Ndryshimet në strukturën shoqërore
Përparimet në degët e ndryshme të ekonomisë çuan në rindarjen e punës midis sekseve dhe për pasojë në ndryshimin e pozitës shoqërore të burrit dhe të gruas. Burri duke u marrë tani si me bujqësi e blegtori, ashtu edhe me prodhimin metalurgjik, zuri vendin drejtues në ekonomi e shoqëri, ndërsa roli i gruas u dobësua. Kjo solli ndryshime dhe në marrëdhëniet shoqërore, të cilat u shprehën në zëvendësimin e rendit gjinor matriarkal me atë patriarkal dhe në kalimin nga familja matriarkale me çifte në familjen patriarkale monogame, e cila u bë dhe bërthamë e shoqërisë fisnore të kësaj kohe. Brenda fisit ajo formonte një njësi të pavarur ekonomike e shoqërore. Pjesëtarët e saj i lidhte prona e përbashkët e familjes, prodhimi dhe konsumi i përbashkët. Të gjithë pjesëtarët e familjes ishin të barabartë midis tyre, kurse kryetari ishte i pari midis të barabartëve.
Gjatë epokës së bronzit struktura e fisit u bë më e ndërlikuar. Midis familjes dhe fisit u krijua një hallkë tjetër, vëllazëria, e cila përmblidhte disa familje të mëdha patriarkale, të dala nga ndarja e familjes mëmë.
Pasqyrë e këtij organizimi shoqëror janë monumentet skulpturore të kësaj kohe, tumat, të cilat janë varre apo varreza kolektive të një familjeje, vëllazërie ose fisi. Inventari i varreve të tyre flet dhe për diferencim social të popullsisë dhe një shtresëzim fillestar të saj, që e ka bazën te përparimet e shënuara në ekonomi dhe te mundësia që u krijua për grumbullimin e një lloj pasurie prej kësaj. Vetë ky fakt nënkupton krijimin e premisave për lindjen e pronës private, që do të sjellë në të ardhmen shpërbërjen e bashkësisë primitive.
Prirja për të shtuar pasurinë, për të fituar toka e kullota të reja çoi gjatë kësaj epoke në konflikte e lufta të vazhdueshme. Lëvizjet dhe dyndjet e mëdha të popullsive që vërtetohen në mënyrë të qartë, përmes të dhënave arkeologjike, janë një shfaqje e kësaj dukurie. Lindja e vendbanimeve të fortifikuara, përsosja e armëve dhe vendi që zënë ato në inventarin e varreve, dëshmojnë se nga fundi i epokës lufta ishte bërë një funksion i rregullt në jetë. Plaçkitjet dhe përfitimet e tjera që vinin prej saj, rritën një shtresë udhëheqësish ushtarakë, e cila filloi të veçohet nga masa e gjerë e anëtarëve të fisit, duke u pasuruar përmes përvetësimit të pjesës më të madhe të plaçkës së luftës dhe të robërve të saj. Këta të fundit do të bëhen pastaj burim për format më të hershme të shfrytëzimit të njeriut si skllav në familjet patriarkale ose ndryshe për lindjen e skllavërisë patriarkale.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti