Nikolla
(greqisht: Νικόλαος) Nikolla (270-343) ka lindur në vitin 270 pas Krishtit në qytetin Paratara të Azisë së Vogël nga një familje fisnike. Në moshë të re ai mbeti jetim dhe zotëronte një pasuri të madhe, të cilën e përdori për vepra bamirësie. I dhënë me mish e me shpirt pas fesë së krishterë, Nikolla vizitoi vendet e shenjta dhe pasi u kthye në atdhe u dorëzua prift. Me vdekjen e Kryepiskopit të Mirës së Likisë, klerikët zgjodhën njëzëri Nikollën në vend të tij. Gjatë jetës baritore Kryepiskop Nikolla ngriti një sërë institucionesh bamirësie, si shtëpi për të varfërit dhe jetimët, spitale për të sëmurët, shtëpi për pleq etj. Shën Kolli ushtroi detyrën episkopale në një nga periudhat më të vështira të krishterimit, në kohën e persekutimit të Dioklecianit. Kryepiskopi i Mirës së Likisë nuk u tremb aspak nga përndjekjet e perandorit, por e shtoi më tepër veprimtarinë e tij duke predikuar ungjillin e Krishtit. Për këtë arsye në vitin 305 e burgosën dhe e keqtrajtuan. Në vitet e mbretërimit të Kostandinit të Madh, krishterimit iu dha liri të plotë, prandaj Nikolla në vitin 313 u lirua nga burgu. Ai u prit me gëzim nga grigja e tij dhe vazhdoi të kryente detyrën baritore dhe të mbronte interesat e grigjës. Kryepiskopi i Mirës së Likisë Nikolla ka marrë pjesë në Sinodin I Ekumenik të Nikesë, ku mbrojti me zell mësimin e vërtetë të kishës. Shën Kolli ndërroi jetë në moshë të thyer në Mira më 6 dhjetor 343. Lipsani i tij i shenjtë ndodhet në kishën e Shën Nikollës në qytetin e Barit në Itali. Kulti i Shën Nikollës u përhap në mbarë botën. Në Kostandinopojë në shek. V gjendeshin pesë kisha që i kushtoheshin shenjtit. Kur Azia u pushtua nga turqit, të krishterët e Evropës donin që lipsanet e Shën Kollit të mos përdhoseshin. Më 9 maj të vitit 1087, një grup besimtarësh u nisën nga Bari i Italisë për në Azinë e Vogël në kërkim të lipsaneve të shenjtit. Pas dy vjetësh ata u kthyen në Bari, duke sjellë me vete arkën me lipsanet e shenjta. Tradita thotë se në vendin ku ndaloi qerrja, u vendos që të ngrihet një kishë madhështore, në të cilën ruhen lipsanet e Shën Kollit. Besimtarët e Barit Shën Nikollën e shpallën mbrojtësin e qytetit të tyre. Njëmbëdhjetë vjet më vonë disa besimtarë venedikas u nisën në kërkim të lipsaneve të Shën Nikollës. Në vitin 1100 ata u kthyen nga Azia e Vogël, ku kishin arritur të siguronin një grusht me eshtra të Shën Kollit. Pasi ngritën një bazilikë madhështore në qytetin Lido, vendosën atje lipsanet e shenjta. Venedikasit e shpallën shenjtin mbrojtës së flotës së tyre. Besimtarët e Barit dhe ata të Venecias për shekuj me radhë debatuan për lipsanet e shenjtit. Pas analizave doli se të dy qytetet kishin pjesë nga lipsani i Shën Kollit. Shën Nikolla është shenjti që mbron peshkatarët dhe marinarët, fëmijët dhe vajzat beqare, nxënësit e shkollave, farmacistët, tregtarët etj. Kulti i shën Kollit u përhap me shpejtësi në Evropë. Prej emigrantëve holandezë u dërgua në Amerikë me emrin Santa Klaus, prej nga lindi edhe legjenda e plakut të Vitit të Ri.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Shën Kolli, Ngjallja, dhjetor 1992, faqe 5.
2-Shën Kolli, Shenjti me dy varre, Shqip, 22 korrik 2007, faqe 37.