Një botë në shndërrim të vazhdueshëm

Një botë në shndërrim të vazhdueshëm

Deri para dy shekujve pothuajse të gjithë shkencëtarët mendonin se Toka ishte formuar para nja gjashtë mijë vjetësh, dhe për këtë mbështeteshin kryekëput në përrallat e fesë. Ata ishin gjithashtu të mendimit se pas formimit, Toka kishte mbetur ashtu siç ishte në fillim, e pandryshuar. Këto mendime nuk na habisin edhe aq. Po të lëmë mënjanë përmbytjet e mëdha dhe vullkanet, që janë përgjithësisht dukuri të rralla, pamja e truallit tokësor pëson ndryshime fare të vogla gjatë jetës së një njeriu. Sot pamja e maleve me shkëmbinj të thepisur është pak a shumë ashtu siç ka qenë në kohën e gjyshërve tanë, ashtu siç ka qenë në kohët e vjetra e bile ashtu siç ka qenë edhe në epokën e gurit. Forcat që shkaktojnë ndryshimin e pamjes, së Tokës veprojnë kaq ngadalë, kaq pa u ndjerë, sa mund të themi pa frikë se edhe për shumë shekuj që do të vijnë, pamja e saj do të mbetet e pandryshuar.

Aftësia që kishte uji për të gërryer tokën ishte vënë re nga Aristoteli dhe nga dijetarë të tjerë të lashtësisë, por i pari që vuri në dukje rëndësinë e vërtetë të erozionit ka qenë një fizikan skocez, Xhejms Hatëni, i cili, megjithëse merrej me bujqësi, i shtyrë nga kureshtja e shkencëtarit, i qe vënë studimit të vëmendshëm të shkëmbinjve dhe të trojeve afër tokave të veta. Ai numëronte shtresat e ndryshme të shkëmbinjve bregdetarë dhe klasifikonte fosilet që vërente në to, studionte aftësinë shkatërruese të detit nëpër plazhet dhe veprimtarinë e lumenjve. Atij i dukej se bota ishte e formuar nga mbeturina, të grumbulluara gjatë gërryerjeve mijëravjeçare.

Në vitin 1795, Hatëni botoi një nga librat e parë interesantë të gjeologjisë: «Shkenca mbi Tokën». Në këtë libër ai thoshte se Toka duhej të ishte formuar disa qindra mijëra vjet më parë, një kohë kjo e mjaftueshme për shkatërrimin e maleve nga gërryerjet dhe për transportimin e mbeturinave të tyre në det, prej ku ato do të dilnin sërish më vonë. Forcat që shkaktonin këtë shkatërrim nëpërmjet gërryerjes vazhdonin të ishin në veprim, kështu që bashkëkohësit e Hatënit do të shndërroheshin në fosile që do të zbuloheshin në epokat e më pasme. Ishte e tmerrshme të mendoje se Toka ishte aq e vjetër, sa të dukej se nuk kishte pasur as fillim e nuk do të kishte as mbarim. Për disa vjet, kjo hipotezë, që dilte krejt në kundërshtim me bindjet e njerëzve të asaj kohe, nuk gjeti mbështetje, madje as nga ana e njerëzve më të ditur. Mbas disa vjetësh shkencëtari Çarlz Lojëll, babai i gjeologjisë angleze, u përpoq t’i bindte kolegët e vet për vërtetësinë e teorisë së erozionit të parashtruar nga Hatëni. Sot, pas një shekulli studimesh, edhe neve na duket e vështirë t’i përfytyrojmë kodrat, luginat. dhe fushat si rrënojat e një bote të zhdukur.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]