Letërsia popullore dhe artistike

Letërsia popullore dhe artistike

Një vend të rëndësishëm në lëvizjen kulturore të viteve të Lidhjes së Prizrenit zë letërsia popullore dhe artistike shqip.
Në letërsinë popullore një zhvillim shumë të begatshëm pati epika historike. Në qershor të vitit 1878, në ditët e themelimit të Lidhjes së Prizrenit, u botua në Aleksandri të Egjiptit vepra madhore e Thimi Mitkos “Bëleta shqiptare”, në të cilën qenë përfshirë mjaft këngë popullore historike të krijuara gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga poetët anonimë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Në hullinë e këtyre këngëve eci edhe vepritmaria popullore e viteve të Lidhjes së Prizrenit. Si më parë, edhe tani ajo pati për qëllim të përjetësonte në vargje ngjarjet tronditëse historike dhe të frymëzonte brezat e rinj për betejat e ardhshme. Por poezia popullore historike e kësaj periudhe dallohet nga ajo e dhjetëvjeçarëve të mëparshëm për frymën e saj më të theksuar kombëtare. Uniteti kombëtar i shqiptarëve që krijoi Lidhja e Prizrenit në fushën politike, u pasqyrua kështu edhe në krijimtarinë popullore historike.
Sipas traditës, rapsodët popullorë krijimet e tyre letrare më monumentale ua kushtuan ngjarjeve historike më të shënuara. Në qerthullin e këtyre ngjarjeve tani nuk hynë vetëm momentet dramatike madhore, siç ishin përpjekjet e armatosura me armiqtë e tyre, por edhe momentet politike kulmore. Kështu, krahas këngëve epike që iu kushtuan luftës për mbrojtjen e Lëkurësit e të Gjashtës, të Plavës e të Gucisë, të Hotit e të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, të Slivovës e të Shtimjes, u thurën gjithashtu këngë historike për kuvendet e Prizrenit e të Gjirokastrës, të Gjakovës e të Frashërit, të Shkodrës e të Dibrës, madje edhe për forume të tilla ndërkombëtare, siç ishte Kongresi i Berlinit. Po ashtu, tani poetët anonimë u ngritën monumente në vargje jo vetëm kryetrimave që u shquan në fushën e luftës, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Isuf Sokoli, Col Delia, Çel Shabani ose Sef Kosharja, por edhe ideologëve ose udhëheqësve politikë të Lidhjes së Prizrenit, siç ishin Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Ali pashë Gucia, Haxhi Ymeri (Ymer Prizreni) etj.

Të gjitha këngët popullore historike të këtyre viteve kanë karakter epik ose retorik. Pavarësisht se janë thurur nga rapsodë të viseve të ndryshme dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra, ato bashkohen qoftë nga boshti tematik, qoftë nga frymëzimi atdhetar. Nëpërmjet vargjeve të tyre të pasura me figura dhe shprehje poetike, autorët anonimë himnizojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi luftën atdhetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të njëjtën kohë ata stigmatizojnë herë me tallje, herë me sarkazëm armiqtë, kryesisht “shtatë krajlat” (gjashtë Fuqitë e Mëdha së bashku me Perandorinë Osmane), rreshtimi i të cilëve kundër Shqipërisë shkaktonte te shqiptarët jo frikë, por krenari.

Krenaria kombëtare, e lidhur ngushtë me besimin për të ardhmen, mbizotëron pothuajse në të gjitha këngët popullore historike të kësaj periudhe. Shqiptarët janë krenarë, sepse asnjëherë nuk i kanë lëshuar armët kundër sundimtarit osman: “Se Shqipnia e ka pas adet / Nga një pashë me mbyt për vjet!”, thuhet në një këngë popullore të këtyre viteve. Sef Kosharja nuk e ndien veten të turpëruar, si dikur kreshnikët mesjetarë, kur mareshali osman Dervish Pasha e dënoi me varje në majën e një lisi. Përkundrazi, ai është krenar se vdes për atdhe (“Po hije m’ka mue, o djemt’e mi / Se kam lanë shpirtin për Shqipni”). Në një këngë tjetër popullore, Dervish Pasha, pasi e shtyp Lidhjen e Prizrenit pyet: Ku ndodhet Sulejman Vokshi, që nuk po e kap dot? Ku u zhduk populli që shkon pas tij? Dhe rapsodi përgjigjet: Janë atje lart në bjeshkë, atje ku zbardhin retë dhe së shpejti do të takohen përsëri me të (“N’ato bjeshkë, te retë e bardha / Q’atje nelt, ku zbardhin ret’/ Kjoft kysmet do’i shihsh opet!”). As Abdyl Frashëri nuk e ndien veten të mundur ose të turpëruar kur kalonte përmes Manastirit i lidhur me hekura dhe i shoqëruar nga xhandarët osmanë, të cilët po e çonin në burgun e Prizrenit. Përkundrazi, këndon rapsodi popullor, “emiri i Shqipërisë” (“udhëheqësi” i Shqipërisë) iu drejtua me krenari e me optimizëm një konsulli të huaj, i cili qeshi me ironi kur e pa të lidhur me pranga: “Ne e mbollëm këtë farë / Po të tjerë shqiptarë / Do ta korrin më të mbarë!”.
Edhe letërsia artistike e këtyre viteve u dallua për karakterin më të theksuar kombëtar luftarak, për lidhjen e ngushtë me detyrat politike, për rolin më të fuqishëm edukativ atdhetar dhe për vëllimin më të pasur të krijimeve letrare.

