Sukseset e para të kryengritësve
Në mesin e prillit 1910 Turgut Pasha mbërriti në krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup.
Në proklamatën që i drejtoi popullsisë së Kosovës para se të fillonte operacionin ushtarak, Shefqet Turgut pasha u orvat ta përligjte atë në sytë e popullsisë së revoltuar dhe të bindte kosovarët se qeveria ishte shtrënguar të dërgonte ushtrinë në këtë vilajet. Ai theksonte se forcat ushtarake të komanduara prej tij nuk qenë dërguar për të shkaktuar gjakderdhje, por për të vendosur rregullin e qetësinë dhe për të ndëshkuar të gjithë ata që mbillnin përçarjen. Ai deklaronte gjithashtu se qeveria dëshironte t’i siguronte popullit shqiptar të mirat e rendit kushtetues, prandaj ishte në interesin e tij dhe të shtetit që të gjithë kryengritësit të dorëzoheshin.
I përforcuar me trupa të rinj, numri i forcave osmane që u vunë përballë kryengritësve shqiptarë, arriti në rreth 40 mijë veta. Me këtë ushtri Shefqet Turgut pasha filloi në mesin e muajit prill 1910 sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse.Ndërkohë kryengritësit vazhduan veprimet e tyre, të cilat tani i zhvilluan në tri zona. Luftëtarët e Shalës, të Llapit e të Drenicës, nën komandën e Isa Boletinit, u përqendruan në Grykën e Carralevës dhe vunë nën kontroll vijën Ferizaj-Shtimje-Prizren. Hasan Hysen Budakova me forcat e tij u përqendrua në rajonin malor në perëndim të Ferizajt deri në anën jugore të Carralevës. Grupimi tjetër, i tretë, i kryengritësve, që përbëhej nga luftëtarë të Gjilanit e të Preshevës, nën komandën e Idriz Seferit, mori përsipër të zotëronte e të mbronte Grykën e Kaçanikut dhe rrugën Tetovë-Shkup për të mos lejuar depërtimin e ushtrisë osmane, që vinte nga qendra e vilajetit në drejtim të pjesës së brendshme të Kosovës. Emisarë të posaçëm u dërguan në Shkodër, në Dibër e në Mat me thirrjen për t’u bashkuar me kryengritjen, ndërsa agjitatorë të tjerë filluan të vepronin në radhët e reparteve turke për t’i bindur ushtarët shqiptarë të dezertonin.
Në fazën e parë të operacioneve ushtria osmane pësoi disfatë. Kolona verilindore e saj, e cila kishte për detyrë të dilte në fshatin Pozharan dhe me një veprim të shpejtë t’i rrethonte forcat kryengritëse të grupuara në këtë rajon, ndeshi në një qëndresë të ashpër dhe e ndërpreu përkohësisht marshimin e mëtejshëm.
Luftime më të ashpra u zhvilluan në anën perëndimore të zonës kryengritëse. Forcat osmane të përqendruara këtu, më 21 prill, pas luftimesh të rrepta, arritën t’i afroheshin Shtimjes që mbrohej nga kryengritësit. U ndërpre lidhja telegrafike e kësaj qendre me Prizrenin. Luftimet vijuan në Shtimje gjithë ditën, me humbje të mëdha nga të dyja palët. Të nesërmen ushtria osmane, e komanduar nga Osman Pasha, me gjithë mbështetjen e zjarrit të artilerisë, nuk mundi ta merrte Grykën e Shtimjes. Në pritje të përforcimeve të reja nga Ferizaj, ushtria u detyrua të tërhiqej nën goditjet e vazhdueshme të kryengritësve.
Lajmi rreth fillimit të luftimeve në Shtimje përshpejtoi veprimet e kryengritësve të Gjilanit, të Preshevës dhe të viseve përreth, që u hodhën drejt Kaçanikut. Më 24 prill 3 000 kryengritës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut dhe dolën në shpinë të ushtrisë turke, duke e vënë atë në një pozitë kritike. Kryengritësit vunë nën kontroll të plotë hekurudhën Shkup-Mitrovicë dhe ndërprenë lidhjen hekurudhore me kryeqendrën e vilajetit, Shkupin. Si rrjedhim i këtyre veprimeve, forcat ushtarake osmane, të vendosura në Ferizaj, u vunë në një gjendje të vështirë.
Sukseset e kryengritësve në Grykën e Carralevës dhe shtënia në dorë e Shkallës së Kaçanikut përbënin një fitore ushtarake të rëndësishme, e cila ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes në Kosovë. Forcat kryengritëse zotëronin tani një pjesë të mirë të territoreve të vilajetit të Kosovës, si dhe disa pika strategjike që u lejonin të kontrollonin vijat kryesore të komunikacionit. Ata paralizuan pushtetin civil të administratës xhonturke. Ndërkaq, ushtria osmane mbeti e bllokuar në qytetet kryesore të Fushë-Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. E pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë veprim luftarak jashtë tyre, ushtria osmane priste ardhjen e forcave të reja.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare