Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i dardanëve në shek. III-II p.K
Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.sonë u shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një formacion politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm. Treva në të cilën u krijua kjo mbretëri ndodhej në zemër të Ballkanit dhe identifikohet me truallin në të cilin autorët antikë kanë vendosur fisin e madh ilir të dardanëve. Kjo trevë në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanëve arrinte në veri deri në lumenjtë e Angros (Morava e Ibari) dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët e skordiskët. Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit Aksios (Vardar), duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante Dardaninë nga Trakia, kurse në perëndim lumi Drin e mali i Sharit e kufizonin me truallin e shtetit ilir. Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.
Për mungesë të dhënash burimore nuk e njohim ende mirë organizimin e brendshëm të Mbretërisë së Dardanëve.
Nga të dhënat burimore të derisotme, që janë të pamjaftueshme, arrihet në përfundimin se dardanët nuk arritën atë zhvillim ekonomik e shoqëror dhe atë organizim politik e shtetëror që patën shtetet fqinje bashkëkohëse të Ilirisë së Jugut e të Maqedonisë. Por kjo nuk do të thotë se dardanët qenë në një shkallë të tillë të zhvillimit që përjashtonte praninë tek ata të një organizimi shtetëror. Nga pikëpamja e strukturës shoqërore dhe ekonomike Mbretëria Dardane, e lindur mbi bazën e një bashkësie fisnore, nuk ka qenë thjesht një organizëm fisnor, primitiv. Gjatë gjithë ekzistencës së saj Mbretëria Dardane ka pasur synime politike të qarta dhe me një veprimtari të organizuar, ku vendin kryesor e zënë natyrisht luftërat me Maqedoninë. Nuk është vetëm “etja për plaçkë” ajo që i shtynte dardanët në luftë me maqedonët. Luftëra plaçkitëse nuk ka bërë vetëm Mbretëria Dardane, ato i kanë bërë në Greqi edhe sundimtarët maqedonë, sikurse edhe më vonë komandantët romakë. Luftërat dardano-maqedone kanë pasur si burim politikën e dy palëve ndërluftuese. Në plan të parë qëndronte politika hegjemoniste e Maqedonisë, por duhet thënë se në kohën e lulëzimit të saj edhe Mbretëria Dardane ka pasur prirje ekspansioniste, kryesisht kundrejt fqinjës së saj, Paionisë.
Në marrëdhëniet me fqinjët Mbretëria Dardane, ashtu si shtetet e tjera, përfaqësohej nga mbretërit, të cilët janë përpjekur të mbrojnë interesat e shtetit të tyre edhe nëpërmjet lidhjeve martesore.
Në Mbretërinë Dardane pushteti mbretëror ishte i trashëgueshëm. Mbreti komandonte dhe dispononte fuqinë ushtarake të të gjithë dardanëve. Nga ato pak burime që njihen, del se ushtria dardane ka qenë një ushtri e rregullt, e organizuar mirë, në bazën e së cilës qëndronte falanga me tetë mijë luftëtarë. Ajo ishte një ushtri e përbërë nga këmbësorë të armatosur rëndë, që manovronte në luftë sipas një taktike të veçantë. Në vitin 199 p.e.sonë kur ushtria dardane po tërhiqej nga Maqedonia u sulmua nga ushtria maqedone; “dardanët, – shkruan Tit-Livi, – kthyen flamujt dhe u vendosën në radhë të rregullta përballë armikut, beteja u zhvillua njëlloj si në një luftë të vërtetë”. Dhe më poshtë ai shton: “Por sapo dardanët viheshin në rrugë, njerëzit e mbretit [Filipi V] i bezdisnin me kalorinë e këmbësorinë e tyre të lehtë, kurse dardanët nuk kishin ushtri të këtij lloji dhe ishin ngarkuar me armë të rënda… U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nuk u zu, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë së bashku luftojnë ose tërhiqen”. Një ushtri e tillë nuk mund të ishte një ushtri fisnore. Në Mbretërinë Dardane ushtria përbënte një forcë të madhe. Në vitin 279 p.e.sonë mbreti dardan i ofron si ndihmë Ptoleme Keraunit një ushtri prej 20 mijë luftëtarësh. Shtatëdhjetë vjet më vonë, pasi kishte hyrë në Maqedoni, ushtria dardane duke u tërhequr mori me vete 20 mijë robër, kurse në betejën e vitit 170 p.e.sonë kundër Perseut ajo humbi 10 mijë luftëtarë. Këto shifra të larta, të cilat tregojnë fuqinë ushtarake të Mbretërisë Dardane, edhe pse mund të duken të tepruara, bashkë me të gjitha veprimet luftarake të saj, janë dëshmi e pranisë së një organizimi shtetëror në Dardani.
