Përse ndodhin shkarjet

Rreth e rrotull fundit të një kodre guri me shpate të pjerrëta mund të gjenden copëra shkëmbinjsh të grumbulluara, nganjëherë të mbuluara përgjysmë nga dheu: këto janë skorie shkëmbore të tërhequra nga forca e rëndesës. Sidoqoftë, sistemimi i tyre është i përkohshëm: një ditë forca e rëndesës do të gjejë mënyrën për t’i mbartur ato edhe më poshtë. Mbi një kodër graniti forca vepron ngadalë, por në vende të tjera mund të veprojë mjaft shpejt, duke shkaktuar shembje të shpejta të një pjese të shtresës malore. Shkëputja mund të varet nga struktura gjeologjike e formacionit (materiale pa lidhje të qëndrueshme, shtresa të pjerrëta, shkëmbinj të plasaritur etj.), nga veprimi i ujit që depërton ose edhe nga shkaqe të tjera.

Në qoftë se një mal përmban një shtresë të dendur argjile, të shtrirë mbi shkëmbin nën të me pjerrësi të madhe, atëherë kjo argjilë synon të bëhet e qullët dhe të rrëshqasë. Mbas disa shirave të forta ajo fillon të rrëshqasë gjithnjë e më shpejt dhe, pa shkuar gjatë, në fundin e shtratit grumbullohet një shtresë argjile me peshë disa tonë. Materialet e shkatërruara, që bien për shkak të forcës së rëndesës, grumbullohen dhe formojnë pirgje të çrregullta, të cilat, si rrjedhim i energjisë që fitojnë gjatë rrëzimit, mund të largohen shumë nga shkëmbi prej të cilit janë shkëputur. Kështu, në brinjët e malit mbeten gjurmët e materialit të rrëzuar, vende të gërryera ose shpate të lëmuara nga rrëshqitja e materialit që rrëzohet. Lumenjtë, duke gërryer rrëzën e një mali, mund të shkaktojnë shembjen e një muri shkëmbor. Një lëvizje e kores së Tokës, që shkakton plasaritje ose zgjerime të plasaritjeve ekzistuese, mund të bëhet shkak për të njëjtën dukuri. Proceset e ngrirjes së akullit ose të shkrirjes së sasive. të mëdha të borës bëhen gjithashtu shkaqe të shembjeve.

Edhe vetë njeriu mund të shkaktojë shembje, kur bën shpërthime minash ose shpërthime në miniera dhe në galeri. Mbi shpatet e maleve, në të cilat është bërë një shpyllëzim tepër i madh, për shkak të numrit të paktë të rrënjëve që thithin shiun dhe lidhin dheun, shkarjet ndodhin me lehtësi. Hapja e rrugëve malore dhe e kanaleve në faqet e malit mund të jetë gjithashtu shkak për shembje, Disa male me natyrë gëlqerore mbështeten mbi shtresa argjilore. Në qoftë se, për shkak të shirave të bollshme, këto shtresa rrëshqasin, atëherë shtresat e sipërme, duke shkarë si mbi një fushë të rrëshqitshme, mund të rrëzohen.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]