Periudhat e akullnajave

Për shekuj me radhë banorët parahistorikë të Evropës dhe Azisë rronin nëpër fusha të mbuluara me akuj, ku jetonin kope të mëdha drerësh, mamuthësh dhe kafshësh të tjera që gjuheshin. Në kohën tonë në Evropë, në Amerikën e Veriut dhe në Azi ka ende vende ku kopetë e këtyre kafshëve gjenden me shumicë; këto janë vende malore me borë të përjetshme, ku lumenjtë e rrëmbyeshëm dhe liqenet ushqehen me ujin e akujve që shkrijnë. Është e natyrshme të mendojmë se vendet e mbuluara me akullnaja në kohën e sotme kanë qenë pak a shumë njëlloj si tani edhe në kohët parahistorike.

Mirëpo në vitin 1837 Luis Agasizi, një gjeolog i ri zviceran, mbajti përpara një shoqërie shkencore zvicerane një konferencë historike, ku pohoi me siguri se akullnajat e sotme janë vetëm mbeturinat e akullnajave shumë më të mëdha të së kaluarës. Para disa shekujve, pohoi Agasizi përpara dëgjuesve të tij të mahnitur, shtresa të mëdha akujsh zbritën nga polet dhe mbuluan gjysmërruzullin verior të Tokës deri në zonat qendrore të Evropës dhe të Azisë. Si arriti të formohej dhe të zinte vend në mendjen e djaloshit Agasiz një bindje e tillë? Teoria e parashtruar prej tij dukej thjesht fryt i fantazisë dhe jo i një përvoje të pasur shkencore.

Një vit përpara, në Alpet, dy shokë të tij i kishin treguar shenjat karakteristike të akullnajave — morenat dhe guralecët e ngulur në shpatet e maleve — në disa lugina ku nuk dihej të kishte pasur ndonjëherë akullnaja, në asnjë periudhë të historisë së njerëzimit. Në fillim Agasizi filloi t’i vërente akullnajat me kureshtje, ndërsa më vonë me shumë interesim, të studionte përbërjen, formimin dhe lëvizjen e tyre, pastaj zuri të studionte honet pa akuj dhe luginat e hapura prej tyre. Nuk kishte më asnjë dyshim: një herë e një kohë akujt kishin pushtuar këto lugina të qeta të Evropës Qendrore dhe, me sa dukej, duhej të kishin mbuluar të gjitha vendet veriore!

Shkencëtarët i quajtën pohimet e Agasizit krejt të pabazuara. Por, njëlloj siç kishte ndodhur edhe me Getarin dhe Demarein, me Hatënin dhe Lajëllin, e drejta ishte me ata që kishin në dorë prova të pakundërshtueshme, prova që ishin ngulitur në të gjithë Evropën Veriore dhe Qendrore: morena të formuara nga rëra dhe zaje, shkëmbinj të gërryer dhe mbeturina të tyre të shpërndara në fund të luginave në formë të gërmës U, humnera, gropa malore në trajtë amfiteatrosh, ku një herë e një kohë ishte grumbulluar dëbora dhe prej ku kishin filluar rrëshqitjen e tyre akullnajat. Studimi i akullnajave, që para Agasizit ishte lënë pas dore, tërhoqi shumë shkencëtarë si dhe vetë Agasizin, i cili iu kushtua i tëri kësaj pune. E vërteta e pakundërshtueshme për periudhat e lashta të akullnajave në Tokë, më në fund u pranua.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]