NDËRTIMET HIDROENERGJETIKE


NDËRTIMET HIDROENERGJETIKE
✤ (HIDROCENTRALET). Vepra që ndërtohen zakonisht në lumenj.dhe shërbejnë për shfrytëzimin e energjisë së ujit për prodhimin e energjisë elektrike. N.H. përfshijnë vepra hidroteknike: diga, vepra të marrjes së ujit me sistemin e sjelljes dhe ndërtesën e centralit, vepra të shkarkimit të prurjeve maksimale dhe vepra të devijimit të lumit gjatë ndërtimit. N.H. morën zhvillim të vrullshëm pas Çlirimit. Më 1951 u ndërtua HEC i parë, ai «V.I. Lenin». Më pas në lumin e Matit u ndërtuan HEC «Karl Marks» dhe «F.Engels», në lumin Bistricë u ndërtuan HEC «J.V.Stalin» si dhe Bistrica 2. U bë edhe studimi dhe miratimi i skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin (shih), që është një nga arritjet e shquara të shkencës hidroenergjetike shqiptare. Realizimi i kësaj skeme filloi me ndërtimin e HEC të Vaut të Dejës, e më pas të HEC «Drita e Partisë» në Fierzë, HEC «Enver Hoxha» në Koman dhe do të plotësohet me ndërtimin në të ardhmen të HEC në Skavicë e Bushat. Po kryhen studime për skemat e shfrytëzimit hidroenergjetik kompleks të burimeve të tjera ujore të vendit tonë, siç janë lumenjtë Vjosë, Devoll, Osum, Shkumbin etj. për HEC që do të ndërtohen në të ardhmen. Janë ndërtuar edhe mjaft HEC të vogla si HEC i Bogovës (2500 kW, 1972), HEC i Smokthinës (9200 kW, 1976) etj. Vazhdojnë studimet për ndërtimin në të ardhmen edhe të HEC të vogla e të mesme në degë të lumenjve kryesorë e në burime të tjera ujore, si në Benjë (Gostimë), Curraj, Savaj, Gjanç, etj. Ndër studiuesit, projektuesit e zbatuesit e sotëm në fushën e N.H. përmenden Petrit Radovicka, Farudin Hoxha, Javer Çobani, Emin Mysliu, Leandro Zoto, Egon Gjadri, Muhedin Muço, Ismail Ahmeti etj.

(J.Ç.—E.Gj.—J.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ndërtimet Hidroenergjetike


[cite]