Mbretëria Dardane, si një organizëm politiko-ushtarak i veçantë ka pasur mënyrën e vet antike të prodhimit. Jeta ekonomike në Dardani ka qenë mbështetur në radhë të parë në zhvillimin e bujqësisë. Rrafshinat e Dardanisë kanë qenë pjellore dhe të përshtatshme për të gjitha degët e bujqësisë. Bujqësia duke qenë dega kryesore e ekonomisë, ka bërë që te dardanët të mbizotërojë popullsia fshatare dhe njëkohësisht të ruhet karakteri rural i popullsisë. Një burim me vlerë për të njohur zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe format e pronësisë tokësore te dardanët në shek. III p.e.sonë janë të dhënat e Agatharkidit. Në veprën e tij “Evropaikon”, ai shkruan se “dardanët kanë kaq shumë skllevër sa dikush kishte një mijë… kurse një tjetër edhe më shumë. Secili nga këta [skllevër] në kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin e vet”. Duke pranuar mendimin e përgjithshëm se me termin dulloi=skllevër, duhet kuptuar një popullsi fshatare e varur, vërtetohet prania te dardanët e një shtrese të pasur që zotëronte prona të mëdha tokësore dhe të një popullsie të shpronësuar, e cila kishte detyrime ndaj parisë ose shtresës sunduese dardane. Paria dardane shfrytëzonte jo vetëm “skllevërit” që përmend Agatharkidi, por edhe robërit e luftës. Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që në luftën e vitit 216 p.e.sonë ushtria dardane mori me vete 20 mijë robër nga Maqedonia. Por kjo nuk ka qenë forma e vetme e pronësisë së tokës në Mbretërinë Dardane. Te dardanët ka pasur edhe një shtresë të fuqishme fshatarësh të lirë, të cilët bashkë me zejtarët e lirë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit. Edhe gjatë pushtimit romak, kur skllavëria si sistem ekonomiko-shoqëror u përhap në një shkallë të gjerë, fshatarët e lirë mbetën një forcë e madhe në provincën e Dardanisë. Një degë gjithashtu e rëndësishme në jetën ekonomike të dardanëve ka qenë xehtaria, nxjerrja dhe përpunimi i metaleve. Në mungesë të të dhënave të mjaftueshme të drejtpërdrejta duhet marrë parasysh shfrytëzimi i madh i burimeve metalifere në kohën e pushtimit romak, përvoja e xehtarëve dhe e metalpunuesve dardanë.
Nga mesi i shek. IV p.e.sonë disa nga vendbanimet e fortifikuara të tipit gradina zëvendësohen me qendra urbane. Ato u ngritën pranë xeherorëve ose në rrafsh e në udhëkryqet tregtare. Damastioni ishte një prej qyteteve të hershme, i cili u ngrit afër minierave të argjendit rreth shek. V p.e.sonë. Në njoftimet fragmentare të autorëve antikë ato quhen me termat polis, urbs, oppidum. Straboni përmend si të tilla Scupi, Naisi, Ulpiana pararomake, Novobërda etj. Qyteti Sitnia, në veri të Pelagonisë, përmendet si qendër e rëndësishme. Ptolemeu, autor i shek. II e. sonë përmend katër qytete të vjetra dhe të rëndësishme të Dardanisë: Naissos, Arribantion, Ulpianon dhe Scupi.
Duke iu referuar burimeve e të dhënave arkeologjike mund të mendohet se në shek. III-II ato kishin filluar të merrnin tiparet e qendrave urbane. Objekte të tilla, si vegla pune, stoli e prodhime qeramike që janë zbuluar në disa qendërbanime të fortifikuara dhe që janë prodhime vendase, dëshmojnë për transformimin e tyre në qendra zejtare. Monedhat maqedone, ato të Damastionit e të qyteteve Dyrrah e Apoloni etj., si edhe objekte të ndryshme të importuara duhen marrë si tregues të këmbimit mall-para dhe të një veprimtarie tregtare mjaft të gjerë që arrinte deri në Adriatik e në detin Egje.