Liqenet e mëdha amerikane

Liqenet e Mëdha të famshme të krijuara nga shkrirja e shtresave të akujve, shtrihen në pesë lugina të lashta lumore: Këto lugina janë krijuar miliona vjet më parë; ndërsa vetë liqenet janë shumë më të reja: prejardhja e tyre duhet kërkuar në periudhën e fundit të erës kuaternare. Mosha e tyre është afërsisht 8-10 mijë vjet. Shtresat e akujve, që kishin zbritur deri në zonat veriore të kontinentit të Amerikës Veriore, u tërhoqën më vonë deri aty ku shtrihet sot kufiri midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur akujt u tërhoqën, luginat e vjetra, që ishin thelluar edhe më shumë nga akujt, u mbushën me ujin që rrodhi nga shkrirja e vetë akujve. Ujërat, meqenëse nuk kishin sesi të derdheshin drejt veriut për shkak se rruga ishte e zënë nga akujt, vërshuan në drejtim të jugut. Pastaj, gjatë periudhave të ndryshme, ato ose vërshonin drejt ultësirës së Misisipit, ose derdheshin në lumenjtë e ndryshëm që e kishin grykëderdhjen në gjirin Hadsën. Akujt vazhduan të shkrinin dhe të tërhiqeshin vazhdimisht në drejtim të veriut. Toka, që kishte duruar gjer atëherë shtypjen shumë të madhe të shtresave të rënda të akujve, dalëngadalë zuri të ngrihej, krahas pakësimit të peshës së akujve. Për ujërat u hap një rrugë e re në drejtim të Kanadasë: lumi Shën Lorenc, nëpërmjet të cilit derdhen në det ujërat e Liqenit të Sipërm dhe të Liqenit Miçigan, përmes liqeneve Huron, Erie dhe Ontario.

Sigurisht uji që mbeti nga shkrirja e akujve në Liqenet e Mëdha, ka avulluar prej kohësh, por ky vend është një zonë me reshje të shumta dhe, veç i: kësaj, liqenet ushqehen nga ujërat e trojeve rreth e rrotull. Pellgu i tyre ka një sipërfaqe dy herë më të madhe sesa ajo e vetë liqeneve. Ato kanë një vëllim uji prej rreth 24. 000 kilometra kub ujë, që është një sasi e mjaftueshme për të mbushur një enë të gjerë 80 kilometra, të gjatë 10 dhe të lartë 30 kilometra. Në këtë mënyrë liqenet furnizohen mirë me ujë dhe e vënë hë vend ujin që derdhin në lumin Shën Lorenc me një ritëm prej 6-8 milionë litrash në sekondë. Liqene të tjera të formuara në vendet ku dikur kanë pasë qenë shtrirë lugina, janë liqenet e zonave alpine të Zvicrës, të Italisë Veriore etj.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]