karakterin e programin kombëtar të Lidhjes së Prizrenit nga akuzat e shpifjet e armiqve të çështjes shqiptare, të cilët e paraqitnin atë si një organizatë fanatike islamike të manipuluar nga Porta e Lartë dhe të drejtuar kundër popujve fqinjë të krishterë. Sami Frashëri, i cili u dallua më shumë se të tjerët në këtë fushë, argumentoi me një varg artikujsh të botuar në shtypin osman se Lidhja e Prizrenit u formua nga ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve dhe se Porta e Lartë nuk ka pasur gisht në formimin e saj. “Si mund të thuhet, – shkruante ai, – se Lidhja e Prizrenit është formuar mbi bazën e fanatizmit mysliman, kur aty kanë marrë pjesë pa dallim feje myslimanë e të krishterë, domethënë mbarë bijtë e atdheut?”. Porta e Lartë, shkruante Samiu në një artikull tjetër, jo vetëm “nuk ka pasur gisht në formimin e saj”, por ajo as “nuk është në gjendje t’i ndalojë shqiptarët që të marrin pjesë në të”. Lidhja e Prizrenit, theksonin njëzëri patriotët e këtyre viteve, ka për qëllim të mbrojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve dhe nuk drejtohet kundër kombeve të tjera të Ballkanit. “Lidhja Shqiptare, – shkruante më 1879 një atdhetar anonim nga Shqipëria e Mesme, – është lidhje kombëtare. Ajo nuk dëmton asnjë komb tjetër. Ajo dëshiron, kërkon dhe përpiqet me të gjitha fuqitë e saj të shpëtojë kombin e vet duke bashkuar Shqipërinë në një vilajet të vetëm autonom dhe të shkëputet nga prapambetja duke zhvilluar shkrimin në gjuhën e kombësisë së saj. Ajo dëshiron e kërkon të ketë paqe dhe miqësi me të gjitha kombet që e rrethojnë. Ajo respekton e nderon të gjitha kombësitë e huaja dhe të gjitha gjuhët e tjera që mund të ndodhen në gjirin e saj”.
Më në fund, të gjithë autorët dhanë të njëjtin vlerësim për politikën e ndjekur nga Fuqitë e Mëdha në lidhje me çështjen shqiptare. Të gjithë e dënuan njësoj Traktatin e Shën-Stefanit dhe Kongresin e Berlinit. Askush nuk pati iluzione se Fuqitë e Mëdha do t’i merrnin parasysh me vullnetin e tyre interesat kombëtarë të Shqipërisë. Ata qenë njëzëri të mendimit, se në kushtet e atyre viteve rreziku më imediat vinte nga politika pansllaviste ruse, se me synimet e veta ekspansioniste Perandoria Cariste kërcënonte jo vetëm ekzistencën e kombësisë shqiptare, por edhe atë të kombësive të tjera ballkanike, madje edhe ekzistencën e kombësive sllave të gadishullit. Sipas mendimit të përgjithshëm të atdhetarëve shqiptarë, e vetmja rrugëdalje nga situata dramatike, që kërcënonte jo vetëm Gadishullin Ballkanik, por edhe Kontinentin Evropian, ishte respektimi i parimit të kombësisë për tërë popujt. Në rast se Shqipëria do të copëtohej midis fqinjëve të saj, Gadishulli Ballkanik nuk do të kishte kurrë qetësi, pasi shqiptarët nuk do hiqnin asnjëherë dorë nga lufta për të fituar të drejtat e tyre kombëtare. Përkundrazi, theksonte Abdyl Frashëri, në rast se Shqipëria do të fitonte të drejtat e saj, “do të vijë dita kur Evropa do të bindet se shqiptarët i shërbejnë çështjes së njerëzimit dhe të qytetërimit më mirë se çdo popull tjetër i Lindjes”.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare