LUFTËRAT ILIRO-MAQEDONASE


LUFTËRAT ILIRO-MAQEDONASE
✤ (shek. IV p.e.r.). Ndeshjet për mbrojtjen e krahinave lindore ilire nga sulmet pushtuese maqedonase. Përpjekjet e para u bënë në 423, 393, 385 p.e.r.. dhe u fituan nga ilirët. Në luftën e v. 359 p.e.r. në trevën rreth liqenit Lyhnid (Ohër), forcat maqedonase që drejtoheshin nga Filipi II kishin 10.000 këmbësorë dhe 600 kalorës. Ushtria ilire, e drejtuar nga Bardhyli, kishte 10.000 këmbësorë dhe 500 kalorës. Duke i rreshtuar forcat me radhë lë shtrënguara në formë pyke («tulle»), ilirët përballuan me sukses sulmet e falangës dhe të kalorësisë maqedonase. Në fund të betejës, ushtria ilire u tërhoq në thellësi të vendit, në malet e Taulantëve. Ushtria maqedonase nuk ishte në gjendje të kalonte në ndjekje. Më 344 Filipi kaloi përsëri në sulm. Ilirët i shkaktuan humbje të mëdha, vetë Filipi mbeti i plagosur, por duke pasur epërsi në forca dhe makina luftarake, maqedonasit pushtuan disa krahina rreth liqenit të Ohrit dhe në Dasareti (pellgu i Korçës). Më 335 shpërtheu kryengritja e ilirëve kundër maqedonasve, e drejtuar nga Kliti (shih), i cili pushtoi fortesën e Pelionit. Në bashkëveprim me forcat e Glaukias, ata e mbrojtën Pelionin (shih) kundër sulmeve të Aleksandrit të Maqedonisë, duke bashkërenduar veprimet e forcave brenda jqytetit, me ato të njësive sulmuese të Glaukias, të vendosura jashtë nëpër lartësitë rreth qytetit. Por ata nuk mundën ta mbanin, para një kundërsulmi të befasishëm të Aleksandrit.

(R. T.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Luftërat Iliro-Maqedonase


[cite]