Mustafa pashë Bushatlliu në luftën ruso-osmane të viteve 1828-1829

Mustafa pashë Bushatlliu në luftën ruso-osmane të viteve 1828-1829

Porta e Lartë, që kërkonte me çdo kusht të shuante kryengritjen greke, në pranverën e vitit 1824 e urdhëroi vezirin Bushatlli, pa mbërritur mirë në Shkodër nga Akarnania, të nisej përsëri kundër lëvizjes greke. Por ky nuk pranoi jo vetëm pse kërkonte të ruante forcat e veta për t’u bërë ballë turbullirave brenda pashallëkut dhe për t’u mbrojtur nga rivali i tij, Dervish pashë Peja, që ishte emëruar vali i Rumelisë, por edhe sepse ushtarakët shkodranë e malësorët nuk dëshironin të ktheheshin në Greqi ku, krahas të tjerave, kishin shpërthyer edhe epidemitë.
Megjithatë, më 1825, si Bushatlliu, ashtu dhe pashallarët kosovarë u detyruan të dërgonin nën komandën e valiut të Rumelisë, Mehmet Reshid pashës, kontingjentet e tyre ushtarake, por kur panë trajtimin e keq të shqiptarëve nga kryekomandanti osman, që po i përdorte ata si mish për top, i tërhoqën forcat e tyre. Kjo shkaktoi zemërimin e valiut, që ra sidomos mbi Mustafa Pashën e Shkodrës.
Veziri Bushatlli, pushteti i të cilit ende nuk ishte konsoliduar si duhej, u mundua t’u shmangej sa më shumë detyrimeve ndaj pushtetit qendror. Kështu veproi atëherë edhe shumica e pashallarëve kosovarë. Mirëpo Mehmet Reshid pasha përsëri shkaktoi ngatërresa midis tyre. Me kryengritjen që nxiti në marsin e vitit 1826 në Prishtinë kundër Jashar Pashës, kunatit të Tahir pashë Bushatlliut, dhe me një komplot që organizoi në muajin maj të të njëjtit vit në Shkodër për të vrarë Mustafa Pashën e për të sjellë në fuqi Tahir Pashën, ai arriti të përçante pashallarët gegë. Përçarja u thellua më shumë me shpalljen e reformës ushtarake, pasojat e rënda të së cilës për pushtetin e tij, veziri shkodran, edhe pse me vonesë, i kuptoi dhe e kundërshtoi së bashku me krerët feudalë boshnjakë, të cilët u shpallën gjithashtu haptazi kundër saj. Mirëpo, edhe pse sistemi i ri ushtarak binte ndesh gjithashtu me interesat e pashallarëve kosovarë, këta jo vetëm nuk ndoqën veprimin e Bushatlliut, por iu kundërvunë atij duke ndihmuar përfaqësuesin e Portës së Lartë në Bosnjë, vezir Abdurrahman Pashën. Ky mundi ta paralizonte për një kohë lëvizjen boshnjake dhe pas kësaj filloi të vepronte kundër Mustafa Pashës duke bërë presion në kufijtë e pashallëkut të tij me anën e forcave të pashallarëve të Shkupit e të Prizrenit. Por edhe këto veprime u ndalën, pasi Bushatlliu dërgoi kundër këtyre dy pashallarëve shqiptarë një ushtri prej 14 000 vetash. Pas kësaj Porta e Lartë, u detyrua të ndërhynte për ndërprerjen e konfliktit.

Në vitin 1826 veziri Bushatlli kundërshtoi të dërgonte forca ushtarake në Greqi. Mirëpo Porta e Lartë, që po shkonte drejt një konflikti të madh me Fuqitë e Mëdha evropiane, të cilat filluan të ndërhynin hapur në favor të njohjes së Greqisë si shtet më vete, nuk hoqi dorë nga përpjekjet për ta tërhequr atë dhe për të përdorur me ndihmën e tij potencialin ushtarak të Gegërisë. Porta kërkoi prej Mustafa Pashës të ngrinte një ushtri prej rreth 40 000 vetash të përbërë prej ushtarësh shqiptarë gegë, duke i dërguar edhe listën e pashallarëve, të bejlerëve dhe të kapedanëve që do të hynin nën komandën e tij. Ai u porosit me këtë rast, që t’i trajtonte si kryengritës të gjithë ata krerë që nuk do t’i bindeshin.

