Një punë e imët kërkimore nëpërmjet fosileve

Një punë e imët kërkimore nëpërmjet fosileve

Shumë fosile janë vetëm pjesë të vogla; ato pak që gjejmë të plota janë shpesh të shtrembëruara, të thyera e të shtypura. Nxjerrja e diçkaje konkrete nga, mbeturina të tilla është punë e specialistëve. Këta specialistë janë paleontologët (emër që rrjedh nga greqishtja e që do të thotë «studiues të gjërave antike»). Paleontologët eksplorojnë Tokën në kërkim të fosileve, i nxjerrin ato, i trajtojnë ato me lëndë konservuese, i dërgojnë nëpër muzeume, lidhin me njëra-tjetrën copërat e ndryshme, i shqyrtojnë me mikroskop, u bëjnë analiza kimike, i presin në feta të holla për t’u ekzaminuar strukturën e brendshme, i krahasojnë me fosile të tjera dhe me forma të jetës që ekzistojnë sot, i verifikojnë me modelet dhe me përshkrimet e bëra nga ekspertët e tjerë.
Kur fosilet që përmbajnë shkëmbinjtë, duhet të mbarten në një vend tjetër, puna duhet të kryhet me shumë kujdes; veç kësaj, duhet të merren masa të posaçme për të ruajtur mbeturina të tilla si, për shembull, kocka, sepse, kur bien në kontakt me ajrin, mund tl kthehen në pluhur. Për specialistët edhe një copë shumë e vogël fosili — një copë kocke, pjesë e gjurmës së një gjetheje —mund të jetë një element i rëndësishëm për të përcaktuar natyrën e bimës ose të kafshës së lashtë. Nëpërmjet një numri të madh dhe të shumëllojshëm fosilesh, paleontologët mund të ndërtojnë nganjëherë pamjen e një forme të caktuar të jetës prehistorike. Por me ndihmën e një kocke të vetme të një kafshe të panjohur nuk është e mundur të ndërtohet skeleti i kafshës, të cilës i takon ai: rezultati, siç e di mirë çdo shkencëtar i përpiktë, mund të jetë mjaft larg realitetit.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]