Vrulli i lëvizjes atdhetare që shpërtheu gjatë viteve të Lidhjes së Prizrenit tërhoqi në fushën e letërsisë mjaft pena të reja, por shumica e krijimeve të tyre letrare mbetën të pabotuara. Përveç “Alfabetares” dhe “Kanonizmës” së Shoqërisë së Stambollit, të cilat ishin një përjashtim, Porta e Lartë nuk lejoi asnjë shkrim tjetër shqip që të botohej në Perandorinë Osmane. Por edhe jashtë kufijve të saj mundësitë e botimit ishin të kufizuara. Vetëm pak shkrime shqipe arritën të botoheshin në ndonjë organ periodik të jashtëm, siç ishte gazeta “I foni tis Alvanias” që dilte në Athinë, ose revista “Iris”, që shtypej në Bukuresht. Për të siguruar një përhapje më të gjerë në rradhët e bashkatdhetarëve, disa krijime letrare shqipe, siç ishte poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës dhe himni me titull “Marsejeza” i Thimi Mitkos, u botuan në fletë qarkulluese dhe u shpërndanë në atdhe me anën e veprimtarëve të Lidhjes së Prizrenit. Pati gjithashtu krijime letrare, të cilat u shpërndanë në dorëshkrim midis bashkatdhetarëve. Kështu ndodhi, për shembull, me poemën “Shqipëria”, të shkruar nga Naim Frashëri.

Lëvizja letrare shqipe u zhvillua kryesisht në gjininë e poezisë luftarake. Kjo u lidh me detyrat politike e kulturore më të ngutshme që shtroheshin para lëvizjes kombëtare në përgjithësi dhe Lidhjes së Prizrenit në veçanti. Si rrjedhim, tematika e rrahur prej saj ishte po ajo që trajtoi edhe letërsia politike e atyre viteve. Në çdo poezi spikat thirrja për bashkimin e shqiptarëve si një trup i vetëm pavarësisht nga dallimet fetare. Të gjithë autorët e tyre dënojnë armiqtë e atdheut – Perandorinë Osmane, Fuqitë e Mëdha, monarkitë ballkanike dhe institucionet klerikale. Të gjithë lëshojnë kushtrimin për të rrëmbyer armët jo vetëm për të fituar lirinë e Shqipërisë, por edhe për të mbrojtur tërësinë e saj tokësore. Në të njëjtën kohë ata ftojnë bashkatdhetarët e tyre për të shkruar gjuhën amtare, lëvrimin e së cilës e vlerësonin si një armë të fuqishme jo vetëm për përparimin e vendit, por edhe për thellimin e lëvizjes atdhetare.

Krijimi letrar më i frymëzuar i viteve të Lidhjes së Prizrenit dhe në të njëjtën kohë një nga poezitë më përfaqësuese të mbarë Rilindjes Kombëtare është poema “Mori Shqypni” e Pashko Vasës. Me një pasuri figurash poetike, me një patos romantik atdhetar dhe me një gjuhë të rrjedhshme, autori synon të ngrejë peshë zemrat e bashkatdhetarëve në luftë për lirinë e atdheut. Ai e fillon poemën e vet duke kundërvënë mjerimin e atëhershëm të Shqipërisë me madhështinë e saj të dikurshme. Shqipëria, këndon poeti, dikur zonjë e nderuar, nënë trimash të dëgjuar, të cilët në të kaluarën i kallnin tmerrin armikut, tani ishte e shtrirë përdhe si një lis i lartë, gjithkush e shkelte me këmbë trupin e saj dhe askush nuk e thoshte një fjalë të ëmbël për të. Pse ndodhte kjo? Kjo ndodhte, theksonte autori, jo se shqiptarët e kishin humbur trimërinë dhe atdhedashurinë e dikurshme, por se ishin të përçarë nga institucionet fetare, se ishin të ndarë nga krerët në njëqind “çeta” dhe, si rrjedhim, në vend që të bashkoheshin kundër armiqve, luftonin kundër njëri-tjetrit. Pas tablosë dramatike, fillon shpërthimi epik i poetit atdhetar, i cili i fton shqiptarët të lënë mënjanë fetë, të bashkohen të gjithë si vëllezër, të lidhen të gjithë në një besë, të rrëmbejnë të gjithë armët dhe “Para se të humbasë kështu Shqipnia / Me pushkë në dorë le të vdesë trimnia”. Poema arrin pikën e vet kulmore kur autori lëshon thirrjen për të mbrojtur me çdo kusht tokën shqiptare: “Asht toka jonë, t’parët na e kanë lanë / Kush mos e preki! Të vdesim të tanë! / Të vdesim si burrat qi diqen motit”.
Këtë kalim nga nota heroike për të kalurën në gjëmën elegjiake për të tashmen, e përdorën edhe autorë të tjerë të këtyre viteve, si Thimi Mitkoja, Naim Frashëri dhe Nikolla Çako, pasi u jepte dorë që të ndiznin me patos atdhetar zemrat e bashkatdhetarëve në luftën për çështjen e madhe të Shqipërisë.

