PLENUMI X I KQ TË PPSH I JASHTËZAKQNSHËM
✤ maj 1951. U mbajt më 14.5.1951. Mori në shqyrtim edhe një herë çështjen e kolektivizimit të bujqësisë dhe konstatoi se orientimi i dhënë nga Plenumi X i KQ, i mbajtur në muajin prill 1951 për shpejtimin e ritmeve të kolektivizimit në bujqësi nuk ishte i drejtë, se detyra kryesore për kushtet konkrete nuk ishte zgjerimi i numrit të kooperativave bujqësore, por forcimi i kooperativave bujqësore ekzistuese dhe shfrytëzimi i të gjitha mundësive të ekonomisë së vogël fshatare për të rritur prodhimin. Për këtë qëllim P. orientoi që të shpejtoheshin ritmet e zhvillimit të bujqësisë, duke shtuar ndihmën e shtetit për kooperativat bujqësore ekzistuese dhe për fshatarësinë punonjëse individuale, duke përsosur format e lidhjeve midis qytetit dhe fshatit, të aleancës midis klasës punëtore dhe fshatarësisë, duke zhvilluar çdo ditë e më tepër luftën e klasave në fshat.
Për kolektivizimin në fshat P. theksoi se në këtë çështje duhej të ecej me kujdes të madh dhe me hapa të sigurt, duke zbatuar drejt vendimet e Konferencës II Kombëtare të Partisë, e cila kishte orientuar që «në kolektivizimin e bujqësisë as të mos shpejtojmë dhe as të ndalemi në vend». P. caktoi detyra të rëndësishme për forcimin e Partisë dhe të punës së saj në fshat, duke e konsideruar atë faktorin vendimtar për kryerjen me sukses të të gjitha detyrave. P. porositi që të zhvillohej drejt lufta e klasave në fshat për të zbatuar me konsekuencë vijën e kufizimit ekonomik dhe të izolimit politik të kulakëve, duke udhëhequr në këtë luftë masat e fshatarësisë së varfër e të mesme.
(Q.Xh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Plenumi X I Kq Të Ppsh I Jashtëzakqnshëm