Përkrahja e kryengritjes nga grupi parlamentar shqiptar
Sapo filloi kryengritja, grupi i deputetëve shqiptarë në parlament u vu në mbrojtje të saj. Më 9 prill 1910, 13 prej tyre (nga gjithsej 26 që përfaqësonin popullsinë shqiptare në atë organ) i paraqitën parlamentit një relacion për gjendjen e vështirë të krijuar në Shqipëri si rrjedhim i politikës nacionaliste të Komitetit “Bashkim e Përparim”.
Në deklaratën që deputeti i Kosovës, Nexhip Draga, bëri më 10 prill në emër të grupit të deputetëve shqiptarë e quajti të padrejtë dhe e dënoi vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vilajetin e Kosovës. Ismail Qemali, Myfid Libohova dhe deputetë të tjerë shqiptarë sollën prova që dëshmonin se ngjarjet e Prishtinës ishin pasojë e administrimit të keq të vendit, e sjelljeve arbitrare të nëpunësve vendorë, si dhe e karakterit anakronik të mënyrës së qeverisjes që zbatonin xhonturqit.Deputetët shqiptarë folën posaçërisht për arbitraritetin në vjeljen e detyrimeve shtetërore nga autoritetet vendore. Në këtë ndikonte mungesa e legjislacionit përkatës, si edhe formulimet e errëta e të papërcaktuara mirë të ligjeve ekzistuese. Në Shqipëri filluan të vileshin edhe tatime të tilla, siç ishte ajo e oktrovës, një taksë doganore, e cila nuk vilej ende as në rajonet më të zhvilluara të Perandorisë, si në Stamboll, në Izmir, në Selanik.
Deputetët shqiptarë deklaruan se do të ishte më e udhës dhe më dobiprurëse që në Shqipëri në vend të ekspeditave ushtarake të dërgohej një komision parlamentar. Ata kërkuan që në Shqipëri të sendërtoheshin hap pas hapi reforma rrënjësore, të caktoheshin nëpunës të aftë e të ndershëm, të cilët të njihnin ligjet dhe drejtësinë. Hasan Prishtina nguli këmbë që ky komision të hetonte në vend shkaqet e kryengritjes.
Duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve shqiptarë në parlament, kryeministri turk u përpoq t’i përligjte e t’i motivonte masat ushtarake të qeverisë në Kosovë me pozitën e veçantë strategjike të kësaj treve dhe të mbulonte shkaqet e vërteta të lëvizjes kryengritëse në Shqipëri, të cilën e quante vepër të disa “ngatërrestarëve”.
Ismail Qemali, nga ana e tij, kërkoi nga qeveria që të nxirreshin në shesh shkaktarët e vërtetë të gjendjes së krijuar në Shqipëri. Në një takim të veçantë me ministrin e Luftës të Perandorisë ai kërkoi që të ndërpriteshin veprimet ushtarake kundër shqiptarëve. Por këto kërkesa ranë në vesh të shurdhër. Qeveria pranoi se ishin bërë disa gabime nga administrimi i keq prej disa nëpunësve vendorë dhe premtoi se do të merrte masa për riparimin e tyre. Në të njëjtën kohë ajo siguroi miratimin nga parlamenti të kërkesës së saj për dërgimin e trupave ushtarake plotësuese në Kosovë.
Orvatjet e deputetëve shqiptarë për të penguar dërgimin e ekspeditës ushtarake të komanduar nga Shefqet Turgut pasha në Kosovë nuk dhanë fryt. Edhe propozimet e tyre për të dërguar në Shqipëri një komision parlamentar për hetimin e gjendjes në terren dhe në mënyrë të veçantë të shkaqeve të kryengritjes u hodhën poshtë. Qeveria xhonturke ishte tashmë e vetëdijshme se ngjarjet në Shqipëri ishin shenjë e një konflikti politik shqiptaro-turk, pas të cilit fshiheshin aspiratat autonomiste të shqiptarëve.
Këtë realitet u përpoq t’ua bënte të qartë Ismail Qemali edhe diplomatëve të huaj në Stamboll. Duke i përcjellë ambasadorit austro-hungarez, Pallaviçinit, kërkesën që deputetët shqiptarë parashtruan në parlamentin osman, ai theksoi se shqiptarët kërkonin zbatimin e reformave, të cilat do t’u përshtateshin rrethanave të veçanta të vendit dhe nevojave të tij. Kundërshtimi i tyre, theksonte ai, do të çonte në thellimin e mëtejshëm të kryengritjes popullore. Ismail Qemali i bënte të ditur përfaqësuesit të Vjenës në Stamboll, se me kërkesat e tyre shqiptarët synonin të siguronin “një ndërtesë më vete”, çka nënkuptonte autonominë e Shqipërisë.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare