Petro Xhuveli

Petro Xhuveli

shqiptar ortodoks Petro Xhuveli (1909-1999) ka lindur më 1909 në Qeparo, ku mori edhe mësimet e para. Në vitin 1919, në moshën dhjetëvjeçare, vëllai i tij i madh Epaminonda e mori në Athinë ku përfundoi gjimnazin e djemve në vitet 1926-1928. Më pas ai u diplomua për mësues dhe që nga viti 1928 punoi në arsim derisa doli në pension më 1960. Gjatë mësimdhënies në fshatrat e rrethit të Vlorës ai u njoh me atë Kozmain nga Bestrova, Koço Fështin, Theofan Popën etj, të cilët i ndihmonte me përkthimet që bënte nga greqishtja. Që nga viti 1950 dhe deri sa ndërroi jetë Petro Xhuveli ka përkthyer rreth 70 libra fetarë, nga të cilët vetëm njëri mundi ta shohë dritën e botimit në vitin 1997 në Athinë. Ky libër titullohet “Jeta e Përjetshme”. Në vitet e lirisë fetare Petrua ushtroi detyrën e epitropit në manastirin e Shën Dhimitrit dhe në kishat e fshatit Qeparo. Gjithashtu ai ishte psalt e predikues dhe zhvillonte mësimet e katekizmit me fëmijët. Ndërkohë vazhdoi punën me përkthimet dhe artikujt që i botoi në gazetën “Ngjallja”. Duke punuar gjithë jetën për Perëndinë, Petro Xhuveli ndërroi jetë më 7 maj 1999.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Vasil Kaskadami, Mësuesi i Qeparoit, Ngjallja, qershor 1999, faqe 11.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]