Të gjithë krijuesit letrarë të periudhës së Lidhjes së Prizrenit janë krenarë për të kaluarën e shqiptarëve, e cila zë fill me pellazgët parahistorikë, ata krenohen për figurat e mëdha që kanë hyrë në historinë e njerëzimit, si Aleksandri i Maqedonisë, Pirroja i Epirit, sidomos Skënderbeu (që, siç theksonte Naim Frashëri, i dha “dërmën” Perandorisë Turke) ose Marko Boçari (që, siç shprehej Nikolla Çako, fitoi kundër “skllavërisë” osmane). Nëpërmjet këtyre evokimeve ata i përgjigjeshin në të njëjtën kohë atij opinioni konservator evropian, që e paraqiste kombin shqiptar si një popull pa histori. Madje, si poetë, ata reagonin më me pasion sesa si prozatorë, duke arritur deri në atë shkallë sa lashtësinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk e shprehnin me argumente historike, por me hiperbola letrare (për Naimin Shqipëria ka qenë gjallë që kur u krijua bota, për Mitkon shqiptarët kanë lindur para se të formohej hëna).

Ashtu si Pashko Vasa, edhe poetët e tjerë e përshkruajnë gjendjen e Shqipërisë së atyre viteve me ngjyrat më të errëta. Ata kanë pika takimi edhe kur trajtojnë detyrat që shtroheshin para vendit. Ç’na duhet trimëria, theksonte Naimi, në qoftë se prej saj nuk fiton gjë Shqipëria? Madje, vijonte ai, sot Shqipëria ka nevojë jo vetëm për trimërinë e bijve të saj, por edhe për diturinë e tyre e në mënyrë të veçantë për lëvrimin e gjuhës amtare. Në një thirrje të vargëzuar Thimi Mitkoja u kujtonte bashkatdhetarëve se për të shpëtuar nga sundimi i huaj dhe për ta ndritur kombin e tyre, duhej të luftonin për tri çështje: për lirinë, për vetëligjësinë (autonominë) dhe për shkrimin e gjuhës shqipe, përveç detyrës që ishte në rend të ditës – mbrojtja e trojeve shqiptare. Madje, të pushtuar nga patosi atdhetar, shpeshherë ata shkuan më larg se kërkesat që përmbante programi politik i Lidhjes së Prizrenit. Në shumicën e rasteve ata u bënë thirrje vëllezërve të tyre jo aq për “vetëligjësi”, sesa për “zbimin e Turqisë” dhe “lirinë e Shqipërisë”, si në kohën e Skënderbeut.

Karakteristikë tjetër e përbashkët e poetëve të këtyre viteve ishte optimizmi për të ardhmen e atdheut. Ashtu si në shkrimet politike, edhe në krijimet letrare autorët ishin të bindur se, me djem trima si ata që luftuan në Guci dhe me udhëheqës të ndritur si Abdyl Frashëri me shokë, Shqipëria e robëruar dhe e prapambetur do ta fitonte një ditë lirinë e humbur e do të hynte shpejt në rrugën e qytetërimit. Në një poezi greqisht, një poet anomin e shprehte optimizmin e vet për luftën e mëtejshme të shqiptarëve me këto katër vargje: “Sa kohë jetojnë bijtë e Gjergjit të Madh / në Shqipëri, / Sa kohë që ata kanë moshën rinore / dhe shquhen për trimëri, / Sapo të vijë pranvera dhe tërfili / të mbijë përsëri, / Karejfili? i shqiptarit do të ushtojë / prapë për liri!”.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]