Pentarkia

(greqisht: πενταρχία) Pentarkia Përkujdesja shpirtërore e të krishterëve në mbarë botën është realizuar nëpërmjet Patriarkanave. Kisha është drejtuar nga Pentarkia d.m.th. nga pesë Patriarkana. Kishat e krishtera klanë qenë: 1-Kisha e Romës në Perëndim, e themeluar nga Apostull Pjetri. Kisha e Romës ka pasur në juridiksion gjithë Perëndimin dhe Ilirinë. 2-Kisha e Kostandinopojës në Lindje, e themeluar nga Apostull Andrea. Kjo kishë kishte në mbikqyrje Trakën, Azinë e Vogël dhe Pontin. 3-Kisha e Aleksandrisë, e themeluar nga Apostull dhe Ungjillor Marku. Aleksandria ka pasur në juridiksion Egjiptin, Libinë dhe Pentapolin. 4-Kisha e Antiokisë, e themeluar nga Apostull Pjetri (përpara se të themelonte kishën e Romës). Kjo kishë kishte në mbikqyrje Fenikin, Sirinë dhe Arabinë. 5-Kisha e Jeruzalemit, e themeluar nga vetë Jesu Krishti, duke pasur shtrirje gjeografike në Palestinë (vendi ku jetoi dhe predikoi). Pesë Patriarkanat kishin të drejta dhe privilegje të barabarta: hirotonisnin mitropolitët që kishin në juridiksionin e tyre, thërrisnin episkopët nëpër sinode lokale, pranonin dhe shqyrtonin në sinode ankesat e mitropolitëve etj. Për problemet teologjike dhe organizative të kishës Patriarkanat kanë qenë krejtësisht të pavarura. Patrikët edhe mitropolitët kanë rreth vetes sinodin. Sinodi i Patriarkanës përbëhet nga mitropolitët që ka në varësi, ndërsa sinodi i mitropolive përbëhet prej episkopëve që janë në varësinë e mitropolisë. Pesë patriarkanat janë të barabarta ndërmjet tyre. Episkopi i Romës është Primus inter pares që do të thotë i pari ndërmjet të barabartëve në renditjen e primatëve të pesë patriarkanave. Çdo patrik duhet të ketë komunikim të plotë me patrikët e tjerë. Kjo realizohet me shkrimin e emrave në Diptikë dhe me përkujtimin e tyre gjatë liturgjisë. Çdo patrik është autoqefal dhe i pavarur në fronin e tij. Për nderet e barabarta të pesë patriarkanave është diskutuar në Sinodet Ekumenike.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]