Oqeani i ajrit

Forca më e madhe që ndikon në shndërrimin e Tokës sonë është atmosfera. I ndihmuar në radhë të parë nga nxehtësia e diellit dhe në të njëjtën kohë nga rezerva e madhe ujore e planetit, ajri e mban gjithnjë të gjallë procesin e madh të erozionit. Uji, akulli dhe era kanë synim ta sheshojnë sipërfaqen e Tokës, siç do ta shohim më mirë më pas; një proces i tillë sheshimi shkakton më vonë një seri dukurish me rëndësi shumë të madhe.

Atmosfera, që vepron mbi një sipërfaqe shumë të gjerë, është si një oqean i thellë që mbështjell gjithë Tokën. Mbi fundin e tij jetojnë njerëz, kafshë dhe bimë, njëlloj si butakët, peshqit dhe algat, që jetojnë në ujë. Kudo që të drejtohemi, në tokë ose në ajër, jemi gjithnjë të zhytur në atmosferë, dhe nuk preokupohemi për këtë, siç nuk preokupohen peshqit për të notuar.

Ajri është një përzierje gazesh: molekulat, atomet e këtyre gazeve dhe jonet janë grimca shumë të vogla të padukshme, madje as me mikroskop. Ndërmjet tyre ka hapësirë; por, ndërsa në shtresat afër sipërfaqes së Tokës këto janë më të shumta, më afër njëra-tjetrës, më të ngjeshura (si pasojë e peshës më të madhe të ajrit që rëndon mbi to), duke u larguar nga litosfera, hapësirat ndërmolekulare bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe përtej 400 kilometrave këto janë kaq të mëdha, saqë praktikisht aty është boshllëk. Ky është vendi në të cilin ajri ushtron një rezistencë të papërfillshme ndaj satelitëve artificialë që vërtiten rreth planetit tonë.

Pesha e atmosferës në nivelin e detit është 1, 033 kg për centimetër katror; trupi ynë përballon një shtypje prej rreth 15. 000 kg. Në male presioni është mjaft më i vogël: në malin Everest ai është afërsisht sa një e treta e presionit që ekziston në nivelin e detit. Rreth treçerekët e gazit të atmosferës janë të ngjeshur në zonën që përfshihet brenda 20 kilometrave nga sipërfaqja e Tokës.Kështu, në lartësinë nga tetëdhjetë deri në njëqind e pesëdhjetë kilometra ajri është aq i rralluar, saqë nuk mund të shkaktojë asnjë fllad ere, as duke lëvizur me shpejtësi qindra kilometrash në orë. Megjithatë, kjo shtresë tepër e rralluar ajri mjafton për të ndaluar pjesën më të madhe të rrezeve kozmike që vijnë nga hapësira, të këtyre rrezeve vdekjeprurëse si ato të bombës atomike. Në qoftë se të gjitha këto rrezatime do të arrinin në sipërfaqen e Tokës, asnjë njeri dhe, mbase, asnjë formë jete nuk do të ekzistonte. Shtresat e sipërme të ajrit shërbejnë gjithashtu si mbrojtje kundër meteoritëve. Miliarda copa guri dhe metali futen çdo ditë në atmosferë dhe me shpejtësi më të madhe se njëqind kilometra në sekondë. Toka do të ishte dyndur si një automobil nga shiu. Fatmirësisht, pjesa më e madhe e meteoritëve, në sajë të rezistencës së atmosferës, pësojnë një nxehje kaq të madhe saqë, kur i afrohen rruzullit nja pesëdhjetë kilometra, zbërthehen në copa dhe në gaz. Por disa copa janë mjaft të mëdha dhe nuk shpërbëhen plotësisht, kështu që ato arrijnë në tokë: këta janë «meteoritët». Një herë në një mijë vjet qëllon ndonjë meteorit me përmasa kaq të mëdha saqë, kur prek truallin e Tokës, hap një gropë disa qindra metra të madhe. Kështu, Toka mund të jetë formuar nga grumbullimi i materialeve meteorike, të ardhura miliarda vjet më parë, gjatë rinisë së sistemit diellor.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]