PEJSAZHET NËNDETARE

Mbretëria e detit ende nuk njihet si duhet, megjithëse ajo mbulon më shumë se dy të tretat e sipërfaqes së Tokës. Thellësia e oqeaneve është një hiçgjë në krahasim me gjatësinë e diametrit të Tokës. Gjithçka që ndodhet poshtë valëve njihet vetëm në vija të përgjithshme. Vetëm kohët e fundit nga studimi i thellësive detare janë siguruar të dhëna mbi fundin e oqeaneve dhe mbi ngjarjet që kanë ndodhur atje gjatë epokave gjeologjike. Dikur thellësia e detit matej me thellësimatës me fill, të përbërë nga një litar që tendosej nga një peshë e rëndë. Në hartat detare tregohej pra thellësia e fundit të detit në pika të caktuara të tij, me qëllim që anijet të qëndronin larg rripave pak të thellë që ishin të rrezikshëm për anijet, dhe larg shkëmbinjve bregdetarë.
Por një thellësimatës zbulonte shumë pak gjëra mbi natyrën e vërtetë të fundit të detit. Sot thellësia e fundit të detit matet me anë të një pajisjeje automatike, e cila lëshon valë zanore, që përhapen në ujë (njëlloj si në ajër), regjistron kohën që i duhet valës për t’u pasqyruar nga fundi i detit dhe, meqë shpejtësia e përhapjes së zërit në ujin e kripur dihet, e përkthen këtë informacion duke dhënë aty për aty thellësinë e fundit të detit në pikën ku bëhet matja. Një anije që lundron në një moment të caktuar në një zonë të detit mund të përcaktojë ashpërsinë e fundit të tij me saktësi po aq të madhe sa, ç’përcaktojnë hartografët e zot relievin e tokës. Një tjetër instrument, që përdoret nga studiuesit e oqeaneve është edhe një thellësimatës special, që përbëhet kryesisht nga një copë tubi dhe një peshë e lidhur me një kavo të gjatë. Kur hidhet në fund të detit, tubi futet thellë në fundërrimet që gjenden aty; një sasi e caktuar e këtyre fundërrimeve që futen në tub, thithet dhe nxirret në sipërfaqe. Fundërrimet mund të mblidhen edhe me anë të një lloj koshi që tërhiqet zvarrë mbi fundin e detit. Vitet e fundit gjeologët, duke përdorur mjete të posaçme frymëmarrjeje nën ujë, kanë mundur të eksplorojnë detin deri në nëntëdhjetë metra thellësi. Për matjen e temperaturës së ujit në thellësi të ndryshme po përdoren termometra specialë. Ndryshimet e temperaturës janë elemente të rëndësishme për përcaktimin e drejtimit të rrymave detare dhe të kushteve të jetesës së organizmave që jetojnë në ujë. Disa cilindra të mbyllur në fund zhyten deri në thellësinë e dëshiruar; pastaj, fundet e këtyre cilindrave hapen automatikisht, duke lejuar ujin që të futet brenda në tub, mandej mbyllen përsëri dhe cilindrat nxirren në sipërfaqe. Me anë të këtij sistemi mund të përcaktohen kripshmëria, dendësia dhe përmbajtja e organizmave të gjallë në ujë. Përdorimi i batiskafëve lejon që të vrojtohet dhe të fotografohet jeta nën det deri në disa kilometra thellësi, Ja dhe një sistem tjetër studimor: në sipërfaqe bëhet një shpërthim dhe regjistrohen valët goditëse që pasqyrohen nga shtresat e fundit të detit dhe kthehen në sipërfaqe. Studimi i këtyre «jehonave«jep informacione të sakta mbi thellësinë e fundërrimeve, mbi tipin e shtresave shkëmbore, mbi trashësinë e tyre mbi pjerrësinë e tyre. Parimi është i njëjtë me atë që përdoret në kërkimet sizmike të naftës, të përshkruar tashmë në këtë libër. Ky sistem eksplorimi po përdoret edhe në platformat kontinentale. Studimi i fundit të detit është një nga degët më të rëndësishme të shkencës së gjeologjisë. Thellësia e oqeaneve dhe relievi nëndetar janë të rëndësishëm për studimin e rrymave të ujit, të cilat, nga ana e tyre, ndikojnë në një masë shumë të madhe — si në rastin e Golfstrimit dhe të Kuro Sivos — në klimën e rruzullit tokësor, në lundrim e në peshkim. Njohuritë e plota mbi fundin e detit, mbi rrymat e ujit dhe mbi temperaturat e tij në thellësi të ndryshme, kanë një rëndësi jetike për gjithë aktivitetin detar.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]