Një roje gjithnjë syhapur

Sizmografi, një instrument i thjeshtë por mjaft i dobishëm, është bazuar në parimin e lavjerrësit. Ai mbështetet ose montohet në shtresën shkëmbore. Një kokë e lavjerrësit është e lidhur me armaturën, tjetra, shumë e rëndë, është lënë e lirë. Kur një tërmet shkakton lëkundjen e shtresës shkëmbore, edhe mbajtësja dridhet, por koka e lirë e lavjerrësit mbetet praktikisht e palëvizshme. Duke e vendosur edhe këtë në shtresën shkëmbore, lidhim këtu një bobinë të rrotullueshme me letër fotografike të ndjeshme. Mbi letër bie një rreze drite që vjen nga koka e lirë e lavjerrësit.
Kjo rreze, ndërkohë që bobina rrotullohet, shënon mbi letër një vijë të vazhdueshme. Gjatë një tërmeti, shtresa shkëmbore e lëkund vazhdimisht bobinën, por rrezja e dritës, që vjen nga lavjerrësi praktikisht në qetësi, nuk lëkundet fare. Prandaj vija që ajo përshkruan mbi letër është e valëzuar dhe në këtë mënyrë bën të mundur regjistrimin e tërmetit. Sa më i fortë të jetë tërmeti, aq më të mëdha do të jenë si pasojë valët e shënuara në letër. Sizmografi është shumë i ndjeshëm. Edhe kur nuk ka lëkundje të vërteta sizmike, vija që shënon rrezja e dritës pëson një përkulje të pakapshme, edhe për lëvizjen më të vogël të shtresës shkëmbore. Sa herë që ndodh ndonjë tërmet i fuqishëm, në çdo pjesë të botës që të jetë, sizmografi e regjistron me saktësi. Epiqendra e një tërmeti, domethënë ajo pikë e kores tokësore, ku lëkundjet janë më të forta, mund të gjendet duke analizuar valët sizmike, të cilat janë dy llojesh. Valët parësore (F) përhapen nëpër shkëmb njëlloj si valët që krijohen në një pellg, ndërsa valët dytësore (D) përhapen si lëkundjet e një litari që e tundim nga njëri skaj i tij. Valët P përhapen me një shpejtësi mesatare prej 8 kilometrash në sekondë, ndërsa valët D me shpejtësi 5 kilometra në sekondë, prandaj valët P arrijnë të parat në Sizmograf. Largesa nga epiqendra deri te sizmografi, e llogaritur në kilometra, është e barabartë me gjysmën e numrit të sekondave që kalojnë nga çasti i mbërritjes së valëve P deri në çastin e mbërritjes së valëve D. Kështu, në rast se sizmografi ka regjistruar që valët. P dhe D mbërrijnë me 200 kilometra diferencë njëra nga tjetra, kjo do të thotë se epiqendra ndodhet në një largësi prej rreth 100 kilometrash. Stacionet sizmografike veprojnë në të gjithë rruzullin tokësor natë e ditë dhe të dhënat e regjistruara i kontrollojnë me njëri-tjetrin. Vendndodhja gjeografike e epiqendrës mund të përcaktohet, duke krahasuar të dhënat e tri stacioneve të ndryshme. Nganjëherë një tërmet i fortë dhe epiqendra e tij përcaktohen përpara se të vijnë lajme nga vetë zona ku ka rënë tërmeti. Sizmografët tregojnë se korja tokësore është në lëvizje të vazhdueshme. Në botë ndodhin mesatarisht disa mijëra tërmete në ditë, pjesa më e madhe e të cilave janë kaq të lehta saqë nuk ndihen nga njerëzit, por regjistrohen vetëm nga sizmografët. Çdo vit bien rreth 25 tërmete të forta, të cilat shkaktojnë dëme serioze. Shumë tërmete e kanë zanafillën nga shtresa rreth 60 kilometra thellë nën sipërfaqen e tokës. Një pjesë e kanë burimin në thellësinë 150 kilometra ose edhe më tepër, dhe një pjesë fare e vogël burojnë nga një thellësi prej 600 kilometrash ose edhe më tepër. Tërmetet më të thella regjistrohen në pjesën perëndimore të oqeanit Paqësor, ku aktiviteti i vullkaneve është i pandërprerë. Me ndihmën e sizmografëve jo vetëm që kanë arritur t’i parashikojnë dhe t’i regjistrojnë tërmetet, por kanë siguruar edhe të dhëna të shumta përsa i përket brendësisë së planetit tonë. Valët sizmike, si valë zanore, kapërcejnë shtresa shkëmbore të tipave të ndryshëm — prej argjile dhe prej bazalti — dhe çdo shtresë e përshkojnë me shpejtësi të ndryshme, Veç kësaj, ato ndërrojnë drejtim kur kalojnë nga një shtresë në një shtresë tjetër me natyrë të ndryshme. Në këtë mënyrë, valët e të njëjtit tërmet rrezatohen me shpejtësi të ndryshme në drejtime të ndryshme dhe, kur mbërrijnë te sizmografët në pika të ndryshme të kores tokësore, kohët e mbërritjes së tyre, drejtimet dhe karakteristikat e tjera japin të dhëna për ndërtimin e shtresave shkëmbore që kanë përshkuar. Kështu pra, planeti ynë mund të studiohet deri në thellësi prej qindra e mijëra kilometrash. Në kërkimet e naftës krijohen artificialisht tërmete të vogla. Në një zonë ku mendohet se mund të ketë naftë, bëhen shpërthime të vogla në pika të ndryshme dhe merren në shqyrtim të dhënat e regjistruara nga sizmografët e vendosur në afërsi të vendeve ku bëhen shpërthimet. Nga këto regjistrime krijohet një ide e saktë për natyrën e shtresave nëntokësore, për renditjen e tyre, për thellësinë, për pjerrësinë dhe për mundësinë që kanë ato shtresa për të qenë shtresa naftëmbajtëse

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]