NEMËRÇKA


NEMËRÇKA
✤ Mal në kufirin midis rrethit të Gjirokastrës dhe të Përmetit, më i larti në Shqipërinë Jugore (Maja e Dritës 2489 m). Maja të tjera të larta janë: e Gatakut (2269 m), e Qesarit (2253), e Poliçanit (2138 m) etj. Shtrihet rreth 20 km nga Qafa e Dhëmbelit në V e deri tek kufiri shtetëror në J me gjerësi 4-10 km. Është ndërtuar nga gëlqerorë të mesozoit dhe të paleogjenit, që përbëjnë një strukturë të gjatë antiklinale. Kurrizi është tepër i karstëzuar. Shpati L ka rënie të madhe, shpesh në formë rrëpire, është i pakalueshëm, ndërsa ai i P_ është më i rregullt. Akullimet e kuaternarit kanë lënë gjurmë të dukshme në reliev në formën e cirqeve që ndodhen në shpatin L, mbi 1700 m e ku grumbullohet dëborë e shumtë. Aty fillojnë përrenj të vrullshëm malorë (Përroi i Kazanit, i Draçovës etj.). Në nëntor-prill është i mbuluar me dëborë. Në shpatin P të N. bien shpesh ortekë dëbore. Pyjet janë të rralla, mbizotërojnë shkurret, ndërsa halorët kanë përhapje të kufizuar. N. është e pasur në kullota verore, sidomos kurrizi i malit dhe shpati P. Ndër kafdiët e egra takohet thëllëza e malit, gjeli i egër, dhia e egër, derri i egër etj.

(F.Kr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Nemërçka


[cite]