Ky urdhër e joshi Bushatlliun, sepse do t’i shërbente para së gjithash, forcimit të autoritetit të tij në Gegëri. Por këtij urdhri kundërshtuan t’i bindeshin Abaz Pasha i Dibrës dhe Mehmet Pasha i Matit. Kapedani i Mirditës, që u ngarkua për t’i bindur këta të bashkëpunonin, tërhoqi pas Bushatlliut feudalin e Matit, kurse atë të Dibrës nuk arriti ta bindte. Në këto rrethana, në nëntor të vitit 1827, Mustafa Pasha nisi kundër tij 18 000 ushtarë. Ndërkaq edhe feudalët dibranë u përçanë. Kundër Abaz Pashës u ngritën malësorët dibranë. I shqetësuar se mund të vritej nga njerëzit e vet, Abaz Pasha u arratis. Kështu Mustafa Pasha mundi të konsolidonte pozitën e vet edhe në këto treva. Ndërkohë Porta e Lartë gradoi si mirmiran djalin e tij të madh, Mahmud Beun, dhe vazhdoi ta joshte këtë kundërshtar të reformave për aq kohë sa pati nevojë për mbrojtjen e kufijve tokësorë e detarë të perandorisë. Këto ishin rrethanat në të cilat u gjend Pashallëku i Shkodrës dhe përgjithësisht Shqipëria e Veriut dhe ajo e Verilindjes në prag të fillimit të luftës ruso-turke të vitit 1828-1829.
Fillimi i kësaj lufte solli pushtimin nga ushtria ruse të Vllahisë dhe të Moldavisë. Ushtria osmane në kushtet kur nuk i erdhi në ndihmë as kontingjenti i fortë ushtarak boshnjak që ishte paraparë të dërgonte veziri i Bosnjës, nuk e ndali dot vrullin e rusëve. Ndërkaq, më 8 qershor 1828 shpërtheu kryengritja e krerëve boshnjakë kundërshtarë të reformave. Kjo bëri që edhe kontingjenti ushtarak i Bosnjës që ishte në rrugë drejt frontit rus, të mos arrinte atje dhe të shkrihej krejtësisht.

Në këtë gjendje të vështirë Porta i drejtoi sytë në Shqipëri. Duke pasur si synim që forcat e Shqipërisë Veriore t’i përgatiste për frontin e Danubit, Porta dërgoi në Shkodër një funksionar të Lartë, i cili u ngarkua të formonte një ushtri të fortë dhe sipas sistemit të ri ushtarak. Por urdhri u anulua, kur Mustafa Pasha i deklaroi sulltanit se shqiptarët gegë e urrenin atë sistem, dhe për rrjedhojë ishte rrezik që të hidheshin në kryengritje sikurse ndodhi në Bosnjë. Atëherë Porta pranoi që përgatitja e ushtrisë të bëhej sipas sistemit të vjetër, por me kusht që pashai shkodran të nisej drejt Danubit për të zhbllokuar në radhë të parë Vidinin, që rrezikohej të rrethohej prej rusëve e të binte në duart e tyre.

Për të mënjanuar humbjet e mëdha që do të pësonin forcat e tij ushtarake në një luftë fundi i së cilës po dukej qartë, Mustafa Pasha bëri të gjitha përpjekjet për të vonuar nisjen e tyre në frontin e Danubit. Për këtë i dhanë dorë disa ngjarje jo të parëndësishme. E tillë ishte kërkesa që Mali i Zi i bëri carit rus për të dërguar kuadro e të holla për të gozhduar në vend pashallarët e zonave kufitare shqiptare dhe për t’i penguar të niseshin për në front. Një ngjarje tjetër e tillë ishte kryengritja e zonës së Peshterit, ku Bushatlliu dërgoi një forcë prej 4 000 vetash. Më në fund, ai përfitoi edhe nga fakti që as pajisjet dimërore dhe as fondet e të hollave e për pasojë, as forcat e vartësve të tij, nuk i mbërritën me kohë. Në këto rrethana, Bushatlliu kërkoi shtyrjen e kohës së nisjes së tij për në pranverën e vitit 1829, të cilën Porta u detyrua ta pranonte.

Sapo mori vesh se Mehmed Reshid pasha u emërua Vezir i Madh dhe kryekomandant, Mustafa Pasha me qëllim që të mos vihej nën vartësinë e tij të drejtpërdrejtë, kërkoi nga Porta e Lartë ta lejonte që me forcat e veta, me ato të pashallarëve kosovarë dhe me 20 000 ushtarë boshnjakë, të formonte një ushtri të madhe prej 60 000 vetash, që do të vepronte në sektorin e Vidinit. Sulltani e pranoi këtë propozim duke menduar se kjo, edhe pse mund të mos i sillte dobi ushtarake, do t’i sillte përfitime me karakter politik, do t’i duhej për bisedimet për paqe që kishte ndërmend t’i fillonte së shpejti.

Në literaturën e huaj e sidomos në atë franceze është pohuar se fermani i sulltanit për të caktuar Bushatlliun si komandant të pavarur në sektorin e Vidinit, u nxor falë ndërmjetësisë që princi Milosh i Serbisë bëri pranë Portës. Ky pohim nuk qëndron, sepse në dokumentacionin osman nuk bëhet fjalë fare për një ndërmjetësim të tillë për këtë emërim. Edhe vonesa e nisjes së Bushatlliut për në front, në këtë literaturë lidhet me princ Miloshin, i cili e paska siguruar atë se rusët do ta ndihmonin të bëhej sundimtar i pavarur po qe se nuk do të merrte pjesë në luftën kundër tyre. Por, siç treguan ngjarjet e mëvonshme, edhe ky pohim është po aq i pabazuar sa edhe i pari.
Bushatlliu duhej të ishte nisur më 15 maj, por doli nga Shkodra vetëm më 6 qershor. Kjo ndodhi për shkak se në atë kohë banorët e Ljeshko Poljes, të Kuçit dhe të Piprit, jo vetëm nuk pranuan të dërgonin ushtarët, për të cilët kishin marrë edhe paradhëniet, por sulmuan kështjellën e Shpuzës dhe të Zhabjakut. Mustafa Pashës, para së gjithash, iu desh të sqaronte, se mos këto sulme i kishte organizuar Vladika dhe të dërgonte kundër tri krahinave rebele një forcë prej 5 000 vetash.
Më 6 qershor, pasi la si zëvendës djalin e vet, Mahmud Pashën, dhe këshilltar të tij Xheladin Beun e Ohrit dhe, pasi mbylli në pallat kushërinjtë rivalë, Tahir Pashën e Dervish Beun, Bushatlliu u nis për në frontin e Danubit. Duke menduar se ndërkaq do të sheshoheshin mosmarrëveshjet ruso-turke, për të cilat kishin filluar bisedimet për paqe, ai i imponoi ushtrisë së tij prej 20-25 000 vetash (me të nuk u bashkuan as boshnjakët e as forcat e disa pashallarëve shqiptarë), një marshim të ngadalshëm dhe vetëm më 6 korrik mbërriti gjysmë ore afër Vidinit, ku vendosi kampin e vet.

Ndërsa ndërmjetësit e të dy perandorive ndërluftuese kishin filluar bisedimet për paqe, ushtritë osmane pësuan disfata të rënda. Pasi dogjën flotën osmane në Detin e Zi, pasi pushtuan kështjellën e Silistrës dhe e detyruan Mehmet Reshid pashën të futej në kështjellën e Shumlës, rusët kërkuan si kusht për përfundimin e paqes dorëzimin e një numri fortesash, ndër të cilat edhe atë të Shumlës. Në rast të kundërt, e kërcënuan ata Portën, paqja do të nënshkruhej në Stamboll. Këto fitore u dhanë mundësi rusëve të drejtoheshin në Edrene dhe prej aty drejt Stambollit, prandaj i ndërprenë bisedimet.

Shthurja në ushtri dhe paniku që u përhap në perandori, e detyruan Portën e Lartë të shpejtonte përfundimin e paqes dhe të dërgonte të plotfuqishmit e saj në Radost, ku gjendej Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse. Por, meqenëse Mustafa Pasha arriti të detyronte ushtrinë ruse, që ndodhej 18 orë larg Vidinit, në qytetin Orahovë, ta braktiste këtë qytet të pushtuar qysh në maj, sulltani vendosi ta përdorte këtë fitore si mbështetje për dërgatën e tij diplomatike. Mustafa Pashën e emëroi kryekomandant të korparmatës së Rumelisë Qendrore, duke e urdhëruar që të vendosej midis Edrenesë e Stambollit për të mbrojtur kryeqytetin. Por, ndërsa Bushatlliu filloi marshimin nga Vidini për të zbatuar urdhrin e sulltanit, Edreneja ra më 22 gusht 1829 në duart e rusëve, të komanduar nga gjenerali Dibiç. Kjo ngjarje u dha rusëve mundësinë që të kërkonin zhvillimin e bisedimeve për paqe në këtë qytet.
Diplomatët osmanë, që ishin vënë në dijeni për lëvizjen e forcave të Mustafa Pashës, kërkuan prej tij t’i afrohej Edrenesë deri në vendin Haskëj, me qëllim që ta bënin më të efektshëm vringëllimën e armëve. Por gjenerali Dibiç protestoi, duke deklaruar se afrimi i tij do të sillte ndërprerjen e bisedimeve.

Rusët ishin të shqetësuar, sepse, përveç 40 000 ushtarëve që solli me vete nga Vidini, Mustafa Pasha e shtoi potencialin ushtarak edhe me repartet e vezirëve të ndryshëm që u vunë nën komandën e tij.
I bindur se as ushtria vullnetare, që u ngrit për mbrojtjen e Stambollit dhe as ajo e Mustafa Pashës nuk ishin në gjendje t’u bënin ballë forcave ruse, sulltan Mahmudi II nxori vendimin e divanit për të nënshkruar paqen me çdo kusht. Sulltani, edhe pse Mustafa Pasha mund t’ua merrte përsëri Edrenenë rusëve, nuk pranoi zgjatjen e luftimeve për të mos pësuar ndonjë humbje më të rëndë dhe urdhëroi nënshkrimin e Traktatit të Paqes.

Megjithëse e ndiente veten të fyer për shkak se përfundimin e traktatit të paqes dhe kushtet e tij i mësoi nga gazetat dhe jo nga kanalet zyrtare, Mustafa Pasha nuk diskutoi më tej dhe me të marrë pëlqimin e qeverisë, u kthye në vendlindje. Sulltani jo vetëm i dërgoi rrogat e prapambetura të ushtarëve, por i dha atij si dhuratë një shpatë të stolisur me xhevahire. Dhurata të ngjashme ai u dërgoi edhe pashallarëve kosovarë.
Gjatë luftës së Turqisë me Rusinë, të viteve 1828-1829, Bushatlliu, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të perandorisë, forcoi pozitën e vet në sy të shqiptarëve e krerëve të tyre, e shtriu pushtetin edhe në sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, dhe, duke mbetur kundërshtar i reformave centralizuese, u afrua me krerët boshnjakë dhe ata të Rumelisë, u bë një qeveritar krahinor i rrezikshëm për Portën e Lartë, një pengesë që ajo vendosi ta zhdukte sa më parë.

Krahas fuqizimit të pushtetit të Bushatllinjve në Pashallëkun e Shkodrës, në fundin e shek. XVIII e sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek. XIX, u forcuan edhe mjaft familje feudale në Shqipërinë Verilindore (Kosovë) dhe në atë Lindore (trevat shqiptare në Maqedoninë e sotme). Disa prej këtyre familjeve të fuqishme ishin me origjinë të hershme feudale, ndërsa të tjerat u shfaqën rishtas si rezultat i fitores në rivalitetet e ashpra me familje të tjera kundërshtare. Kështu në Prizren u ngrit familja e Rrotullajve, të cilët, të paktën që nga viti 1794, kur mundën të mposhtin e të dëbojnë kundërshtarët e vet, Sali Pashitët, sunduan si të plotfuqishëm në këto anë, duke i dhënë sanxhakut të Prizrenit karakterin e një pashallëku të vogël. Më të njohurit e kësaj familjeje në dekadat e para të shek. XIX u bënë Rustem Pasha dhe Mahmud pashë Rrotulla, të cilët qeverisën këtë sanxhak përkatësisht gjatë viteve 1801-1806 dhe 1809-1836. Gjurmë të thella la në historinë e viseve veriore të Shqipërisë sidomos veprimtaria politike e familjes së fuqishme të Begollajve të Pejës. Pinjollë të shquar të saj që nga shek. XVII patën qeverisur në mënyrë periodike, jo vetëm rajonin e Pejës, por edhe sanxhakun e Shkodrës.
Ndikim të veçantë në zhvillimet politike të Kosovës gjatë kësaj kohe kishte edhe familja e Gjinollëve e vendosur në Prishtinë. Nga kjo familje u shquan sidomos Maliq Pasha dhe i nipi Jashar Pasha, të cilët gjatë këtyre viteve sunduan me dorë të hekurt në qytetin e Prishtinës dhe rrethinën e tij.

U dalluan gjithashtu për nga fuqia e tyre politike dhe ekonomike familje të tjera në qytete të ndryshme shqiptare, si në Vuçiternë, Tetovë etj. Megjithatë, fuqizimi i familjeve shqiptare në viset verilindore dhe lindore nuk arriti atë shkallë ndikimi dhe atë pushtet që patën fituar Bushatllinjtë në Shqipërinë Veriore dhe Ali pashë Tepelena në atë Jugore.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]