ONUFËR QIPRIOTI


ONUFËR QIPRIOTI
✤ Piktor i shek. XVI-XVII. Krijoi në fushën e pikturës murore dhe në ikonë. Vepra e tij me gjerësi tematike e ikonografi të pasur dallohet nga koloriti i veçantë, i ndërtuar në kombinimin e ngjyrave të kundërta të kaltër dhe portokall, të kuqe dhe të gjelbër. Mënyra e pikturimit e O. Q. përkon në vija themelore me mënyrën tradicionale të mjeshtër Onufrit (shih) dhe sidomos me atë të piktor Nikollës (shih).Një ton i errët umbra vesh sipërfaqen në pjesët e mishit, në fytyrë, në këmbë, në duar, një shtresë rozë pastoze hidhet përsipër me një masë të kufizuar dhe ndriçohet më pas me viza të holla të bardha të ndërprera drejt rrezesh. O. Q. njihet si autor i një vargu ikonash të Beratit, të manastirit të Çatistës (Gjirokastër) dhe si bashkautor i pikturave të vitit 1622 të kishës së Vllaho-Goranxisë (Gjirokastër). (Dh. Dh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Onufër Qiprioti


[cite]